E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyn sot në fuqi ligji i mbetjeve, Kuvendi Civil bllokon portin e Vlorës

TIRANË- Hyn sot në fuqi ligji për importin e mbetjeve, ligj i cili ka shkaktuar mjaft reagime. Kuvendi miratoi ligjin edhe pse më parë ishte rikthyer për shqyrtim nga ana e presidentit. Opozita ka kundërshtuar draftin, gjithashtu dhe një pjesë e shoqërisë civile, e cila ka ngritur zërin veçanërisht kundër nenit 49 që parashikon importin e plehrave nga jashtë.

Sot Kuvendi Civil në vijim të qëndrimit të tij kundërshtues, ka bllokuar për 30 minuta portin e Vlorës. Të rinjtë e kësaj lëvizje mbanin në duar pankarta si “Jo importit të plehrave” dhe “Nuk heshtim pa u ndalur ky ligj skandaloz”. Bllokimi në shenjë proteste paralizoi edhe punën në port.

Kuvendi Civil ka paralajmëruar sot një protestë edhe para kryeministrisë e kryesisë së Kuvendit, pasi ky i fundit ka refuzuar të marrë parasysh një peticion të iniciuar nga kjo organizatë dhe të firmosur nga mjaft qytetarë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›