Hynë klandestinë nga Greqia, ndalohen tre afganë
Korçë- Tre shtetas afganë u ndaluan pasdite nga shërbimet e doganës në vendkalimin kufitar të Kapshticës ( Devoll), pasi tentuan të hynin ilegalisht në vendin tonë nëpërmjet një mjeti transporti, i cili vinte nga Greqia.
Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur se tre shtetasit afganë u ndaluan për kalim të paligjshëm të kufirit, pas një kontrolli të ushtruar në një maune, e cila vinte nga Irani dhe nëpërmjet Greqisë kishte si destinacion vendin tonë.
Sipas policisë, tre shtetasit afganë nuk ishin të pajisur me dokumente, ndërkohë që drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici për hetime të mëtejshme rreth kësaj ngjarjeje.
Mësohet se ata pas marrjes në pyetje, do të riatdhesohen përsëri në drejtim të Greqisë, ndërsa policia do të mbajë të shoqëruar shoferin e mjetit për të sqaruar nëse ka patur dijeni rreth transportit të emigrantëve klandestinë.
Ky është rasti i dytë, për një periudhë kohore dy javore, që në vendkalimin kufitar të Kapshticës kapen dhe ndalohen shtetas afganë që kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në vendin tonë me synimin për të udhëtuar më pas në vende fqinje si Italia