E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra në hava. Teatri kthehet në magazinë

Instrumentet, biblioteka, dekoret e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, të hedhura në dhomat e Teatrit Kombëtar për Fëmijë. Ja pasojat e një vendimi qeverie që po pengon funksionimin e dy institucioneve. Sindikata ngre zërin


Skena është e vetmja hapësirë në Teatri Kombëtar për Fëmijë ku fëmijët mund të lëvizin lirshëm, të bëjnë prova dhe të interpretojnë pa u penguar nga rrangullat. Rrangulla. Kështu duken të gjithë librat, dekoret, veshjet, instrumentet, kompjuterët, karriget e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, që tani janë futur rrëmujshëm nëpër thasë në dhomat e gardërobës dhe punishtes së Teatrit Kombëtar për Fëmijë.


Por ka edhe më keq! Raftet e Bibliotekës së vetme për Fëmijë në Tiranë, me rreth 15.000 tituj në Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, rrinë jashtë në oborrin e Teatrit, në shi dhe në diell dhe nuk do shumë mend dhe kohë që të dalin jashtë përdorimit.


Kjo gjendje është e tillë që prej 1 majit, pasi Këshilli i Ministrave mori dy vendime njeri pas tjetrit për lirimin e katit të tretë të ndërtesës ku ndodhej Qendra. Vendimi i parë, ai për "Dhënien në përdorim Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile të disa mjediseve, konkretisht kati i tretë teknik i ndërtesës së ish-Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacioneve, përkatësisht, 5 zyra në këtë kat" është lëshuar më 7 prill, kurse i dyti, që përcakton "Dhënien në përdorim Komitetit Shtetëror të Minoriteteve të disa mjediseve, të katit të tretë teknik, të ndërtesës së ish-Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacioneve, përkatësisht, 4 zyra në këtë kat", është i datës 13.04.2010.


Shqetësimi për këtë vendim të qeverisë erdhi nga kryetarja e sindikatës së artistëve të Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë (QKKF), Marilda Furrxhi, që e sheh absurd funksionimin e institucioneve në kësi kushtesh.


"Nuk mund të mbartet, një institucion i tërë me gjithë bazën e tij materiale dhe personelin artistik në një institucion tjetër, që nuk ka ku të marri frymë për vete. Janë shkatërruar të tëra, janë katandisur në kushte të këqija librat, pianoja, kitarrat, veglat e tjera muzikore, kompjuterët. Kasa e bibliotekës është në mes të shiut dhe dy herë të bjerë shi ajo kalbet, del jashtë funksionimit", shprehet Furrxhi.


Dhe më tej vijon: "Kërkoj të sensibilizohet opinioni publik, Ministria e Kulturës dhe shteti, të vënë dorë urgjentisht në zgjidhjen e këtij problemi". Sindikalistja njoftoi se pas dy ditësh do të zhvillojë një takim me Ministrin e Kulturës.


"Ajo që më shqetëson më tepër është se nuk kam ndjerë në vite, prej këtyre drejtuesve, jo vetëm këtyre aktualë, të ngrihet një herë zëri. Nuk kam ndjerë njëherë të kërkojnë ndihmën e sindikatës nëqoftëse ato individualisht nuk kanë fuqi protestuese. Kanë qenë servilë partiakë dhe njerëz që kanë ardhur kanë marrë një rrogë, të papërgjegjshëm dhe kanë ikur. Tani nuk e di se çfarë zyrash të tjera mund të mbulojnë. Shiko ku i solli vizioni i tyre drejtues", përfundon Furrxhi.


Të njëjtin shqetësim dhe tone indinjate nuk e ndjejmë tek krerët e tri institucioneve, Teatrit Kombëtar për Fëmijë, Qendra Kombëtare e Fëmijëve dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, të bindur që problemi do të zgjidhet shpejt, edhe pse Ministria e Kulturës nuk u ka lënë ndonjë afat për këtë.


Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, Nigda Dako, e sheh të pamundur operimin e të dy institucioneve bashkë. "Nuk mund të flasim dot për funksionimin e një Qendre Kulturore në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve". Dako mëshon mbi vlerat e bibliotekës që ka Qendra, e vetmja në vendin tonë me tituj për fëmijë, që nuk mund të qëndrojë për një kohë të gjatë e izoluar në ambientet e teatrit.


"Na duhet një ambient tjetër i përshtatshëm për klasat e fëmijëve, jo fort larg qendrës. Një ambient me palestër, me bibliotekë, sallë kori", vijon më tej ajo. Nuk është hera e parë, që Qendra Kulturore e Fëmijëve largohet nga ambientet e saj për të shkuar diku tjetër. Në harkun kohor të një dhjetëvjeçari është zhvendosur nga ish Pallati i Pionierëve, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, në ish-ministrisë së Kulturës e tani nuk i dihet ku do t'i gjendet një çati.


Po si e sheh gjendjen drejtoresha e Teatrit Kombëtar për Fëmijë, Klaudia Hila?


"Janë dy ekstreme. Një institucion që zhvendoset, zhvendoset një aktivitet, zhvendoset edhe kujdesi ndaj këtyre fëmijëve për të cilët po punohet shumë", pohon Hila. Ajo nuk e sheh të gjatë vazhdimësinë e institucioneve në këtë mënyrë.


Kreu i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, prej të cilit varen dy institucionet e lartpërmendura, drejtori i përgjithshëm Flamur Shehu, flet për "një mirëkuptim nga ana e Ministrisë së Kulturës" pas disa takimeve që ka zhvilluar me ministrin e Kulturës.


"Shumë shpejt do t'i gjejmë një zgjidhje", shprehet optimist Shehu i cili erdhi në këtë post pas rënies nga detyre e ish këshilltarit të ministrit të Kulturës dhe ish-shefit të Kabinetit të kësaj ministrie. Shehu pretendon se gjendja se është krejt në rregull duke mbyllur një sy për kaosin ku ndodhet Teatri Kombëtar për Fëmijë.


Ai thotë se "afati i fundit për stabilizimin e Qendrës në ambientin që i takon është muaji qershori".


Duket se problemi i vetëm i funksionimit siç duhet i Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, nuk janë vetëm vendimet e befta të qeverisë për hapje dhe mbyllje ambientesh pa kriter, por administrata, me më shumë drejtorë sesa punonjës!


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›