Hyrja në NATO kremtohet me fotografi
Ekspozita u organizua nga Ministria kroate e Mbrojtjes dhe nga Ambasada e Shqipërisë në Zagreb, dhe nën patronazhin e kryeministres kroate, Jadranka Kosor, me rastin e përvjetorit të hyrjes së dy shteteve në NATO. Mirëpo, ajo që këtë ekspozitë e bënë të veçantë është pasioni i përbashkët i Rebersak dhe Islamit për fluturim dhe fotografi.
Rebersak, i cili me fotografi merret tash 40 vjet, është autor i shpërblyer shumëherë deri më tani dhe njeriu që posedon një koleksion impozant prej afro 25,000 fotografive nga ajri, të të gjitha pjesëve të Kroacisë, është fotoreporter i gazetës kroate ‘Novi List’.
Alket Islami, ndërkaq, është autor i librit “Shqipëria nga Ajri” dhe themelues i shkollës së parë shqiptare të fluturimit. Andaj edhe nuk habitë që këta të dy sërish ia mësynë ajrit, njëri me paraglaider e tjetri në kabinat e çfarëdollojshme të aeroplanit, por që të dytë të armatosur me fotoaparate. Qëllimi ishte i përbashkët, të ngrihesh nga toka, e pastaj, të përjetësosh nga lartë të gjitha bukuritë e vendit që i përket.
Rezultati është një seri fotografish që, përveç talentit të padiskutueshëm, zbulojnë edhe shumëçka tjetër. Për shembull, faktin që Shqipëria dhe Kroacia nuk duken aq drastikisht ndryshëm nga ajri. Përkundrazi. Kroacia dhe Shqipëria, dy shtete, sado të ndryshme, janë pjesë e të njëjtit rrëfim, të atij për bukuritë e natyrës që ende po ia dalin t’i mbijetojnë të gjitha sfidave dhe shkatërrimeve, të cilat më së shumti vijnë nga njerëzit.
Plazhet e bukura dhe me rërë të Durrësit, lidhja mistike e Kornateve të Vogla dhe të Mëdha, shtëpitë e Beratit, arkitektura e Lubenica’s, vreshtat e Plesivice’s, shtëpitë shumëngjyrëshe të Tiranës, por edhe shumëçka tjetër që kanë fotografuar Rebersak dhe Islami që nga e mërkura (sot) ekspozohen në Galerinë zagrebase Zvonimir.