E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyrje-daljet në kufi, në dy muaj mbi 1 milion e 700 mijë

Në gusht, kur shënohet edhe piku i hyrjeve daljeve të pushuesve apo emigrantëve që kthehen në Shqipëri, Policia e Shtetit thotë se janë marrë të gjitha masat në pikat e kalimit kufitar. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica, bën të ditur se nga 1 qershori deri më 31 korrik kanë hyrë mbi 1 milion e 700 mijë shtetas shqiptar dhe të huaj, shifër kjo më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.
 

“Në Pikat e Kalimit Kufitar, gjatë periudhës 1 qershor- 31 korrik 2012 kanë hyrë 1.775808 shtetas, nga të cilët 715.808 shtetas shqiptarë dhe 1.060000 shtetas të huaj. Krahasuar me vitin 2011 rezulton se gjatë këtij sezoni kanë hyrë 138.888 shtetas më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Ndërkohë që vetëm gjatë ditëve të para të muajit gusht 2012 kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 333. 579 shtetas.Tërheq vëmendjen fakti se gjatë këtij sezoni turistik vihet re një rritje e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë” tha Plangarica.
 

Ndërsa sezoni turistik për këtë vit duket se ka thithur më shumë turistë të huaj, ku sipas të dhënave zyrtare, turistët maqedona zënë numrin më të madh, më pas shtetasit grekë dhe italianë.
 

"Përpos shtetasve kosovarë, numri i të cilëve është mjaft i madh, deri tani kanë hyrë gjithashtu 114.270 shtetas maqedonas, 47.910 shtetas grekë, 34.878 shtetas Italianë, 31.230 shtetas gjermanë, 28.035 shtetas anglezë, 22.049 shtetas zvicerianë, si dhe mjaft shtetas suedezë, polakë, francezë, belgë, etj. Pjesa më e madhe e këtyre vizitorëve të huaj kanë preferuar turizmin malor në Shqipëri dhe nga ana e strukturave të policisë janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë së tyre"deklaroi ajo.
 

Gjithashtu, si rezultat i shtimit të madh të fluksit të lëvizjes së automjeteve në akset rrugore gjatë këtij sezoni, policia ben të ditur se është bërë përforcimi me forca shtesë të unifromave blu në segmentet rrugore më problematike, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Duhet pasur parasysh që vetëm gjatë fundjavës së kaluar, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë mbi 21.000 automjete.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›