Hyrje-ikjet e PS-së ia kanë dehidratuar politikën E.Ramës
Socialistët e Edit dhe të atyre që lëvizin fijet e marionetës, në kryetarin abuziv të PS-së, u munduan të na mbushin mendjen me propagandën e tyre të pabesueshme se nuk do të vinin këmbë në Parlament, nëse nuk do të hapeshin kutitë e votimeve. Pati „parimorë“ ndër rangjet e tyre që e blasfemuan edhe mbarimin e afatit gjashtëmujor në mars, që do të shkaktonte zëvendësimin e mandateve, me kandidatët vijues në listën emërore socialiste. Me bindje kryeneçe dhe me arsyetime kundërthënëse, propaganda rozë, - së cilës ende nuk i është çngjyrosur e kuqja, - sofistikonte se mandatet e të gozhduarve pas vullnetit të EdRamës, nuk digjeshin édhe pas kalimit të afatit ligjor gjashtëmujor. Disa prej deputetëve të pashpallur, si të pabetuar, që kishin një nuhatje më të mirë të ligjeve, filluan të drithëroheshin. Po kujt ia mbante t’i dilte përballë kryetarit të pakandiduar?
Të gjitha këto përbetime sfiduese u thërrmuan si pluhur i imtë, kur erdhi çasti kritik që do të ndërronte fizionominë e përbërjes socialiste në Parlament, nga ata të kategorisë së parë, në toplistën me firmë të Edvinit, në ata të kategorisë së dytë, në bisht të kësaj liste zgjedhore. ç’është e vërteta, Lëvizja për Mendimin Ndryshe ishte treguar parashikuese, - që të mos përdorim fjalën e rëndë, “profetike” - në këtë epilog diskreditues. Ajo farë propagande për të cilën folëm nuk u ndjé e molisur, - si kurdoherë, - për këtë qëndrim poshtërues, në fakt. Madje, si gjithmonë, foli edhe për këtë veprim, që binte ndesh me ç’ishte thënë më parë, në mënyrë të njëzëshme, (unanimiteti është tipar i totalitarizmit komunist, i trashëguar në mendësí nga pasardhësit e PPSH-së), me tone triumfaliste! Veçse njerëzit e thjeshtë i morën një pjesë të bashkëbisedimit të tij Bashkim Hoxhës dhe, sidomos, e mbushën përplot bashkëbisedimin e Elianës në forumin e bashkëbisedimeve telefonike në Shijak TV, me ironi, me tallje e me fjalë poshtëruese: “Nuk kanë turp, u dhimbsen rrogat milionëshe, kur populli është sërish i varfër, erdhën si pa të keq dhe ikën me bishtin nën shalë” – pa munguar edhe zhargone poshtëruese që vinin në siklet moderatorët e programit.
Duket se ata që bëjnë politikën destruktive në vendin tonë, ata që kanë kapur edhe Edvinin dhe e kanë vendosur në majë të piramidës nostalgjike, që shohin në ëndërr çdo javë Enverin e tyre të dashur, në këtë rast ia vunë gishtin kokës. Jo për respekt të institucioneve demokratike europiane dhe atlantike, se ky “respekt” u sintetizua në një frazë me fjalë sa gishtat e njërës dorë: “Ata le të shohin punën e tyre”. Të gjithë e dinë se këtë frazë e ka thënë pa pikë galeje Gramuz Ruçi. Dhe asnjëri nga krerët e PS-së nuk e ka përgënjeshtruar. Pra, në këtë rast ata u friguan se mos faktori ndërkombëtar hiqte dorë nga ajo delikatesë që e ka karakterizuar me opozitat e vendeve të ndryshme, në përgjithësi, dhe ua vinte kufijtë te thana këtyre tanëve! Ndonëse këto institucione ndërkombëtare, në të cilat hyjnë edhe të majtët (por jo si të majtët tanë nostalgjikë të diktaturës dhe të diktatorit), dhanë sugjerime të vlefshme, me shprehje të fisme, por kurdoherë aluzionet binin kundër ngërçit majtist, kundër bojkotit Parlamentar dhe kundër politikës së rrugëve, pavarësisht nga fjalët e toneve të ulura që të zbutej gjendja e acaruar gjer në “krizë”, ata u treguan diplomatë duke folur për ngërçin, se ky duhej zgjidhur brenda përbrenda. Këtë finesë e shpërdoruan propagandistët e së keqes, duke arritur gjer aty sa t’i bëjnë ndërkombëtarët “dëshmitarë” të aspiratave të tyre të “drejta”! S’e kanë për gjë t’ua shndërrojnë fjalët, sipas oreksit. . .
Por njerëzit e vëmendshëm e kuptojnë falsitetin. Se në panelet e orëve të fundit, këta respektues sa për sy e faqe, nuk ndruheshin që kryetarin e AP-së së KE-së ta quanin “ai turku!”. Edhe kur flasin për çështje me rëndësi të përbashkët, E.Rama, në emër të PS-së e quan shefin e PD-së, Saliu; ndërsa kryeministri e ruan etikën ndaj antagonistit të tij, të cilin e quan z. Rama. Këtë të fundit e ka egërsuar politika e rrugës, me fjalët e dhunës të S. Ngjelës, se “do ta rrëzojnë Berishën brenda tri ditëve!”. Pra, këta që duan ta marrin pushtetin me dhunë, nuk respektojnë veçse vetveten. Faktorin ndërkombëtar, jo se jo. Por edhe si opozitarë nuk e kanë haberin se, sikundër ndodh në vendet demokratike, e kanë për detyrë jo vetëm të bëjnë oponencë me qeverisjen e vendit, por edhe të bashkëpunojnë me të për çështje me interes të përbashkët, siç janë liberalizimi i vizave, aderimi në BE, etj. Me mendjen që e kanë te përvetësimi i pushtetit (Ngjela ka këtë refren) dhe interesat e Shqipërisë janë dytësore, nuk pritet që të kemi ndonjëherë opozitë konstruktive.
Opozita jorespektuese, si e tillë, nuk po respektohet as brenda radhëve të saj. Një nga kundërshtarët më të prerë të Ramës, Kastriot Islami, është shprehur në të përditshme të 25 shkurtit, se “zërat që do të kërkojnë dorëheqjen e tij nga kreu i PS-së do të shtohen pas kthimit të tij në Parlament, meqë politka e bojkotit për hapjen e kutive të votimit ka dështuar”. Dikush ka bërë një metaforë se mola është shumë e vockël, por e bren dhe e shkërmoq drurin, sado i fortë qoftë ky. Islami vëren se “vendi nuk duhet të shkonte në krizë politike për shkak të Ramës”. Kjo jo i jep krizës politike kuptimin e vërtetë: ngërç. Madje ngërç qëllimkeq, i “fabrikuar” vetëm e vetëm që të shkelmohet paudhësisht neni 28 i statusit të PS-së, sipas të cilit Rama duhej të jepte dorëheqjen si kryetar i PS-së. “Strategjia e bojkotit është konsideruar si një shpikje e Ramës, një alibi për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve” – ka thënë më tej K. Islami. Blushi e quan “qesharake” hyrjen në Parlament, sa për të mos djegur mandatet. “Mua më vjen keq që këto muaj u harxhuan kot; por besoj se, në rast se do të hyjmë e do të dalim, kjo do të vazhdojë ta vërë PS-në në pozitë të vështirë me elektoratin e vet dhe me komunitetin që ka paralajmëruar që hyrja dhe dalja nga Parlamenti, është lojë kalamajsh”, - thotë Blushi. Kurse lakenjtë pa tru i interpretojnë të huajt si përkrahës të këtyre farë arlekinizmave!
“Ne do të jemi në Parlament, por jo për të ndenjur pa hapur kutitë”, - thotë, më së fundi, Rama, pasi u larguan ndërmjetësit perëndimorë. Ky ishte preludi i daljes së menjëhershme nga Parlamenti, sa për të mos mbetur fare jashtë Parlamentit. A mos hynë, vallë, për të bërë detyrën Parlamentare? Aspak. Dr. Berisha ua ka përsëritur me dhjetëra e dhjetëra herë se hapja e kutive ishte objektivisht e pamundur. Anëtarët e LMN-së dhe përkrahësit e tyre e kanë shprehur edhe ata se ky mëtim binte ndesh me ligjet dhe me një vendim të KL-së së zgjedhjeve. Pra, askujt nuk i shkon as ndër mend, as në fiqir, se Parlamenti, për t’i përshëndetur mysafirët e vonuar, do të vendoste ashtu, tëk-fëk, për hapjen e kutive! Përveç faktit se nuk ishte në kompetencë të tij. Po atëherë, përse hynë, si kofini pas të vjeli? Për të vënë firmat në borderò?
Apo janë mësuar me gër-vër-et e rrugëve, ku i çojnë njerëzit me hir e me pahir, me joshje e me pare në pëllëmbë të dorës, përpara syve të gjithë dynjasë. Dhe flasin kundër korrupsionit! Në rastin që përmendëm, ky, korrupsioni, na paraqitet sikur të ishte një eliksir për jetëgjatësi, jo një zvetënim i urrejtshëm. Hipokrizia nostalgjike është e gjithmbarshme! Në mitingje bashkiakësh dhe fanatikësh, flasin edhe për popullin opozitar! Madame Roland de La Platierë ka dhënë një britmë, që ka mbetur si aforizëm: “O popull, sa krime bëhen në emrin tënd!”. Enveri e dinte mirë këtë, kur urdhëronte për Llazar Fundon: “Të torturohet, pastaj të ekzekutohet!”. Kur mori vesh këtë, Fan Noli, përtej oqeanit, klithi nga tmerri. Dhe refuzoi të vinte në atdhe, kur iu ofrua kandidatura e deputetit nga hipokritët komunistë!
Për dijeni të lexuesit, meqë është bërë e zakonshme shprehja “popull i majtë”, na duhet të vërejmë se kjo shprehje është një idiocí. Populli është një bashkësi amorfe, nuk ka ngjyrime të përcaktuara politike. Nuk ka, pra, popull të majtë apo të djathtë. Ka ithtarë të së majtës. Ose, aq më keq, nostalgjikë fanatikë të së majtës.
Tani (ora 16 30’ ) më del Valentina Leskaj në ekran. Flet për seriozitetin e PS-së dhe për luajalitetin ndaj faktorit ndërkombëtar. Intervistuesja nuk ia vuri në dukje fjalët e G. Ruçit për ndërkombëtarët. Pastaj fjala erdhi te futja në Parlament. Sikur do të gjendej “mirëkuptimi” aty për aty, për hapjen e kutive! Siç duket do të justifikonte daljen nga Parlamenti. Mbylla televizorin.