E Diel, 1 Nëntor 2026

“Viti i Shopenit” në Tiranë, sot fillojnë festimet

TIRANE-Kremtimet e Vitit të Shopenit 2010 në Shqipëri hapen në datën 28 shkurt, me një aktivitet kulturor-artistik të organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “F. Shopen”, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Në sheshin prapa Akademisë së Arteve, në rrugën “Lek Dukagjini”, ku ndodhet busti i Shopenit, të dielën, datë 28 shkurt, ora 11:00, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit “Shopen” dhe do të jepet një koncert në natyrë me muzikë të pianistit të famshëm polak. Pjesët që do të luhen nga pianistë të rinj, janë Polonaise – ouvre posthume sol, Mazurca-re, Valcs-op, posthum-mil, Polonaise-re, Studio Revolution dhe Grande Polonaise. Në kuadrin e përkujtimit të Shopenit, gjatë muajve mars dhe prill janë parashikuar disa aktivitete të tjera. Kështu, në mesditën e datës 1 mars, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të jepet një koncert i shkurtër. Në mbrëmjen e 3 marsit, pianisti polak Marek Szlezer do të japë një koncert për piano në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ndërsa në mbrëmjen e datës 4 prill, pianisti francez Pascal Gallet do të japë një koncert në Akademinë e Arteve. Nga 23 -26 prill në Akademinë e Arteve në Tiranë zhvillohet konkursi kombëtar “F. Shopen” i pianistëve të rinj, i cili parashikon edhe një koncert të laureatëve të tij në sallën “Josef” në Durrës, në mbrëmjen e datës 26 prill si dhe koncertin final të tyre në datën 27 prill, në Akademinë e Arteve, ku do të ndahen edhe çmimet përkatëse të konkursit. Viti i Shopenit organizohet për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes së këtij kompozitori dhe pianisti virtuoz polak (1810-1849).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›