Hysa: Dialogu, shans për të gjithë
Koordinatori i emëruar nga Qeveria e Kosovës për veriun, Ylber Hysa gjatë një debati të organizuar në Beograd, ka thënë se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit është shans për të gjithë, por që Beogradi duhet të pranojë realitetin në Kosovë.
Ylber Hysa të hënën ka marrë pjesë në debatin e organizuar nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i ekipit serb për negociata midis Prishtinës dhe Beogradit, Borisllav Stefanoviq. Temë diskutimi i tryezës ishte dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Hysës, të dy palët duhet t’i qasen dialogut si fqinjë të mirë, në frymën e integrimeve euro-atlantike.
Hysa ka thënë për mediat në Beograd se Beogradi nuk mund të ndikojë në ndryshimin e realitetin në Kosovë dhe se serbëve të këtushëm nuk mund t’u ndihmojë duke i monopolizuar, por duke iu ndihmuar në integrim të shoqërisë kosovare.
“Nuk është mençuri me patur qasje asimetrike në problemin e veriut të Kosovës, sepse mund të vijë deri te një precedent, ndërsa Mitrovica nuk është qyteti i vetëm i ndarë me urë dhe lum në Ballkan”, ka thënë Hysa.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur disa probleme politike pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, por Prishtina do të ketë qasje serioze gjatë dialogut me Beogradin.
“Të dy palët patjetër duhet të jenë serioze, ndërsa edhe Brukseli është ndërmjet tyre”, ka thënë Hysa.
Ndërsa përfaqësuesit serbë, pohuan se në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, patjetër se duhet trajtuar edhe çështja e veriut të Kosovës.
Ky është debati i parë i mbajtur u këtij lloji, ndërsa njoftohet se Hysa është zyrtari i parë i Kosovës që ka udhëtuar me pasaportë të Republikës së Kosovës për në Serbi.