E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak komisione parlamentare

Parlamenti i ri i Kosovës synon që këtë mandat të krijojë më pak komisione parlamentare. Kryesia e Kuvendit synon që numri i komisioneve të zvogëlohet nga 16 në 12. Ata vlerësojnë se kjo ngre efikasitetin e punës së tyre. Nga Express më 28 shkurt 2011 në ora 17:41

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës dhe shkurtimit të shpenzimeve, Kryesia e Kuvendit ka vendosur të hënën në mënyrë unanime që të zvogëlojë numrin e komisioneve parlamentare nga 16 sa kanë qenë deri tani, në gjithsej 12 komisione.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se në të ardhmen mund të shihet edhe ndonjë racionalizim tjetër, që nënkupton zvogëlim edhe më të madh të numrit të komisioneve.

“Në mandatin e kaluar dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit, kemi 16 komisione, megjithatë ne kemi ardhur në përfundim që Kuvendi ynë ka shumë komisione, nuk ka Kuvend as në rajon as në Evropë që ka kaq shumë numër të komisioneve. Ramë dakord që ky numër i komisioneve nga 16 të zbresë në 12. Ndoshta në të ardhmen do të kemi një racionalizim tjetër, por tash për tash me konsensus, gjithë anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare ishin dakord që ky numër të zvogëlohet, për të qenë puna më efikase e komisioneve në këtë mandat”, ka thënë Krasniqi.

Zvogëlimi i numrit të komisioneve, automatikisht nënkupton rritjen e numrit të anëtarëve brenda një komisioni dhe kjo sipas nënkryetarit të Kuvendit nga LDK-ja, Sabri Hamiti, do të bëjë që të ketë një punë më efikase të deputetëve.

Për të zvogëluar numrin e komisioneve, nevojitet mbështetje nga dy të tretat e deputetëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›