E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: 20 njohje të reja për Kosovën, pas verdiktit të GJND

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni i pranishëm në komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, ka diskutuar për nivelin e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, për aktivitetet e MPJ së në planin e njohjeve të reja për Kosovën dhe për vështirësisë me të cilat ballafaqohet koji ministri. Ministri Hyseni ka theksuar se politika e jashtme e Kosovës, gjatë vitit të kaluar, krahas përpjekjeve për shtimin e njohjeve për Kosovën, ishte përqendruar në argumentimin e ligjshmërisë

së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e vlerësuar të suksesshëm këtë veprimtari, e mbështetur fuqimisht nga miqtë e dëshmuar të Kosovës. Ai është shprehur i bindur se pas bërjes publike të qëndrimit të GJND së (në qershor të këtij viti) do të fillojë një tempo e përshpejtuar e njohjeve të reja për Kosovën, duke theksuar se tashmë ka marrë premtimin për së paku njëzet njohje të reja. Hyseni e ka quajtur të rëndësishëm numrin e njohjeve për Kosovën edhe për hir të anëtarësimit të vendit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Ai ka pohuar se institucionet e Kosovës janë në dijeni të një varg veprimesh të regjimit të Serbisë për ta penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Prandaj duhet të punojmë shumë seriozisht, të mbështetur edhe nga miqtë tanë, që t'i pamundësojmë këto veprime të Serbisë e të sponsorizuesëve të saj. Gjithsesi, suksesi diplomatik i Kosovës varet shumë edhe nga zhvillimet pozitive në vend, ka thënë Hyseni, i cili është zotuar se MPJ ja do ti plotësojë dhe funksionalizojë misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës në vende të ndryshme të botës. Ai ka theksuar se si ministër ka agjendë të ngjeshur të takimeve dhe aktiviteteve, të cilat, për efikasitet të punës, shpeshherë nuk bëhen publike. Në këtë mes, çështja e liberalizimit të vizave është temë e pakapërcyeshme në të gjitha takimet me përfaqësues të BE dhe të vendeve anëtare të saj, është shprehur ai. Anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar paraqitjen e ministrit Hyseni në takim, si dhe punën e deritashme të tij dhe të ministrisë, të cilën e drejton, por kanë pasur edhe një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh për punë më të suksesshme. Anëtarët e Komisionit, madje edhe nga radhët e pozitës, kanë pasur vërejtje për deklarimet e pjesëtarëve të institucioneve të Kosovës, lidhur me politikat e jashtme të vendit, mosshfrytëzimin e diplomacisë parlamentare për lobim (për njohjet), mofunksionalizimin e duhur të misioneve tona diplomatike dhe konsullore, si dhe raportimin e mangët i tyre për punën që bëjnë etj. Ministri Hyseni i ka garantuar anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme se Kosova shihet me sy të mirë për qëndrueshmërinë e saj dhe rolin që ka manifestuar për paqen dhe sigurinë në rajon. Ministri është shprehur i prerë se, në asnjë çast, nuk do të ketë bisedime për çështjen e statusit të Kosovës, qëndrim ky që, siç është shprehur ministri, është ngritur në nivel nacional.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›