Hyseni: Bisedimet me Serbinë do të jenë politike
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, pret që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të kenë dy efekte kryesore: Relaksimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimin në heshtje nga Serbia të situatës se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Hyseni ka thënë se është i sigurt që Serbia do të duhej të vendoste për perspektivën europiane, dhe këtë do të duhej ta bënte nëpërmjet heqjes dorë nga pengesat që po i bën Kosovës. Ministri kosovar ka thënë se nga dita kur do të publikohet opinioni i GJND-së do të fillojë një periudhë e re e njohjeve, një periudhë e re për integrimet europiane edhe të Kosovës, edhe të Serbisë, por edhe periudha nga kur Serbia deri në fund të vitit do të duhet të vendosë që të heqë dorë nga pengesat që i shkakton Kosovës.
Hyseni ka pranuar se edhe këto bisedime do të ndërmjetësohen nga BE-ja dhe SHBA-ja, ndërkohë që procesi krahas zgjidhjes së problemeve teknike do t`u mundësojë të dyja vendeve edhe për afrim nga BE-ja. “Kujdesem që si ministër i Kosovës të mos kem pretendime të tepruara. I takon BE-së që të vendosë a do t`i japë Serbisë statusin e kandidatit të BE-së pa u qartësuar për Kosovën. Mirëpo unë pajtohem me mikun tim, ministrin francez Kouchner, i cili ka thënë se Serbia duhet të qartësohet për Kosovën para se të hyjë thellë në proceset integruese. Kosovën nuk duhet ta shqetësojë suksesi i Serbisë drejt BE-së, do të thosha e kundërta duhet të na shqetësojë, shtangimi i Serbisë në këtë proces. Kjo do të thotë se Serbia do të mbetej në fanatizëm në qëndrimin e saj obstruktiv ndaj Kosovës”, ka thënë Hyseni.
I pyetur se kur pritet të publikohet opinioni i GJND-së, ministri Hyseni ka thënë se si përfaqësues legal i Kosovës pranë kësaj gjykate nuk ka asnjë njoftim zyrtar se kur do të ndodhë kjo.
Por ai ka shfaqur bindjen se do të ketë interpretime të opinionit të GJND-së, jo vetëm nga institucionet e Kosovës, por edhe nga shtetet e fuqishme që e kanë mbështetur pavarësinë e saj. Gjithashtu ministri Hyseni nuk shqetësohet nga mundësia që për mendimin e GJND-së të deklarohet dhe rasti të rikthehet në Asamblenë e Përgjithshme të KB. “Një mundësi është që Asambleja të konstatojë se ‘e ka marrë në dijeni mendimin e gjykatës’.
Ministri po ashtu ka thënë se GJND-ja nuk sjell njohje automatikisht. Natyrisht, periudha menjëherë pas mendimit është e rëndësishme për shumëçka, por edhe në rrafshin e njohjeve...”.
I pyetur nga “Koha Ditore” se për çfarë duhet të bisedohet me Serbinë, ai ka sqaruar se me Serbinë ka për shumëçka të bisedohet dhe unë kam përshtypjen se do të bisedohet në shtigje afatgjata. Gjithmonë mes dy vendeve fqinje ka çështje për të cilat duhet të gjenden zgjidhje përkatëse. Midis vendeve fqinje gjithmonë do të krijohen situata të cilat kërkojnë bisedime dhe arritje të pajtimit. çështje të tilla janë të shumta, unë i quaj praktike, jo teknike. Praktike është më kuptimplote. Tekefundit, asgjë me Serbinë nuk do të jetë teknike. çdo bisedë me Serbinë ka një dimension politik, dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Por kjo nuk duhet të na pengojë që të ulemi në tavolinë dhe të bisedojmë për çështje praktike. çështje praktike ta zëmë është rrjeti energjetik. Kosova synon të bëhet pjesë integrale e një rrjeti unik energjetik të Ballkanit, pastaj është çështje e tregtisë. Ju e dini që Kosova nuk mund të eksportojë në Serbi... Për të gjitha këto duhen bisedime. Ka konsensus ndërkombëtar që këto biseda duhet të jenë për çështje praktike. Por, ai nuk ka mundur të saktësojë se kur do të nisin këto bisedime. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka shfaqur bindjen se Serbia “do të detyrohet të vendosë nëse dëshiron të ndjekë rrugën europiane, apo nëse dëshiron që të mbetet peng i disa ambicieve iluzore për kthimin e Kosovës nën sovranitetin e vet. Kjo do të shihet pas GJND-së. Efekt anësor i këtyre bisedimeve do të jetë rruga drejt BE-së e Kosovës dhe e Serbisë, por nuk është synim parësor”.