Centrali nuklear, në dorë të Presidentit Topi
Centrali nuklear për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë kompetencë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, nisur nga specifika dhe siguria kombëtare. Këtë propozim e shtruan dje anëtarët e opozitës në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Prej më shumë se dy vjetësh, Kryeministri ka hedhur idenë e ndërtimit të centralit atomik, si mjet i nevojshëm për të garantuar energji të qëndrueshme. Për këtë nismë, pala shqiptare ka nënshkruar disa marrëveshje me institucionet kompetente ndërkombëtare, sa i takon sigurisë dhe legjislacionit, në mënyrë që kur të kërkohet zyrtarisht leja për ndërtim, të jenë të kopsitura të gjitha dokumentet që mundësojnë projektin. I tillë ishte projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike “Për zbatimin e garancive në të gjitha veprimtaritë bërthamore të Shqipërisë”, i diskutuar dje në komision, ku opozita dhe mazhoranca kanë diskutuar rreth projektit të qeverisë, ku i ftuar ishte edhe kreu i agjencisë shqiptare për energjinë bërthamore, Milo Kuneshka. Lidhur me propozimin e PS-së, për kompetencat e Presidentit, kryetari i komisionit, Jemin Gjana, tha në parim se duhet shqyrtuar aspekti juridik. “Funksionet dhe kompetencat e Presidentit të Republikës, janë sanksionuar në Kushtetutë, e për rrjedhojë duhet shqyrtuar nëse mund të lejohet futja e kësaj kompetence të re”, tha Gjana. Agjencia e Energjisë Bërthamore, është një strukturë në varësi të Kryeministrit, por që i bashkërendon punët me Ministrinë e Ekonomisë, e cila mbulon energjetikën.
Projekti për ndërtimin e centralit atomik për prodhim energjie po shqyrtohet edhe nga vendet fqinje të Shqipërisë, duke parë mundësinë e bashkëpunimit, për shkak të kapaciteteve teknike dhe ekonomike. Në vend të parë të partneritetit janë italianët, të cilët kanë shprehur dëshirën e ndërtimit të centralit në Shqipëri.
#