E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Kosova është përfaqësuar si shtet

Prishtinë-Ministri i Punëve te Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, pas kthimit nga Nju Jorku dhe takimi jo formal i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Çeki, tha se ka prezantuar pikëpamjet e Kosovës dhe synimet e saj. Në takimin e ministrave të BE-së, Kosova është përfaqësuar si shtet, përderisa shefi i UNMIK-ut ka qenë në cilësinë e vëzhguesit.

"Vendit tonë i janë hapur rrugë për të qenë pjesë e procesit të stabilizim asocimit në mënyrë që më pas të jetë pjesë e BE-së", tha Hyseni. Ai theksoi se gjatë takimeve me ministra të jashtëm të vendeve të ndryshme, ka ofruar fakte për qëndrueshmërinë në Kosovë pas pavarësisë. Me këtë rast Hyseni tha se Kosova do të jetë në pritje që të hyjë në listën e shteteve që do të kenë lehtësi në marrjen e vizave.

Po ashtu ai paralajmëroi se shumë shpejt Bosnja dhe Hercegovina do t'i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës. Në takimin e së shtunës të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE në rolin e vëzhguesit ka qenë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, tha Hyseni dhe se delegacioni i Kosovës ka qenë i ndarë nga ai i UNMIK-ut.

"Delegacioni i Kosovës ka qenë totalisht i pavarur, akreditimi dhe ftesa iu ka dërguar ministrit të Jashtëm të Kosovës. Akreditimi është bërë ekskluzivisht si delegacion i Kosovës", theksoi Hyseni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›