Feith: EULEX-I do nisë veprimin

Përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith, paralajmëron se EULEX-i do të nisë veprimin dhe baza e tij është Kosova unike. "EULEX-i do të deklarojë aftësinë fillestare operative më 2 dhjetor, do të mbajë ceremoninë më 5 dhjetor dhe do të nisë veprimtarinë më 9 dhjetor", citohet të ketë thënë Feith. Ai ka shtuar se misioni do të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës, por kjo do të ndodhë gradualisht. Sipas Feith, ky mision ka rëndësi shumë të madhe për Kosovën, meqë ai do të ndihmojë në vendosjen e shoqërisë multietnike, sistemit gjyqësor multietnik, në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe do të ndihmojë në afrimin e Kosovës me BE-në. "Baza e këtij misioni është Kosova unike", ka thënë ai. Feith fliste në cilësinë e zyrtarit të BE-së, dhe jo në cilësinë e përfaqësuesit civil ndërkombëtar, postit tjetër që e mban në Kosovë. Sipas tij, baza për vendosjen e EULEX-it është ekskluzivisht, plani për veprim të përbashkët, i miratuar nga ministrat e BE-së një javë para shpalljes së pavarësisë, në shkurt të këtij viti. Feith ka thënë se vendosja e EULEX-it në veri ofron mundësi për ndryshime pozitive dhe ka dhënë mesazhin se nuk do të shihen ndarje.