Hyseni: Paraqitja e Gjermanisë, impresive
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, e vlerësoi të jashtëzakonshme dhe impresive paraqitjen e djeshme të Gjermanisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. "Ishte një qëndrim dhe prezantim absolutisht impresiv, plot argumente. Natyrisht paraqitja kishte dhe një dimension të fuqizimit politik të deklaratës së pavarësisë së Kosovës", deklaroi Hyseni për "Deutsche Welle", duke shtuar se pala kosovare pret edhe mbështetje të tjera të fuqishme të shteteve më të zhvilluara perëndimore. Gjermania mbështeti para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pavarësinë e Kosovës si zgjidhjen e vetme dhe më të mirë të mbetur pas dështimit të negociatave mes autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës. Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme në Berlin, Susanne Wasum Rainer, theksoi se pavarësia e Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Qeveria në Berlin është e bindur se pavarësia e Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Ndërkohë që deklarata e pavarësisë nuk paraqet vetëm akt juridik, por edhe vullnet politik të popullit kosovar.