E Diel, 1 Nëntor 2026

Minarolli: Protesta e PS-së në Athinë ishte sajesë

Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli, deklaroi dje se protesta e opozitës në Athinë ishte një sajesë e tre deputetëve të Partisë Socialiste. Sipas tij, ata kishin organizuar një "shfaqje të turpshme" të disa dhjetëra emigrantëve vetëm e vetëm që të mashtronin publikun në Shqipëri. "Pjesëmarrësit ishin edhe socialistë, por shumica klientë të një klubi në "Omonia" që i kishin marrë me dy autobusë, pasi i kishin qerasur në klub. PS-ja e Athinës, partnere e PASOK-ut, ishte distancuar nga ky inskenim dhe për këtë i kishin drejtuar edhe një deklaratë me shkrim departamentit të marrëdhënieve me jashtë të PASOK-ut, me të cilin mbajnë kontakte të vazhdueshme", thotë Minarolli. Po ashtu, vijoi ai, më thanë se edhe nga ana e tyre partnerët partiakë kërkuan sqarime tek PS-ja e Athinës, se përse në media ishte përmendur që "protesta" ishte bërë në bashkëpunim me strukturat e PASOK-ut. "Kam marrë disa telefonata nga drejtues të PS-së në qytete të ndryshme të Greqisë, ku më thoshin se distancoheshin nga këto "protesta" që nuk i shërbejnë as vendit dhe as atyre si emigrantë. Me shkrim në ambasadë u paraqit nga një grup emigrantësh, ndërmjet tyre edhe socialistë, një peticion i firmosur nga më shumë se dyfishi i atyre që ishin në atë "shfaqje", ku i bëjnë thirrje PS-së të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit etj., të cilin do e dërgoj të plotë", thotë Minarolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›