E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Rezoluta e re është e domosdoshme

Prishtinë, 10 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thyer të hënën rekordin për kohëzgjatjen e fjalimit të një ministri, në mbledhjet e kabinetit të Qeverisë së Hashim Thaçit. Shefi i diplomacisë kosovare, i motivuar nga opinioni i GJND-së, dhe nga takimet që ka pasur në New York, ka shfrytëzuar mbledhjen e Qeverisë që t`i njoftojë kryeministrin dhe kolegët e tij për sukseset e Kosovës “në rrafshin diplomatik”, por edhe t`i kundërshtojë kritikuesit e kërkesës së tij të bërë në Këshill të Sigurimit që të nxirret një rezolutë e re që do ta zëvendësonte 1244-shin.
Sipas Hysenit, vetëm një rezolutë e re që do të zëvendësonte 1244-shin do të mundësonte shuarjen e misionit të UNMIK-ut, ndërkaq që vetë anëtarësimi i Kosovës në OKB kërkon rezolutë të re.
Shefi i diplomacisë kosovare pastaj ka dalë në “mbrojtje” të qëndrueshmërisë së Rezolutës 1244 derisa ajo të mos zëvendësohet.
“Kërkesa për zëvendësim të Rezolutës 1244 diktohet nga vetë natyra dhe përmbajtja e rezolutës. Teksti i rezolutës nuk përmban asnjë dispozitë për sa i përket përfundimit të saj. Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë vendim për shfuqizim. Realiteti faktik flet për vazhdimin e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë, paraqitjen e raporteve të rregullta periodike në Këshillin e Sigurimit nga sekretari i përgjithshëm, ashtu siç kërkohet nga paragrafi i 20-të i Rezolutës 1244, dhe mbledhjet po ashtu të rregullta periodike të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar këto raporte”, ka thënë Hyseni duke shtuar se pikërisht këto arsye e kanë shtyrë që të kërkojë edhe zyrtarisht nga Këshilli i Sigurimit zëvendësimin e 1244-shit.
Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme dhe publicisti, Veton Surroi, ditë më parë e ka quajtur gabim strategjik kërkesën e Prishtinës zyrtare për një rezolutë të re për Kosovën. Sipas tij, mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konsumuar Rezolutën 1244 dhe Kosova nuk duhet të ketë më punë me Këshillin e Sigurimit. “Statusi i Kosovës është përcaktuar. është përcaktuar në bazë të Rezolutës 1244. Mendimin për këtë e ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe kjo çështje është e konsumuar”, ka thënë Surroi.
Hyseni i prekur nga këto deklarata të ish-anëtarit të ish-Ekipit të Unitetit, nuk ka hezituar që t`i klasifikojë interpretimet se GJND-ja e ka shfuqizuar Rezolutën 1244, si “diletante”.
“Këto ditë keni dëgjuar zëra se Mendimi i GJND-së me automatizëm e ka shfuqizuar Rezolutën 1244. Ky është interpretim diletant. I tejthjeshtësuar, i cili në të vërtetë e dëmton kërkesën e Republikës së Kosovës për shfuqizim të 1244-shit. Le të më thotë dikush nëse UNMIK-u e ka përfunduar misionin në Kosovë? Rezoluta 1244 do të shfuqizohet vetëm atëherë kur Këshilli i Sigurimit do të konstatojë me një rezolutë të re se misioni i UNMIK-ut përmbyllet me këtë datë”, ka thënë Hyseni.
Sipas tij, Rezoluta 1244 u jep mandat pranive civile ndërkombëtare, deri atëherë kur KS i OKB-së vendos ndryshe. “Andaj kërkesa për një rezolutë të re është e arsyeshme”, ka thënë Hyseni.
Duke konstatuar se nëse debati ka vepruar drejt apo jo kur ka kërkuar që të zëvendësojë rezolutën 1244, nuk ka vlera, Hyseni ka thënë se debati, veç tjerash “është zhvendosur në një kontekst të afatit kohor të zëvendësimit të rezolutës, duke e cilësuar këtë si një veprim që vështirë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt ose madje edhe si një mision të pamundur”.
“Në varësi të rrethanave, disa kërkesa mund të marrin më shumë kohë që të materializohen, disa të tjera më pak. Kjo në asnjë mënyrë, sidoqoftë, nuk mund të thuhet se e zbeh meritën dhe vlefshmërinë e kërkesës; aq më pak qëllimin dhe vizionin e saj. 17 shkurti i vitit 2008 dhe 22 korriku i vitit 2010 janë dëshmitë më të mira”, ka thënë Hyseni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›