E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Vendosja e marrëdhënieve Prishtinë-Shkup, rëndësi të shumëfishtë

Kryediplomati kosovar Skënder Hyseni ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes zyrtare për vendosjen e marëdhënieve diplomatike ndëmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Pyetjes se sa ka ndikuar marrëveshja për demarkacionin e kufirit në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Prishtinë-Shkup, Hyseni iu përgjigj, "Nënshkrimi u bë pas qartësimit të disa çështjeve teknike dhe kjo do të thotë që shumë shpejt nga ana jonë do të dekretojmë themelimin e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shkup dhe në vijim të saj do të procedojmë sipas dispozitave ligjore për zgjedhjen dhe akreditimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shkup". Sipas tij "çdo ditë e më shumë po vërtetohet se pavarësia e Kosovës ka krijuar një sens të ri të sigurisë dhe të stabilitetit në rajon, ka sjellë një frymë të re të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe kjo po jep rezultatet e veta. Prandaj, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona ka rëndësi të shumëfishtë". "Shumë shpejt do të shkëmbehen edhe vizitat e para zyrtare në nivel ministrash të jashtëm mes dy vendeve. Prishtina dhe Shkupi kanë vendosur marrëdhënie diplomatike një vit pasi Maqedonia njohu Kosovën e pavaruar", citohet të ketë thënë Hyseni.
Ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshovski dhe ai kosovar, Skënder Hyseni nëshkruan marrëveshjen zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh, marrëveshje e cila pasoi ratifikimin e një marrëveshje të rëndësishme për demarkacionin e vijës kufitare mes dy vendeve, dhe që i ka mbajtuar paksa të distancuara marrëdhëniet dypalëshe. Ministri i Jashtem i Serbise, Vuk Jeremiç deklaroi se vendimi i qeverisë së Maqedonisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, do t'i rrezikojë raportet Beograd - Shkup. "Konsiderojme se ky vendim është për të ardhur keq", tha Jeremiç për gazetarët në Beograd. Shefi i diplomacise serbe theksoi se vendimi i Shkupit do të ketë pasoja. Ndërkaq marëveshja është përshëndetur ngrohtësisht nga Shtetet e Bashkuara , të cilat përgëzuan dy vendet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe përcaktimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›