E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bin Ladeni, adhurues i natyrës

Osama Bin Ladeni ka qenë një baba i ashpër, i cili fëmijëve të tij ua ka ndaluar lodrat dhe mjetet e tjera moderne në shtëpi, por gjithashtu ka qenë një adhurues i madh i natyrës, një njëri që flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe i cili adhuron automjetet e shpejta, kanë theksuar bashkëshortja dhe djali i tij.

Në librin që do të publikohet në fund të këtij muaji, bashkëshortja e parë e shefit të Al Qaidës, Najva dhe djali i tij i katërt, Omari, ofrojnë detaje të rralla për jetën personale të Bin Ladenit, deri në momentin e ndërmarrjes së sulmeve të 11 Shtatorit 2001, ideatori i të cilave besohet se është ai.

Ata rrëfejnë për transformimin e Bin Ladenit në fytyrë globale të ekstremizmit islamik, një rol ky i cili ndikoi që familja të bartet nga Arabia Saudite në Pakistan, Sudan dhe Afganistan, e në një moment edhe në SHBA, siç rrëfen Najva.

Pak kohë pas Revolucionit islamik në Iran, në vitin 1979, Bin Ladeni dhe bashkëshortja e tij, me të cilën është martuar në moshën 17 vjeçare, kanë vizituar edhe Indianapolisin dhe Los Anxhelosin, me qëllim që ai të takohej me mentorin e tij, klerikun palestinez, Abdullah Azzam.

Qëndruam në SHBA dy javë, me çrast Bin Ladeni një javë ka qëndruar në Los Anxhelos, për tu takuar në këtë qytet me disa njerëz, i ka thonë Najva bashkautorit të librit, Jean Sassonit, për të deklaruar më pas se ai në Los Anxhelos është takuar me Azzamin.

Pak kohë më vonë, Bin Ladeni filloi të udhëtojë për në Pakistan dhe Afganistan, për të luftuar kundër okupimit sovjetik. Pas kthimit, ai djemve të tij iu ka rrëfyer tregime për betejat në shpellat dhe malet e Afganistanit, të cilat sulmoheshin nga sovjetikët.

Në fund ai u kthye në Arabinë Saudite si hero, por filloi të dëshmohet më i ashpër me fëmijët e tij, duke i dënuar ata për gjëra banale.

Në ndërkohë, Najva u detyrua të jetojë me bashkëshortet e tjera të Bin Ladenit, në shtëpi pa kushte elementare për jetë, të cilat i kishte zgjedhur në Arabinë Saudite dhe në Sudan.

Babai nuk i lejonte nënës sime që të lëshonte kondicionerin e ajrit, të cilin kontraktuesi e kishte vendosur në ndërtesë, e nuk e lejonte as të shfrytëzonte frigoriferin, i cili gjendej në kuzhinë, zbuloi Omari.

Përkundër averzionit të tij ndaj mjeteve moderne, ai nuk e fshehte dashurinë e tij për automjetet e shpejta, e njëherë ai madje kishte blerë edhe një anije të shpejtë.

Asgjë nuk i shkaktonte atij kënaqësi më të madhe, sesa një vozitje me automjet në shkretëtirë. Ai më pas ndalte automjetin dhe bënte shëtitje të gjata, theksoi Najva.

Pasi që u detyrua të shkojë në ekzil në Sudan, për shkak të kundërshtimit publik nga ana e tij të pranisë së forcave amerikane në Arabinë Saudite, Bin Ladeni krenohej me mbjelljen e lulediellit, përderisa përgatiste komplotet për vrasje, gjatë periudhës kur e formoi Al Qaidën.

Hobi më i preferuar i tij ka qenë punimi i tokës, theksoi Najva. Por dashuria e tij për natyrën filloi të mbetet nën hijen e angazhimit tij politik.

Ai detyroi anëtarët e familjes që të kalojnë netët në shkretëtirë, ndërsa djemtë i detyroi që të ngjiten në male, pa ujë, për ti kalitur ata për kohëra më të vështira.

Por kishte edhe momente më pozitive me Bin Ladenin, të cilin djemtë e tij e adhuronin për faktin se ishte kalorës i mirë dhe fliste rrjedhshëm gjuhën angleze dhe se e njihte mjaft mirë matematikën.

Lexuesit e librit të ri gjithashtu do të mësojnë se Bin Ladeni është pjesërisht i verbër në syrin e djathtë, si pasojë e një lëndimi që ka pësuar si i ri, me çrast është trajtuar në Londër.

(AFP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›