E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni, fushatë për njohjen e Kosovës

Vjenë - Ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, ka pasur një varg takimesh me përfaqësues të disa vendeve në Vjenë. Takimet janë zhvilluar si pjesë e kontakteve me qëllim përshpejtimin e procesit të njohjes së Republikës së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Njohja e Kosovës nga Pakistani vetëm çështje kohe

Ministri i jashtëm Hyseni është takuar dje me përfaqësuesin e përhershëm të Pakistanit në Vjenë, ambasadorin Shahbaz, me të cilin ka biseduar për procesin e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe për zhvillimet e tjera në Kosovë gjatë muajve të fundit.

Ministri Hyseni ka kërkuar nga ambasadori Shabaz që të përcjellë te Qeveria e Pakistanit kërkesën e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për njohje nga ky vend.

Ambasadori Shabaz ka thënë se, Pakistani gjithnjë ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Kosovë, sidomos procesin e gjatë të negociatave të udhëhequr nga presidenti Marti Ahtisari. Ai ka theksuar se populli dhe Qeveria e Pakistanit kanë mbështetur dhe mbështesin Kosovën në rrugën e saj.

“Është vetëm çështje kohe kur Pakistani do të bëjë hapin final, marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës. Për këtë gjë Pakistani po zhvillon biseda intensive me vendet fqinjë, si dhe me vendet anëtare të Konferencës së Organizatës Islamike”, ka përfunduar ambasadori Shahbaz.

Ekuadori shqyrton seriozisht njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm Skender Hyseni zhvilloi një takim me përfaqësuesen e Ekuadorit në Vjenë, Maria Elena Moreira, të cilën e njoftoi për progresin që ka arritur Kosova në të gjitha fushat që nga shpallja e pavarësisë, më 28 shkurt 2008.

Ministri Hyseni ka ripërsëritur kërkesën dhe ka shprehur nevojën që ka Kosova për njohje të tjera, me qëllim të përmbylljes së njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri në botë. “Kosova mund të bëhet pjesë e të gjitha strukturave ndërkombëtare vetëm me ndihmën e vendeve anë e kënd botës. Për këtë duhen njohje të tjera. Ekuadori, si vend tejet i rëndësishëm i Amerikës Qendrore, me njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, do ta ndihmonte këtë shtet të ri dhe popullin e tij në rrugën e konsolidimit të institucioneve, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik”, ka theksuar ndër të tjera ministri Hyseni.

Në anën tjetër, znj. Maria Elena Moriera ka siguruar ministrin Hyseni se qeveria e vendit të saj ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Kosovë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Ajo ka nënvizuar si fakt të rëndësishëm njohjen e Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian, nga fqinjët, si dhe nga ana e vendeve të lira e demokratike të Amerikës Qendrore. Ajo ka thënë se Qeveria e Ekuadorit, duke i pasur parasysh këto të dhëna, do ta shqyrtojë me shumë seriozitet kërkesën për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Etiopia, në kohë të duhur me vendim për Kosovën

Në takimin me ambasadoren e Etiopisë në Austri dhe përfaqësuese e përhershme në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, znj. Kongit Sinegiorgis, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka kërkuar njohjen e Kosovës nga ky vend i rëndësishëm afrikan.

“Etiopia është lider rajonal, një vend i madh dhe i rëndësishëm. Etiopia mund ta ndihmojë shumë popullin e Kosovës, si dhe institucionet e saj, duke e përkrahur vullnetin e tyre për pavarësi e liri”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës.

Ai ka përgëzuar znj. Sinegiorgis për qëndrimin e drejtë dhe civilizues të Etiopisë lidhur me rastin e Eritresë. “Vendi juaj ka dëshmuar se di të respektojë vullnetin dhe domosdonë e popujve për liri e pavarësi. Ne me të drejtë presim që Etiopia të mbajë këtë qëndrim edhe në raste të tjera”, është shprehur Hyseni.

Ambasadorja e Etiopisë ka sigurua ministrin e Jashtëm të Kosovës se Qeveria etiopiane mbetet e përkushtuar lidhur me Kosovën dhe me kohë do të ketë një vendim për çështjen e njohjes së saj.

Ministri Hyseni kërkon njohje për Kosovën nga Barbados

Ministri Hyseni gjatë ditës së sotme është takuar edhe me konsullin e përgjithshëm të Barbadosit në Vjenë, z. Kurt Mach, me të cilin ka biseduar gjatë lidhur me zhvillimet në Kosovë. Ai ka kërkuar njohje për Kosovën nga Barbados.

Hyseni e ka njoftuar konsullin e Barbadosit me të gjitha përparimet që ka bërë Kosova që nga dita e shpalljes së pavarësisë. Duke iu përgjigjur interesimit të z. Mach, Ministri Hyseni i foli gjatë atij për Kosovën, pozicioni gjeostrategjik e politik, për pasuritë natyrore të saj, si dhe për mundësitë që ofron Kosova.

Z. Mach premtoi se do ta njoftojë qeverinë e tij për të arriturat e Kosovës, të cilat I paraqiti ministri, dhe se do të nxisë vendin e tij ta shqyrtojë sa më parë që të jetë e mundur kërkesën e Kosovës për njohje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›