Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral
"Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces është i pakthyeshëm", ka theksuar ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, sot në Bruksel para Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
Hyseni në fjalimin e tij ka theksuar kërkesën dhe nevojën për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës.
Ai ka theksuar që rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk po ecën me shpjetësinë që ata kanë dëshiruar.
"EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në tërë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, për të ndihmuar dhe për të mbikëqyrur realizimin në terren të Planit gjithpërfshirës të presidentit Ahtisari", ka theksuar Hyseni.
Shefi i diplomacisë kosovare ka ripërsëritur se EULEX-i është ftuar nga presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që më 17 shkurt 2008, gjë që është ripërsëritur në muajin gusht nga presidenti i Kosovës.
“Bazë e mjaftueshme për vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta, plani i përbashkët aksional i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Pakoja gjithpërfshirëse e presidentit Ahtisari. E gjithë kjo e bën shumë të qartë mandatin që ka EULEX-i”, theksoi Hyseni
Sa u takon gjashtë pikave të negociuara ndërmjet OKB-së dhe Serbisë, ministri Hyseni ka thënë se, Prishtina i konsideron si problematike dhe joracionale, prandaj edhe janë refuzuar. Ai theksoi se "ruajtja e karakterit unitar dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është e domosdoshme dhe e pazëvendësushme dhe ka ftuar shtetet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që kjo të respektohet".
Në fund të fjalës së tij Hyseni ka ripërsëritur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës është siguruar nga përfaqësuesit e shumë vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar se karakteri unitar i Kosovës si dhe integriteti territorial i saj do të ruhet. (INA)