Vëllaznimi drejt normalizimit

Përkundër krizës së madhe financiare që po e përjeton tash e një kohë të gjatë, Vëllaznimi të premten e ka mbajtur stërvitjen e parë, pas festave të fundvit. Në seancën stërvitore kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët, edhe pas tash e tre muaj, ata nuk i kanë marrë pagat.
Lojtarët kanë pranuar t’i nisin përgatitjet për stinorin e ri, pasi drejtuesit e klubit u kanë premtuar atyre se brenda dy - tri ditëve do t’ua kthejnë të gjitha borxhet. Kështu tregoi trajneri i ri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.
“Të gjithë lojtarët ishin të pranishëm në stërvitje, me përjashtim të Kushtrim Mushicës, i cili ka munguar me leje. Obligimet ndaj lojtarëve, Kryesia ka premtuar se do t’i kryejë brenda dy - tri ditëve dhe lojtarët u treguan të kuptueshëm. Unë besoj se brenda dy apo tri ditëve, lojtarët do t’i marrin pagat e tyre dhe të vazhdojmë me punë normale”, deklaroi Shosholli për Express.
“Në Kryesi, tani janë edhe disa anëtarë të rinj, borxhet ndaj lojtarëve do të kryhen dhe situata do të normalizohet. Në Vëllaznim do të punohet profesionalisht në të gjitha aspektet”, theksoi ai.
Vëllaznimi kërkon Hashanin e Fetahun
Trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, tha se menjëherë pasi të kryhen obligimet ndaj lojtarëve, drejtuesit e klubit do të tentojnë t’i transferojnë edhe dy apo tre lojtarë të rinj në ekip.
“Ne tashmë jemi duke biseduar me Erdin Hashanin dhe shpresoj që ai të transferohet tek ne. Po ashtu jemi të interesuar edhe për një sulmues, pra për Enis Fetahun, dhe do të mundohemi ta gjemë edhe një lojtar për repartin defanziv”, pohoi Shosholli.