Pa përparime

Ndonëse Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka radhitur Kosovën në vendin e tretë në Evropë me 4.5 për qind të rritjes ekonomike, për çka drejtues të Ministrisë së Ekonomisë e konsiderojnë meritë të tyre, ekspertë të ekonomisë këtë rritje e konsiderojnë të pamjaftueshme.
Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë për Kosovapress se ndihet krenar që në këto vite të krizës ekonomike në botë, Kosova rangohet e treta në Evropë nga FMN-ja, sa i përket zhvillimit ekonomik. Ai thotë se prioritet i MEF-t në vitin 2011 do të jetë përmirësimi i ambientit biznesor.
“Unë ndihem krenar si ministër i Ekonomisë dhe Financave që Kosova të paktën në këtë fushë në krizën më të madh në vitet e fundit rangohet në tri vendet me ritëm më të lartë të zhvillimit ekonomik në vitin 2010, dhe kjo konsideroj që është meritë e vendimeve të duhura në kohën e duhur”, ka thënë ai. Shala u deklarua me optimizëm se në vitin 2011, Kosova do të ketë një rritje të zhvillimit ekonomik 5.9 për qind, shifër e prognozuar edhe nga FMN-ja. Ai thotë se e parasheh këtë rritje ekonomike, duke pasur parasysh planet që janë në buxhetin dhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve, si dhe fillimin e projekteve të mëdha zhvillimore që do të ndodhin në Kosovë në sektorin publik dhe atë privat.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se gjatë vitit 2010 ka pasur rritje të varfërisë, ekonomisë informale, evazionit fiskal, kontrabandës, korrupsionit, etj.
Musa Limani, ekspert i ekonomisë, thotë se Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike.
“Unë nuk e di, çfarë vlerësimi ka bërë FMN-ja dhe me çfarë treguesish, kur dihet se për këtë vit nuk ekziston vlera e GDP-së. Por, sido që të jetë, atë që e ka dhënë FMN-ja, se ekonomia e Kosovës është rritur me 4.5 për qind është relativisht shumë e ulët, dhe është një numër relativ, i cili kur ta shikojmë nga aspekti, na del si bum”, ka potencuar Limani.
Ai sugjeron qeverinë e ardhshme të Kosovës që të marrë masa për ndryshimin e politikave aktuale ekonomike dhe realizimin e reformave ekonomike, duke përfshirë edhe nënsistemet ekonomike siç është politika fiskale. Ndërsa, Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, mendon se kjo rritje ekonomike është e pamjaftueshme për të adresuar problemet themelore me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Ne do të dëshironim që rritja ekonomike të ishte rezultat i pjesëmarrjes më të fuqishme të sektorit privat, kontributit më të madh të investimeve private dhe gjithashtu dhe fillimit të ngritjes së sektorëve eksportues, sepse dihet që Kosova ka një varësi tejet të madhe nga importi, dhe importi është faktor zvogëlues i rritjes ekonomike të Kosovës. Kjo rritje ekonomike, si po shihet, nuk është shoqëruar me ndryshime sociale, nuk ka provokuar uljen e papunësisë dhe uljen e varfërisë në Kosovë”, ka thënë Sadiku.
Sadiku konsideron se Kosova mund t’i adresojë problemet e veta me rritje ekonomike, e cila duhet të jetë mbi 7 për qind.