Ska shqiptarë për kombëtaren, Duka kërkon trajner të huaj
Përgjigjja negative e Besnik Hasit e ka vështirësuar situatën, presidenti Duka i kthehet pistës së huaj
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon të jetë pa trajner. Besnik Hasi, njeriu që pritej të thyente hegjemoninë e trajnerëve të huaj në krye të kombëtares, ka dhënë përfundimisht përgjigje negative, duke u mjaftuar me justifikimin smë lë Anderlehti. Ky version, i servirur dorazi nga vetë ish-lojtari kuqezi, dhe që në njëfarë mënyre është pranuar edhe nga institucioni i futbollit, është pak i besueshëm për opinionin sportiv.
Sepse, në radhë të parë, para se të futej në bisedime me Dukën, Besnik Hasi duhej ta dinte nëse e lejonte ose jo klubi belg. Rreth një javë më parë, Hasi do të shprehej se nuk jam trajner për dy lekë dhe se dëshironte kontratë jo më pak se 4-vjeçare në krye të Shqipërisë.
Presidenti Duka në këtë aspekt ka qenë kategorik, megjithatë ai shpresonte që Hasi të hiqte dorë nga kjo kohëzgjatje e kontratës, madje ai dukej i sigurt që nuk do të kishte prapa-kthehu të gjakovarit.Përgjigjja negative ka ardhur si rrufe në qiell të hapur, në një moment shumë të rëndësishëm të kombëtares në prag të dy ndeshjeve miqësore me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë.
Rikthimi te të huajt Armand Duka e kishte të qartë qysh para se të largohej Kuzhe strategjinë për të ardhmen. Një trajner shqiptar, ish-futbollist i kombëtares, për të cilën nuk do të shpenzonte shumë para. Mirëpo pista Hasi ra, ndërkohë që emrat e tjerë të të njëjtit lloj janë me pikatore. Madje mund të themi se vetëm njëri ka mbetur pas emërimit të Foto Strakoshës në krye të 19-vjeçarëve. Ai është Bledar Kola, ish-futbollist i Panathinaikosit.
Por edhe kjo kandidaturë, sipas burimeve pranë FSHF-së, është sfumuar. Duka i ka kërkuar të drejtojë një nga kombëtaret e moshave, por Kola nuk ka pranuar, madje marrëdhëniet mes palëve thuhet se nuk kanë qenë shumë korrekte, pra ka patur hatërmbetje. Dhe, meqenëse për trajnerë të tjerë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri as që mund të flitet, Duka nuk ka rrugë tjetër, veçse të nisë kërkimin për trajnerin e huaj që do të pasojë Kuzhen.
A kanë vlerë miqësoret? Më 11 dhe 15 nëntor Shqipëria do të luajë dy miqësore, me Azerbajxhanin dhe me Maqedoninë. E ndërsa FSHF ka shpallur listën e futbollistëve, skuadra është pa trajner. Kombëtarja shqiptare është në momentin e rinovimit, kur duhet një strategji e qartë për të afruar sa më shumë lojtarë të rinj dhe këtë strategji e harton dhe e zbaton trajneri (sigurisht në bashkëpunim me federatën), që do ta drejtojë skuadrën në fushatën e ardhshme eliminatore.
Listën prej 22 lojtarësh, të bërë mbrëmë publike, e ka miratuar vetë presidenti Duka, por kjo sdo të thotë që aty janë zgjedhjet e duhura, ato që do të preferonte trajneri i ri. E në këtë kontekst, zhvillimi i dy miqësoreve pa trajnerin e parë mund të jetë i pavlerë, qoftë në aspektin financiar (dy ndeshje i kushtojnë shumë arkës së FSHF-së).
Duka në treg Refuzimi i Hasit thonë se e ka vënë në pozitë shumë të vështirë Dukën. Ai e konsideronte punë të kryer marrëveshjen me 40-vjeçarin e Anderlehtit dhe tashmë ka mbetur me gisht në gojë. Sepse e ka shumë të vështirë të gjejë një trajner të huaj me reputacion, duke e paguar aq sa Kuzhen, apo më pak. Krey i federatës kërkon me ngulm një emër të ri, por CV-të që i kanë mbërritur në tavolinë nuk e bindin kollaj.
Dje është përfolur edhe emri i Havier Klementes (ka drejtuar edhe kombëtaren spanjolle), por Duka e di mirë që palltoja e Shqipërisë nuk i bën këtij trajneri (është shumë i shtrenjtë). Duka ka një arsye më shumë për ta shtyrë për në pranverë (në mars luhen miqësoret e radhës) zgjedhjen e trajnerit: do ta paguante të paktën 4 muaj më pak, çka do të thotë gati 100 mijë euro kursim. Të paktën FSHF ka Xhemon, i cili mund ta bëjë kollaj punën e trajnerit në dy miqësoret e ardhshme, më pas le të shohim.
