Kukësi nuk ka rrugë tjetër veç fitores
Kuksianët shprehen të bindur se edhe Lushnja do të ketë faktin e kundërshtarëve të tjerë që kanë ardhur në fushën e tyre
Kuksianët nuk shohin alternativë tjetër përveç fitores në ndeshjen e sotme me Lushnjën. Pas kthimit nga Gjrokastra, ku ndeshja nuk u zhvillua, ata kanë pushuar për festën e Krishtlindjeve dhe të hënën kanë filluar stërvitjen për një tjetër kryendeshje, pikërisht me rivalët e Lushnjës. Kukësi bëri një udhetim të gjatë drejt Gjirokastrës, por u kthye i zhgënjyer, sepse ndeshja u shty. Futbollistët dhe stafi drejtues e kanë lënë pas krahëve atë ndeshje, pasi kanë kohë të mendojnë për të.
Ata janë përqendruar për sfidën me Lushnjën, ndërkohë që shtyrja e ndeshjes me Luftëtarin ka pasur edhe efekt pozitiv: mesfushori Jevdeviç është riaftësuar plotësisht pas një tërheqjeje të pësuar ndaj Besëlidhjes. Kukësi ka zhvilluar stërvitje të plotë të hënën, ndërsa dje ka bërë një seancë relaksi pasdite, që është drejtuar nga ndihmëstraineri Saimir Xhetani.
Xhetani Përveç fitores, nuk ka as një rrugë tjetër për Kukësin. Luajmë në fushën tonë, përpara një publiku të zjarrtë, që edhe në ndeshjen e nesërme (të sotme), ashtu si me Besëlidhjen, do na përkrahë gjatë 90 minutave. Kualitetet për ta mundur Lushnjën nuk na mungojnë,- u shpreh numri 2 i stolit kuksian, Xhetani.
Malo & Rexhepi Për fitore me rivalët lushnjarë shprehen të bindur edhe sulmuesi Julian Malo e mbrojtësi Klaudio Rexhepi. Shpresoj që në ndeshjen e fundit të më zgjidhet magjia, pasi ka kohë që nuk po mundem të shënoj. Golin desha ta gjeja në Gjirokastër, por ndeshja u shty. Dua ta mbyll fazën me gol për ta ndihmuar ekipin tim, thotë sulmuesi Malo.
Mbrojtësi Klaudio Rexhepi thekson se reparti ku bën pjesë, bashkë me portierin Koçi, Renxën, Premçin dhe Lillën, do ta ruajnë të paprekur portë. Sipas tij, Canka do ta ketë të vështirë të çajë mbrojtjen hermetike kuksiane. Në ndeshjen e sotme Kukësi do të aktivizojë në portë Koçin, në mbrojtje Lilën, Rexhepin, Premçin e Renxën, në mesfushë Thanën, Pashajn, Jevdeviçin e Mziun, dhe në sulm Malon e Ivanajn.
