E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: Raporti i FH i denjë për një vend ish-sovjetik

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, u shpreh se janë shënuar përkeqësime në një sërë fushash.

“Elementi i parë që të bie në sy nga ky raport është se Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të vetme. Përkundrazi në një sërë fushash janë shënuar përkeqësime serioze të situatës së demokracisë dhe shtetit ligjor si pasojë e veprimeve të qëllimshme nga ana e qeverisë”, tha sot Hysi.

Ajo ceku edhe problemin e zgjedhjeve, duke theksuar se edhe në bazë të këtij raporti, votimet e vitit të shkuar nuk përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare.

“Raporti vëren se zgjedhjet nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe liston një sërë problemesh me periudhën parazgjedhore, si për shembull 275 000 shqiptarët që nuk mundën të votonin për shkak të mungesës së dokumentave të identifikimit, pjesëmarrjen masive të punonjësve të administratës civile në aktivitete elektorale të pushtetit, presionet e ushtruara nga qeveria mbi administratën për të marrë pjesë në mitingjet e mazhorancës apo për të mos marrë pjesë në aktivitetet e opozitës, votimin familjar, si dhe vëren se u shkel e drejta e dy anëtarëve të KQZ për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qarqe”, vijoi deputetja socialiste.

Sipas saj, Konkluzionet e arritura nga Freedom House janë të denja për një republikë ish sovjetike të Azisë Qendrore, por jo për një vend anëtar të NATOs e që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›