E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lepenci dëshiron ta mbajë Abazin

Drejtuesit e skuadrës së Lepencit më në fund e kanë zhvilluar një takim me trajnerin Arsim Abazin, me të cilin nuk e kishin pasur asnjë kontakt prej përfundimit të pjesës së parë të kampionatit.

Krerët e Lepencit me trajnerin ferizajas kanë diskutuar rreth arritjes së një marrëveshjeje për ta vazhduar bashkëpunimin, të paktën edhe gjatë sezonit pranveror.

“Më në fund jam takuar me krerët e klubit. Unë ua sqarova atyre gatishmërinë time për të vazhduar me Lepencin. Por, një gjë të tillë do ta bëj nëse deri më 2 janar kryesia e riorganizon skuadrën. Kam kërkuar kushte elementare për punë, për shembull pajisje sportive, mbajtjen e lojtarëve aktualë e po ashtu minimumi tri përforcime, një fazë përgatitore ta zhvillojmë jashtë vendit dhe disa kërkesa të tilla elementare për punë”, tha Abazi për Express.

Në anën tjetër, drejtori i Lepencit, Berajdin Shehu, ka pohuar se kryesia e klubit do t’i plotësojë kërkesat e Abazit.

“Arsim Abazi do të vazhdojë punën te Lepenci. Ai i ka bërë disa kërkesa, të cilat ne qysh më herët kemi planifikuar që t’i realizojmë. Pra, jemi të interesuar ta riorganizojmë skuadrën e po ashtu jemi duke shqyrtuar mundësinë për t’u përforcuar me disa lojtarë për të cilët kemi nevojë dhe në saje të kësaj, Abazi do të vazhdojë me Lepencin. Në pranverë, Lepenci do të jetë më i fortë”, tha Shehu.

Stinorin vjeshtor, Lepenci e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e shtatë të renditjes tabelore me 22 pikë dhe ishte njëra prej skuadrave me më së shumti mbështetje prej tifozëve të vet, për dallim prej ekipeve tjera të Superligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›