E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plisat, vazhdojnë të ndarë

Grupi i tifozëve, ‘Plisat’ vazhdojnë të jenë të ndarë në dysh që nga muaji shtator. Kësaj ndarjeje i kishte paraprirë përplasja mes udhëheqësve të Sigal Prishtinës. Por, këta të fundit janë ‘pajtuar’ qysh moti, derisa ndasitë mes tifozëve ende vazhdojnë. Si pasojë e ndarjes, ‘Plisat’ sivjet nuk do t’i gëzojnë me dhurata fëmijët me nevojë.

Tifozët e kryeqytetit, ‘Plisat’ duket se akoma po i vuajnë pasojat e përplasjeve mes anëtarëve të kryesisë së Sigal Prishtinës, të cilat kishin ndodhur gjatë muajit shtator, kur klubi ishte në prag të shuarjes.

Mirëpo, me bashkimin e dy palëve të anëtarëve të kryesisë së klubit nuk janë evituar ndasitë mes ‘Plisave’, të cilat po vërehen qartë edhe sot e kësaj dite.

Prej asaj hallakame e deri në përfundim të sezonit vjeshtor, ‘Plisat’ vazhdimisht e kanë mbështetur Sigal Prishtinën e FC Prishtinën, por të ndarë në dysh, me çka nënkuptohet se të dyja grupet anonin ta pavarura prej njëra-tjetrës.

Se ‘Plisat’ ende nuk janë këndellur nga ajo hallakamë, e konfirmon edhe fakti se ata sivjet e kanë ndërprerë traditën, që ka të bëjë me shpërndarjen e dhuratave për festat e fundvitit për fëmijët e vendeve me probleme ekonomiko-sociale të Kosovës, gjë që e patën bërë për disa vite rresht.

“Dhurata sivjet nuk ka për shkak të disa problemeve të brendshme tona”, ka deklaruar për Express zëdhënësi i ‘Plisave’, Besnik Mujeci.

Sipas tij, mungesa e përkohshme e kryetarit Albert Kastrati ka ndikuar shumë që situata te ‘Plisat’ të mos jetë normale. Mirëpo, Mujeci thotë se Kastrati tashmë i është rikthyer detyrës së tij dhe beson se ai shpejt do t’i këndellë ‘Plisat’.

“Kryetari jonë nuk ka mundur për një kohë ta ushtrojë detyrën për shkaqe personale të tij. Ai tashmë i është rikthyer ‘Plisave’ dhe sigurisht se Alberti do ta kontrollojë më së miri situatën në të cilën jemi dhe do t’i rregullojë këto gjëra”, shtoi Mujeci.

Në anën tjetër, ish kryetari i ‘Plisave’, Sami Dili i ka kritikuar udhëheqësit aktualë të tifozerisë prishtinase për mënyrën se si po i ushtrojnë detyrat e tyre.

“Faktikisht, ai grupi përbëhet prej shumë pak personave dhe ne nuk kemi arsye të kërkojmë bashkim. Pakica duhet t’i bashkohet shumicës. Por, fatkeqësisht, në atë pakicë kanë qëlluar anëtarët e kryesisë falë votave që patën marrë më herët prej ‘Plisave’, të cilët sot nuk janë me ta”, tha Dili.

“Pikërisht ata pak persona i bënë horë ‘Plisat’. Si anëtarë të kryesisë, ata nuk kenë të zotë që ta vazhdojnë traditën e shpërndarjes së dhuratave. Ata, si anëtarë të kryesisë, nuk e iniciuan fare këtë çështje dhe fatkeqësisht gjithë ‘Plisat’ e vërtetë ndihemi të turpëruar”, ka theksuar ai.

Dili ka paralajmëruar se personalisht do të bëjë çmos që sado pak t’i gëzojë fëmijët me dhurata në emër të ‘Plisave’, për hir të rruajtjes së traditës dhe imazhit të Plisave. Se deri kur do të zgjatë kjo situatë në këtë grup të tifozëve, ndër më të mëdhenjtë në vend, mbetet të shihet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›