Hysi: “Vokshi të lërë mandatin, Prokuroria të nisë hetimet për pasurinë e saj”
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi, i ka kërkuar deputetes demokrate Albana Vokshi të dorëzojë imunitetin dhe Prokuroria të nisë hetimet për pasurinë e saj. Prej ditësh, selia rozë ka hedhur akuza për korrupsion mbi ish-këshilltaren ekonomike të kryeministrit Sali Berisha, Albana Vokshi. Partia Socialiste ka zbuluar se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike kompanisë së Vokshit, ndërsa ajo e paguan shtetin me një taksë mjaft qesharake. Ndërsa, nga ana tjetër, deputetja Vokshi ka hedhur poshtë akuzat e PS-së duke i cilësuar shpifje. Ajo deklaroi se do t’i drejtohej gjykatës për të çuar në vend dinjitetin e saj.
Ditë më parë, Partia Socialiste zbuloi se Albana Vokshi ka marrë në mënyrë korruptive dy tenderë për hidrocentrale. Ka qenë deputetja socialiste Mimi Kodheli që ka treguar me dokumente të Këshillit të Ministrave favoret që i janë bërë deputetes Vokshi që në legjislaturën e kaluar, kur ka qenë këshilltare ekonomike e kryeministrit Sali Berisha.
Deklarata
“Mosdeklarimi i pasurisë së njeriut me të cilin bashkëjeton dhe që është njëkohësisht babai i dy fëmijëve të saj, është vetëm problemi i parë. Përdorimi i artificave ligjore për t’u hequr si e varfër, ndërkohë që në realitet është milionere, është një mekanizëm i përdorur gjerësisht nga përfaqësuesit e pushtetit të Berishës. Zonja deputete nuk lexon ose nuk do të lexojë përmbajtjen e deklaratës së pasurisë, e cila kërkon të dhëna për pasuri, për personat fizikë dhe juridikë, përfshirë edhe personin e besuar që rezultojnë të lidhur me zyrtarin që mbart detyrimin për deklarim”, - u shpreh Vokshi, duke nënvizuar se ajo shfrytëzoi për vite me radhë pozicionin e saj si këshilltare e kryeministrit për ekonominë, për t’i dhënë burrit të saj koncesione pa tender.
Sipas hetimeve të PS-së rezulton se kompania e z. Arian Tartari, të vetmin aktivitet të sajin e ka në Shqipëri, dhe jo në ishujt Kaiman.
Abuzimi
Deputetja Hysi ka deklaruar se aktivitetet ekonomike të bashkëshortit të saj kanë nisur prej fillimit të viteve ’90, por janë rregjistruar vetëm pas 2005-ës kur Vokshi mbante postin e këshilltares për ekonominë. Për këtë, Hysi i është referuar dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Kështu, koncesionet janë marrë në periudhën kur Albana Vokshi ushtronte detyrën si këshilltare e kryeministrit. “Zonja Vokshi, në reagimin e saj tha se ishte gati të dorëzonte imunitetin nëse akuzat mbi të do të vërtetoheshin. Në fakt, zonja Vokshi duhet të bëjë të kundërtën. Ajo në fillim duhet të dorëzojë imunitetin për t’i hapur rrugën Drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve. Nëse zonja Vokshi do të vazhdojë të fshihet pas mandatit të deputetes, atëherë nuk ka nevojë për deklaratat e saj. Akuzat janë automatikisht të vërtetuara. Ky është korrupsion i pastër dhe vjedhje e pasurisë kombëtare të shqiptarëve”, - u shpreh Hysi.
10 Gusht 2010