E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi, Banka Botërore penalizon dy firma shqiptare



Banka Botërore ndëshkon dy kompani shqiptare për shkeljet e bëra gjatë realizimit të tenderimeve të prokuruara prej saj. Pas problemeve që pati institucioni më i rëndësishëm financiar ndërkombëtar me projektet e menaxhimit të integruar të bregdetit në Jug të vendit dhe ndërtimin e termocentralit të Vlorës, kësaj radhe ka nisur aplikimin e masave të rrepta për të ndaluar praktikat korruptive. Burimet zyrtare të Bankës në Uashington bënë të ditur mbrëmë se dy firmat e penalizuara janë: “Rinia SK sh.p.k.” dhe “DEA DHV sh.p.k.”, të cilat janë pezulluar për një afat të përcaktuar kohor për të mos marrë pjesë në tenderimet që organizon kjo bankë në vendin tonë. Njëra prej tyre, DEA DHV, është penalizuar për 3 vjet me radhë edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike dhe deri më 24 janar 2011 nuk ka të drejtë të marrë pjesë në asnjërin prej tenderëve shtetërorë.

Vendimi
Banka Botërore njofton se ka ndëshkuar dy kompani shqiptare për praktika abuzive në realizimin e tenderimit të projektit të Bankës në Shqipëri. Emrat e tyre janë bërë të ditur mbrëmë dhe janë: “Rinia SK sh.p.k.” dhe “DEA DHV sh.p.k.”, të cilat janë të regjistruara dhe kryejnë aktivitetin e tyre ekonomik në Sarandë. Penalizimi erdhi pasi ato rezultuan që të kenë shkelur kontratën e nënshkruar nga palët. Për një periudhë 2-vjeçare asnjëra nga këto kompani nuk do të lejohet që të përfitojnë asnjë tender nga ky institucion financiar.
Vendimi për penalizimin e këtyre dy firmave shqiptare u mor nga Bordi i Sanksioneve të Bankës Botërore, pas hetimeve që bëri njësia e investigimit INT.
“Periudha e pezullimit mund të reduktohet deri në një vit nëse rezulton se DEA DHV sh.p.k. ka ndjekur të gjithë hapat e duhur në bashkëpunimin me Bankën dhe zbatimin e programit të pajtueshmërisë së korporatës që është në përshtatje me kërkesat e Bankës”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas tij, ky është rasti i parë i penalizimit duke u mbështetur në marrëveshjen për zbatimin e ndërsjellë të vendimeve kontraktuese që është miratuar më datë 9 prill 2010 dhe është firmosur nga të gjitha institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Dy firmat kanë realizuar një projekt të financuar nga Banka Botërore në Sarandë para pak vitesh. Njëra prej tyre, “DEA DHV sh.p.k.” është penalizuar më 4 mars 2009 edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike, dhe që nuk ka të drejtë të përfitojë asnjë tender deri në fillimin e vitit 2011. Ndërsa “Rinia SK sh.p.k” ka fituar tenderë te disa ente shtetërore deri vitin e kaluar.

Problemet
Penalizimi që u bëhet firmave tona nga Banka Botërore nuk është një praktikë e re. Edhe në vitin 2006 u ndëshkuan tri firma të tjera për realizimin e financimit të projekteve në ngritjen e rrjeteve kulluese në disa rrethe të vendit.
Po ashtu, disa nga projektet e zbatuara së fundi nga Banka janë vënë në qendër të hetimeve të vetë strukturave të saj. Projekti për menaxhimin e integruar të bregdetit të Jugut ishte njëri prej tyre. Pas verifikimeve rezultoi se Banka Botërore nuk kishte respektuar praktikat e vendosura prej saj në prishjen e disa objekteve në zonën e Jalit. Një tjetër hetim ishte ai për realizimin e TEC-it të Vlorës, i financuar nga institucionet e Bankës Botërore. Kërkesa erdhi pas ankesës që paraqiti Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe pas verifikimeve rezultoi se Banka kishte financuar një projekt që nuk i zbatonte parametrat mjedisore që janë të parashikuara në rregulloren e këtij institucioni financiar ndërkombëtar.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›