E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi kampion

Hysi është shpallur kampioni i ri i Kosovës. Ky është titulli i parë për ekipin bardhezi, i cili festoi para tifozëve të vetë në një atmosferë të shkëlqyeshme. Vëllaznimi ka marrë tri pikë të arta ndaj Ferizajt, që u përshëndet nga Superliga. Ballkani rrezikon mbijetesën pas humbjes nga KEK’u, derisa takimi Trepça – Flamurtari u ndërpre. Nga Moral Pozhegu më 08 qershor 2011 në ora 21:28

Hysi e ka shkruar historinë. Skuadra llapjane e fitoi titullin e kampionit të Kosovës për herë të parë, që nga krijimi i saj. Ekipi nga Merdara bëri rikthim sensacional, duke e shkrirë avantazhin prej 9 pikësh të Prishtinës, për ta siguruar edhe matematikisht të mërkurën titullin e më të mirit, një xhiro pa përfunduar kampionati.

Hysi nuk guxonte të dështonte ndaj Trepçën ’89 dhe kjo nuk ndodhi. Ajo fitoi bindshëm 5:1. Skuadra mitrovicase u dorëzua përballë kampionit që në pjesën e parë. Ekipi llapjan shënoi tri gola që në pjesën e parë. Për këtë u përkujdesën Kastriot Rexha, Enis Zabërxha dhe Mentor Zhdrella, i cili njëherësh dhuroi tre asistime dhe ishte njëri ndër më të mirët.

Pjesa e dytë u zhvillua vetëm sa për sy e faqe. Zabërxha ka realizuar edhe dy gola, për ta kompletuar hat-trickun, kurse golin e nderit për ‘Xehetarët’ e shënoi Emin Baliqi.

Merita të veçanta për shpalljen kampion të Hysit kishte trajneri Fadil Ademi. Ai ishte zëvendës trajner i kësaj skuadre në vitet e fundit, por kur iu besua posti i trajnerit të parë, nuk zhgënjeu.

“Prej fillimit të sezonit ju kemi qasur punës me seriozitet dhe e kemi synuar kreun e tabelës. Kisha në dispozicion një skuadër cilësore, e cila kishte në dispozicion kushte të shkëlqyeshme. Falë punës profesionale, mendoj se me meritë ia dolëm të shpallemi kampionë”, ka thënë Ademi pas lojës.

Në fund, në një atmosferë spektakolare të krijuar në Merdarë, medaljet dhe kupën e më të mirit kapitenit Mentor Zhdrella ia dorëzoi ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i mbështetur nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.

Besa - Prishtina 0-1

Prishtina e ka bërë atë që nuk e arriti në finale të Kupës. Bardhekaltrit e kanë mposhtur Besën midis Pejës, me rezultat 1:0, me golin që e ka realizuar sulmuesi Suad Saliagiç, pak minuta pa përfunduar takimi. Por kjo fitore prishtinasve nuk u ka kryer punë, pasi Hysi me fitore ndaj Trepçës ’89, edhe matematikisht e ka siguruar titullin e kampionit një xhiro pa përfunduar sezoni.

Ferizaj-Vëllaznimi 0-2

Vëllaznimi ka bërë një hap të madh drejt mbijetesës, pas fitores me rezultat 0:2 si mysafire e Ferizajt, i cili edhe zyrtarisht është përshëndetur nga Superliga. Pjesa e parë e takimit ka përfunduar baras, derisa në pjesën e dytë kuqezinjtë arritën ta shënojnë dy herë nëpërmjet Atdhe Gashit, në minutën e 51’të dhe Emir Nikoliqit, në dhjetë minuta më vonë.
Duhet theksuar se kjo përballje ka nisur me 30 minuta vonesë, pasi në stadiumin ‘Agron Rama’ kanë munguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Trepça – Flamurtari u ndërpre (2-0)

Ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Flamurtarit është ndërprerë. Ekipi mysafir nuk ka dashur ta vazhdojë pjesën e dytë, pasi në stadium kanë munguar policia e Kosovës. “Ne e filluam ndeshjen pa praninë e policisë, pasi zyrtarët e Trepçës thanë se ata do të vijnë ndërkohë. Por ne nuk pranuam ta nisim pjesën e dytë, pasi ata nuk erdhën”, ka thënë drejtori i Flamurtarit, Agim Hasani.
Pjesa e parë e kësaj përballjeje ishte 2:0 në favor të mitrovicasve, të cilët shënuan nëpërmjet Leart Eminit (’14) dhe Veton Shabanit (’32). Komisioni i Garave i FFK’së do të vendosë për fatin e këtij takimi.

KEK’u – Ballkani 2-0

KEK’u ka mposhtur Ballkanin 2:0. Në pjesën e parë, dominuan ‘elektricistët’, të cilët në minutën e gjashtë kaluan në epërsi me golin e Simnicës. Edhe në pjesën e dytë, lojtarët e KEK’ut kontrolluan lojën derisa në minutën e 77’të ngritën epërsinë në 2:0, me golin që e realizoi Berbatovici nga penalltia. Me këtë humbje, ekipi nga Theranda i ka vështirësuar punët vetes për ta siguruar mbijetesën.

Liria – Drenica 2-1

Liria pa ndonjë vështirësi ka arritur ta mposhtë Drenicën. Bardhezinjtë në minutën e 26’të kanë kaluar në epërsi me golin e Fatih Karahodës. Edhe pjesa e dytë u takoi prizrenasve, të cilët ngritën avantazhin në 2:0 nëpërmjet Kryeziut, i cili me një goditje nga distanca realizoi një gol të bukur. Krejt çka arritën kuqezinjtë, ishte goli i realizuar nga Taulant Dajaku, në minutën e 72’të, nga pika e bardhë.

Tabela-Pikë
1. Hysi-72
2. Prishtina-68
3. Liria-47
4. Besa-43
5. KEK-u-43
6. Trepça-42
7. Drenica-41
8. Trepça ’89-40
9. Ballkani-38
10. Vëllaznimi-38
11. Flamurtari-33
12. Ferizaj-29

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›