Vit i dështuar për Hysin

Kampionit aktual të Kosovës, Hysit nuk po i pritet t’i zhvillojë edhe tri ndeshjet e fundit kampionale dhe të shkojë në pushim, gjatë të cilit do të përpiqet ta harrojë aventurën e keqe që e pati gjatë gjithë këtij kampionati.
Kjo pasi llapjanët këtë edicion po e përmbyllin pa e fituar asnjë trofe. Më herët ata e kishin humbur hapin në luftën për titull të kampionit dhe më pas u përqendruan në garën për Kupën e Kosovës. Por, edhe nga kjo garë bardhezinjtë u eliminuan të mërkurën, kur në Merdarë, në kuadër të gjysmëfinales u mposhtën me rezultat 0:1 nga Trepça ’89, e cila preku finalen.
Ky eliminim i ka zhgënjyer udhëheqësit e Hysit, të cilët deri para fillimit të ndeshjes e shinin veten thuajse të kualifikuar në finale. Andaj, zyrtarët e këtij klubi thonë se për këtë dështim nuk do t’i lënë pa i dënuar me të holla futbollistët dhe anëtarët e shtabit teknik të tyre.
“Ne e kemi një rregullore dhe aty parashihen dënimet. Normalisht që do t’i dënojmë, po nga sa dhe qysh do të vendosim pasi të mblidhemi anëtarët e kryesisë”, tha shefi ekzekutiv i Hysit, Afrim Macula.
“Jemi shumë të zhgënjyer, pasi përveç që e humbëm luftën për titull, tani e humbëm edhe mundësinë për ta fituar Kupën. Nuk di, nuk kam koment për këtë”, shtoi ai.
Macula theksoi se gjatë verës do të ketë revolucion në klubin e tij, pasi në edicionin e ardhshëm Hysi do t’i synojë të dy trofetë, titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
“Në kampionatin e ardhshëm Hysi do të jetë shumë më i fortë. Do ta angazhojmë një trajner për t’u rehatuar më në fund me një trajner të mirë çfarë e meriton Hysi. Po ashtu do të sjellim edhe përforcime cilësore, ndërsa do t’i largojmë ata që sivjet dëshmuan që nuk e meritojnë ta bartin fanellën e ekipit tonë”, përfundoi ai.
Por, më shumë sesa Hysi, në garën për Kupë zhgënjeu Prishtina, e cila u eliminua nga Ferizaj nga Liga e Parë, e cila në finale do të ndeshet me Trepçën ’89. Për dallim prej Hysit, bardhekaltrit konsiderohen favoritët kryesorë për t’u stolisur me titull të kampionit.
Hysi dënohet me 1 mijë euro
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vetë të mbajtur të premten, e ka dënuar Hysin me 1 mijë euro. Kjo gjobë klubit bardh e zi iu është shqiptuar shkaku i lëshimeve që i kishte bërë në organizimin e ndeshjes ndaj Prishtinës, e po ashtu edhe në lëshimet e bëra rreth mbarëvajtjes së duelit kundër Trepçës ’89.