I
Çdo hulumtues, qoftë dhe qytetar i zakonshëm e ka shumë kollaj të bëjë diferencën i yni nga i huaji. Mjafton të përdorë si instrument gjuhën. Ta ilustrojmë, në një simpozium shkencor, që mbahet në Prishtinë, pa asnjë vështirësi dallohet i yni nga i huaji. Të ftuarit nga Tirana, Saranda, Tropoja, Gostivari, Kumanova, Tetova, Ulqini, Presheva, Kalabria, Çamëria e gjetkë, dallohen nga një ligjërues francez, italian, argjentinas, përmes gjuhës. Po e kursejmë për një moment zakonin, traditën, kulturën e përbashkët dhe të mjaftohemi që përmes gjuhës të korrigjojmë vetveten. Tek-tuk kam hasur në paqartësi, deri në "prerje me thikë" brenda llojit: ai është i yni, ky tjetri është i huaj. Fatkeqësisht ky lloj klasifikimi kuturu bie ndesh me principin e identitetit, ngaqë nuk merret aspak në konsideratë gjuha, apo kombësia si element identifikues. Duke përjashtuar epokën totalitariste, izolues- ndarës të Enver Hoxhës, nuk më rezulton në asnjë moment se kolektivisht shqiptarët, pavarësisht nga padrejtësitë e kobshme historike, ta kenë quajtur njëri-tjetrin mish i huaj në trupin e tyre. Absolutisht. Prandaj, çdo presje që i hiqet këtij argumenti është e patolerueshme dhe që nuk përputhet me realitetin.
Në një nga shkollat e mesme të Tiranës, mësojnë djem dhe vajza nga të gjitha hapësirat panshqiptare. Pa hyrë fare në procedurën e mësimdhënies, pa u rrekur të sjell në kujtesë trajtesën e këshillit pedagogjik që u bëhej nxënësve, po shpalos një realitet të përjetuar. Jam ndjerë deri diku i befasuar nga mënyra se si ajo moshë ishte e shpëlarë nga frustracionet, paranojat, steriotipet, inatet, mëritë, smira, xhelozitë e kështu me radhë. Hovshëm lindin miqësi, shoqëri, u krijohet një harmoni mbresëlënëse. Një unitet i paparë do të thosha, mes nxënësve andej dhe këtej kufirit. Njëri nga djemtë, që mësonte në atë shkollë, teksa pija kafe me thotë se në fundjavë kam ftuar shokët në një ditëlindje në Tetovë. Për hir të së vërtetës u impresionova, aq sa nisa të bindem se ky brez po shëron të gjitha sëmundjet që vijnë nga injoranca. Për ta përforcuar këtë, ishte e pamundur që të takoje një djalë, apo vajza nga hapësirat shqiptare të Maqedonisë pa spikatur ndonjë syresh nga Tirana, Durrësi, Vlora apo Prishtina. Askush nuk ndihej i huaj, madje ishin më vendas sesa unë, i dinin rrugët, skutat, kinematë, libraritë, diskot, fushat e sportit, pa pasur nevojë për "hartë". Jo vetëm kaq. Sensin për zgjerimin e kulturës dhe njohurive, ata e shikonin përmes prozhektorëve të komunikimit të ndërsjellë, të shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave. Për aq kohë sa kisha mundësi të eksploroja shoqërinë e tyre, kuptova se teoria e përjashtimit ishte zhvlerësuar, për pasojë pakti i unifikimit përmes doktrinës kombëtare kishte avancuar. Sigurisht, jam i bindur se në atë moshë më shumë ka rezultat instinkti sesa prija për restaurim të mendësisë së vjetër, që shkakton ndasi. Megjithatë ata të rinj dhe të reja, që vijnë dhe shkojnë nga të gjitha hapësirat shqiptare, na japin edhe leksione edhe shuplaka, qoftë edhe përmes instinktit. Ky brez nuk pranon kurrsesi që dikush t’u mbjellë në kokë ndasitë e tipit i huaj, apo i yni. Ky besim të vlejë për të gjitha ata që ende nuk e kanë kuptuar se nga të gjitha të vërtetat, kanë një të madhe. E vërteta e pakontestueshme, është se: relacioni mik-armik mund të “hajë bukë” dhe të "pijë ujë" në politikat e shpifura ditore, ndërkaq relacioni i huaj-i yni nuk gjen vend në shtratin kombëtar. Sipas meje devijimi nga ky përcaktim na kualifikon si drurë të shtrembër në stivën e performancës kombëtare. A mund të konsiderohet i huaj një biznesmen nga Tetova apo Struga, që e ushtron aktivitetin e tij në Sarandë, apo Durrës, sikurse a mund të quhet i huaj një qytetar nga Tetova, i cili blen një shtëpi diku në një lagje të Tiranës, a mund ta konsiderojmë të huaj një profesor nga Shqipëria që ligjëron në universitetet e hapësirave të tjera shqiptare dhe anasjelltas, a mund ta konsiderojmë një gazetar, që shkruan për të përditshmet e Tiranës si jo i vendit, a mund ta skualifikojmë një kosovar që parapëlqen të jetojë në Shkodër? Pa hyrë farë në analiza të thella, përgjigjen më precize dhe të saktë e kam gjetur tek një djalosh fare i ri në moshë.
Shpesh me bie rasti të takohem me njërin nga djemtë tetovarë, i cili mori përsipër në moshën njomëzake të krijojë identitetin, pavarësinë dhe integritetin e tij përtej kujdesit të përditshëm të familjes. Flet me shumë nostalgji për Tiranën, shkollën dhe miqtë në veçanti. Shpesh me ngacmon me atë padjallëzinë, që ia siguron mosha: S’kam ndërmend ta gozhdoj veten, as ta falsifikoj realitetin, ne kemi ndryshime konceptuale, metodike, apo limite në kuptimin e shtetësisë, por jo të kombësisë. Ja përafërsisht argumenti i tij: këndej dhe andej, aty, apo përtej Shqipërisë i përkasim plotësisht dhe pandashmërisht një gjuhe, një kombi. Kush e mbivlerëson, ngre apo ul pa sens njëri-tjetrin, vetëm sa fut një virus në trungun kombëtar. Thonë që emri ka domethënien e tij. Ky djaloshi quhet Pajtim: të jetë koincidencë që ai gjykon sipas rregullës për paqtimin e mendjeve të dyzuara!
Personalisht jam zhytur deri në fyt me eksperienca të llojit i yni, apo i huaji. Sot e gjithë kohën më brengos fakti se disa syresh, përmes suspendimit të shprehjes së mendimit të lirë kërkojnë të instalojnë logjikën përjashtuese. Bie fjala, më kanë kritikuar, sharë, ofenduar, përgojuar, madje më kanë penalizuar, por nuk jam brengosur. Fundja profesioni im është sa fisnik, po aq edhe i vështirë. Në sajë të tij penalizohesh, kryqëzohesh, kufizohesh, por fatmirësisht kurrë nuk jam nënshtruar. Në këtë kuptim penalizimi është kompleks, më i dhimbshëm është kur pa të keq mprihet lapsi dhe vendoset vizorja e ndarjes. Unë qenkam i huaj, ndërsa bashkëbiseduesi meskin i vendit. Kjo është e tmerrshme dhe e patolerueshme. Është e tillë sepse argumentet flasin ndryshe. Mirëdita them unë që quheshkam i huaj, tungjatjeta me kthen ai i vendit. Ku është ndasia këtu?! Flamurin e puth ky i vendit, me atë identifikohem edhe unë "i huaji", kombësi shqiptare me rezulton në pasaportën time, e njëjta ndodh edhe me atë të vendit, etj. Pra të gjitha i kemi të përbashkëta, edhe gjuhën edhe doket dhe zakonet, edhe figurat historike, edhe tokën, edhe gurët, shkurret, brigjet, lumenjtë, detet. Madje të përbashkët kemi edhe orientimin. Le të dalë dikush dhe të marrë përsipër të elaborojë dhe të mbrojë tezën se gardhet që na ndajnë gjeografikisht, mund të trajtohet si piramida ndarëse në rrafshin kombëtar. Atëherë po, do ta pranoja me dhembje të madhe se qenkam i huaj. E veçanta që unë nderoj tek kolegët, miqtë, kundërshtarët, kritikuesit apo dashamirësit është shumanësia e ideve, debatet,alternativat, vizionet etj. Ndërkaq xhelozia primitiviste, që shfaqet si një perde e hollë, me duket si një pikë e paqëndrueshme në karakterin e njeriut, ku kryqëzohen shumë marrëdhënie smire, që e kanë një fund, meqë s’kanë një bërthamë të qëndrueshme argumentuese.