E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i institucioneve

Disa prej studiuesve të post-komunizmit kanë artikuluar teoritë e tyre mbi performancën e shteteve në ndërtimin e institucioneve, duke u bazuar në një model me katër faktorë shpjegues: sfondi kulturor para komunizmit, lloji dhe veçoritë e regjimit komunist, sjellja politike dhe strategjitë e elitës në fillim të tranzicionit, influenca e aktorëve ndërkombëtare. Ndër këta katër faktorë, influenca e kulturës së periudhës para komunizmit është ajo që mbetet ende si çështja më e debatuar midis akademikëve. Studiues si Gardner apo Rupnik, mendojnë që performanca në post-komunizëm ka një lidhje direkte me historinë e përkatësisë perandorake të shtetit. Destalinizimi nuk veproi njëlloj kudo. Ndryshimet midis shteteve kanë influencuar, në thelb, rrugën e ndjekur në reformat institucionale në fillimin e tranzicionit. Penetrimi kapilar i rrjeteve nepotiste dhe klienteliste në strukturat burokratike krijoi një krizë eficience dhe legjitimiteti. Në këtë mënyrë, raporti midis popullit dhe institucioneve u përfshi nga sindroma e “ata” dhe “ne”. Ky lloj këndvështrimi jeton akoma në mendimin dhe sjelljen sociale të shtetasve shqiptarë. Gjithashtu, izolimi bashkë me dhunën institucionale kufizoi formimin e një mendimi ndryshe dhe krijimin e elitave të reja jo komuniste. Shqipëria nuk pati lëvizje të tilla si Solidarnosc në Poloni apo Forumi Civic në Republikën Çeke, që patën rol përcaktues në përgatitjen e elitës post-komuniste. Për rrjedhojë, edhe elita e re që erdhi në pushtet në Shqipëri kishte kryesisht një prejardhje komuniste. Zgjedhjet strategjike dhe politike mbi institucionet, ishin të kushtëzuara nga influenca e kulturës moniste dhe patën një mangësi të madhe legjitimiteti krahasuar me vendet e tjera. Ky legjitimitet mund të arrihej vetëm me përfshirjen e gjithë aktorëve të spektrit politik, sipas modelit të tryezave të rrumbullakëta periodike që u zhvilluan në mënyrë konstante në Hungari. Këto tryeza krijuan bazën e sistemit politik dhe të rregullave të qarta “të lojës”. Mungesa e një kulture të kompromisit dhe mendësia e kryerjes së reformave institucionale, pa përfshirjen e gjithë aktorëve, është një fenomen që ka karakterizuar në mënyrë pothuaj konstante arenën politike shqiptare. Madje dhe vetë themeli i institucioneve, pra Kushtetuta, është hartuar në këtë mënyrë. Kjo lloj praktike, përveç mungesës së legjitimitetit, sjell edhe një mangësi në hartimin e politikave incentivuese dhe afatgjata për vetë institucionet. Rregulloret e brendshme të institucioneve pasqyrojnë qartë tiparet provizore nga të cilat karakterizohet jeta institucionale dhe burokratike.
Roli i ndërkombëtarëve në ndërtimin e institucioneve dhe konsolidimit demokratik në Shqipërinë e fillimit të tranzicionit, cilësohet me tone negative nga disa autorë. Megjithëse ata pranojnë se ky faktor ka më pak rëndësi sesa shkaqet e tjera të sipërpërmendura, legjitimiteti i praktikave autoritare dhe anti-institucionale për hir të stabilitetit në një rajon të paqëndrueshëm ka qenë politika e ndjekur nga ndërkombëtarët. Ky lloj qëndrimi kufizoi hapësirat për një debat të shëndetshëm demokratik dhe, si rrjedhojë, për ndërtimin e institucioneve në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve. Nëse mund të nxjerrim një leksion parimor nga eksperiencat e vendeve të suksesshme, është pikërisht ai i kryerjes së reformave të mëdha sipas parimit të gjithëpërfshirjes medoemos. Kjo vlen jo vetëm për stadin fillestar të ndërtimit të institucioneve, por edhe sa herë që kryhen reforma të mëdha institucionale. Sipas studiuesve, në disa raste do preferohej më mirë një statusquo me gjithë defektet e saj sesa një reformim i nxituar që nuk është i legjitimuar dhe nuk njihet nga një pjesë e konsiderueshme e aktorëve. Kjo do të rrezikonte të ushqente spiralen, tashmë të njohur, që çon në reformime të thella sa herë që ndërrohen qeveritë, duke e larguar gjithmonë e më shumë konsolidimin institucional.
*Autori ka studiuar për Shkenca Politike / Master në Politikën Europiane

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›