E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përsëritje e katrahurës së shkurtit

Debati mbi reformën zgjedhore po i afrohet limiteve të dështimit, ndërsa numri i protagonistëve të interesuar që kjo reformë të mos kryhet, po rritet. Ndonëse jemi ende rreth 20 muaj larg zgjedhjeve të ardhshme, punët e pakryera deri tani, si lista zgjedhore apo kartat e identitetit, paralajmërojnë një palë zgjedhje të tjera pa standarde.
Qeveria duket pak ose aspak e interesuar të kryejë këtë reformë, për shkak se sistemi ekzistues qe shkaku kryesor i fitores së saj në 2005. Harta zgjedhore aktuale, i jep asaj mundësi për të ruajtur maxhorancën pa marrë shumicën e votave të shqiptarëve. PS, e cila duket se është e interesuar drejtpërsëdrejti për të kryer reformën, nuk ka mundësi të bëjë ndonjë gjë për të çuar reformën përpara. Partitë e vogla, majtas dhe djathtas, kanë frikë se një kompromis mes dy partive të mëdha do t’i nxjerrë nga tregu politik përmes rritjes së pragut elektoral. Për pasojë, ashtu si ndodhi në vitin 2006, palët po shtyhen në shkëmbime deklaratash të kota, ku synimi i qeverisë është që të ezaurojë kohën dhe të ruajë sistemin ekzistues. Kjo politikë e saj, mund të sjellë përsëritje të krizës së zgjedhjeve vendore, ku i gjithë sistemi kushtetues i vendit u minua, duke larguar Shqipërinë nga rruga drejt demokracisë dhe duke e afruar në rrugën e destabilitetit.
Çfarë negociohet
Duke parë eksperiencën e vitit 2004, kur palët nën presionin e OSBE-së arritën një kompromis për reformën zgjedhore, mund të themi se kuadri ligjor është në fakt ai që përcakton fituesin e zgjedhjeve, jo vullneti i votuesve. Në vitin 2001, rregullimi i hartës zgjedhore në mënyrë të njëanshme nga PS, si dhe sistemi i “Dushkut”, i dhanë asaj fitoren. (E majta kontrollonte maxhorancën absolute në Parlament në atë kohë). Në vitin 2005, pikërisht ndryshimi i hartës i dha fitoren PD-së. (Një analist atë ditë tha se, “Berisha e ka mjelë më mirë lopën e Dushkut!”. Ky ishte faktori i dytë që i dha fitoren maxhorancës së sotme, edhe pse pati marrë në rang kombëtar më pak vota se e majta). Por në dallim nga atëherë, kur harta u ndryshua nën presionin e BE-së dhe OSBE-së, kësaj here, nuk ka një presion të mjaftueshëm ndërkombëtar për të detyruar qeverinë për pranimin e kompromisit. Në fund të fundit, sot nuk diskutohet për vendosjen e rregullave të ndershme të lojës, por për vendosjen e rregullave të pandershme. Në demokracinë shqiptare, duket se zgjedhjet i fiton ai që vendos rregullat, jo ai që fiton votat. Të dyja palët kanë aftësuar veten në parashikimin empirik të rezultatit të zgjedhjeve në çdo zonë. Kur u kryen zgjedhjet e pjesshme në Shijak dhe në Pogradec, gjithkush qe në gjendje të parashikonte me lehtësi fituesin dhe të kuptonte se fituesi qe përcaktuar nga harta e OSBE-së që u përdor në vitin 2005. Në këtë pikë, opozita ka plot të drejtë të refuzojë ndërmjetësimin e OSBE-së për reformën zgjedhore, sepse ky institucion e ka përcaktuar njëherë fituesin në zgjedhjet shqiptare.
Koha drejt zgjedhjeve
Dy janë problemet më të mëdha, që kërkojnë aktualisht ngut. Lista zgjedhore dhe kartat e identitetit. Listat zgjedhore duhet të publikohen gjashtë muaj para zgjedhjeve, gjë që do të thotë se për hartimin e tyre në shkallë kombëtare, sot mbetet më pak se një vit. Nëse punohet me seriozitet, mundet që t’ia dalin. Por për kartat e identitetit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Tenderi për prodhimin e tyre sapo është shpallur. Derisa të prodhohen, do të duhet të kalojë shumë kohë. Dhe derisa të shpërndahen, do të kenë kaluar edhe zgjedhjet. Për pasojë, kriza e certifikatave të votuesve do të vijojë të shkaktojë probleme edhe në zgjedhjet e ardhshme. Dhe duhet pasur parasysh se në zgjedhje të përgjithshme, certifikatat false luajnë një rol shumë më të madh në përcaktimin e fituesit sesa në zgjedhje për pushtet vendor.
Zgjidh mes shembujve
Puna më e madhe që ka bërë Parlamenti deri më sot për reformën zgjedhore, është shqyrtimi i disa shembujve të sistemeve zgjedhore gjermane, greke, bullgare, spanjolle etj., për t’i prezantuar për zgjedhje. Megjithëse shembujt janë të shumtë, zgjedhja e njërit prej tyre nuk e zgjidh problemin e standardeve, sepse diskutimi është gjetkë. Pyetja më e diskutuar është nëse partitë e vogla do të kenë peshë në politikë apo jo. Sistemi aktual, që është një kopje e sistemit gjerman, me përjashtim të pragut zgjedhor, nuk i lejon asnjë partie një maxhorancë solide. Nuk ka, pra, pse të çuditemi kur dëgjojmë socialdemokratët të mbështesin sistemin gjerman. Por ajo që nuk e kemi marrë nga sistemi gjerman është pragu. Në Gjermani, një parti duhet të fitojë minimalisht 5% të votave për të hyrë në Parlament, kundrejt 2% që duhet të marrë në Shqipëri. Ky prag më i lartë, synon të rrallojë mizat në Parlament dhe t’i japë vendit një qeveri më stabël nga pikëpamja e maxhorancës parlamentare. Sistemi i “Dushkut” është edhe në Gjermani, ku shumë parti kanë në parlament një peshë proporcionale më të madhe se votat që kanë fituar. Shkaku se pse në Shqipëri kjo gjë u bë problem, qe fakti se në 2001 u bë në mënyrë të fshehtë. Në fund të fundit, në skenën aktuale politike të Shqipërisë, sistemet e tjera janë thjeshtë shembuj të pazbatueshëm. Diskutimi është për pragun.
Pa reformë drejt zgjedhjeve
Ka shumë gjasa që reforma elektorale të mos kryhet për zgjedhjet e ardhshme, për shkak se z.Berisha e dëshmoi, së paku në një rast, (në zgjedhjet vendore) se ka aftësitë për të shtyrë, shtyrë dhe shtyrë diskutimet me probleme pa vlerë. Por në këtë rast, ndryshe nga shkurti i këtij viti, kur opozita u tërhoq në minutën e fundit, në zgjedhjet e ardhshme mund të mos tërhiqet. Ndonëse kriza ekonomike aktuale është e mjaftueshme për të nxjerrë një qeveri në opozitë, gjërat mund të shkojnë shumë më keq. Për shkak të mungesës së reformës zgjedhore, Shqipëria mund të humbasë ftesën për në NATO në marsin e ardhshëm dhe nëse ecejakja e maxhorancës vijon edhe më tej, qeveria e sotme e z.Berisha mund të përballet me të njëjtat probleme që pati qeveria e z.Nano, një izolim ndërkombëtar që do ta zhysë vendin në krizë thellë e më thellë. Dhe problemi më i madh është se qeveria e sotme e ka dëshmuar së paku një herë se nuk di të tërhiqet, kur e sheh se e ka qelbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›