I Pasuri, Borxhliu dhe Fukarai i Politikës së Re
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive furnizoi me informacion publikun nëpërmjet kanaleve mediatike dhe varfëroi skajshmërisht moralin mbi pasuritë e politikanëve shqiptarë. Siç duket nga një vëzhgim i parë intim i të dhënave të vitit 2009, paska qenë i mbarë ekonomikisht për politikën, sidomos për opozitën. Nuk mund të mos vëmë re një fakt interesant, krahasimin elementar për pasurinë e deputetëve, shpërndarjen e të majtëve dhe të të djathtëve në listat e deputetëve më të pasur dhe deputetëve më të varfër. Këtu ka vend për një reflektim. Teorikisht e ideologjikisht, mund të ngrihet hipoteza që ndër më të varfrit duhet të mbizotërojnë të majtët e ndër më të pasurit duhet të mbizotërojnë të djathtët. Por duke qenë se “me të thënë e me të bërë është në mes një det i tërë” dhe ne po flasim për Shqipërinë, atëherë natyrisht që logjika e zakonshme nuk qëndron, ndër deputetë më të pasurit mbizotërojnë të majtët.
Ndofta rritja e lartë ekonomike e vitit 2008-2009 qenka ndjerë në fryrjen e xhepave të socialistëve: deputetë e rinj Qefalia, Kola, Ylli, Gashi, Peza, Ahmetaj, Gaçi, Jaku, Kodheli, Abazi dhe Toçi kanë një pasuri dinamike për vitin 2009: rreth 60% e deputetëve socialistë kanë pasuri nga 1-10 milionë euro.
Ndryshe nga deputetët e tij milionerë, Edi Rama ka deklaruar në formularin e ILDKP-së një pasuri shumë modeste të përfituar vetëm nga detyra si kryetar Bashkie. Ai deklaron pagën, por e veçanta e deklarimit të tij është se ka përfituar edhe honorare dhe çmime në punën në Bashki. Kryefukarai Rama mund të jetë akuzuar për mungesat e tij të gjata në krye të detyrës, por shpërblimet flasin ndryshe. Gjithsesi kryetari i Partisë Socialiste vijon të jetë ende një nga politikanët më të varfër të vendit, bile vazhdon të jetë i pashtëpi, përderisa vijon të flejë në kullën e Dash Pezës, ky i fundit disponon një shtëpi banimi 600 metra katrorë në një truall 1800 metra katrorë në fshatin Pezë me vlerë 5.500.000 lekë. Ndofta Edi Rama paguan qiranë e shtëpisë duke paguar në natyrë, sepse mund të jetë një zoofil i mirë kur në dëftesën e pasurisë, pasaniku Peza disponon 100 krerë bagëti të imta, 6 krerë lopë, 5 pemë frutore dhe 10 ullinj të trashëguara nga Babë Myslymi (përfiton nga shitja e bagëtive të imta, të trasha, vaji i ullirit, arrat, qumështi dhe nënproduktet e tij një shumë prej 850.000 lekë). është mirë që për bamirësi dhe në mënyrë konsensuale disa deputetë të të dy kampeve politike të blejnë një nga ato derrkucët prej balte ku ruhen lekët, si dhe të kontribuojnë me disa kacidhe për strehimin e liderit të opozitës. Të gjithë pasurohen, një i vetëm varfërohet. E di Rama është i shkreti pa shtëpi, prandaj kërkon kuti, për të futur kokën diku fukarai.
Ndër të tjera nga vetëdeklarimi i pasurisë mësohet se i Pasuri Peza rezulton të jetë debitor ndaj shoqes së bashkëshortes me një shumë prej 46.000 euro. Përgjithësisht deputetët deklarojnë vetëm shtëpi, troje, llogari bankare dhe firma, kurse rasti i Dash Pezës është sui generis, siç është e jashtëzakonshme Borxhi që i paska gruas. Por ndodh dhe e kundërta, siç është në rastin e deputetes rishtare Rudina Seseri që i është dashur të mbajë edhe bashkëshortin, i cili studionte dhe nuk kishte të ardhura punësimi. Kurse shkrimtari sos-lialist Ben Blushi i është kushtuar biznesit me prodhimin artizanal të romaneve, çka i ka sjellë rreth 30 milionë lekë.
Sepse së paku këto bien në sy në verifikimin e parë të deklarimeve të pasurive të politikaneve shqiptare në ILDKP. Paradoksale është se biznesmenët-politikanë në partinë e biznesit kanë deklarata pasurie aq të gjata sa duhet dy ditë të kesh një panoramë të përgjithshme. Dhjetëra faqe me shifra multi-milionere tregojnë simbiozën dhe ndërlidhjen politikë-ekonomi.
Seriozisht dy fjalë - S’po them që ata miliarderë e multi-milionerë që përfaqësojnë të majtën i kanë fituar paratë me pandershmëri, kjo s’më takon. Por më çudit fakti që njerëz që kanë kaq shumë pasuri mund të mbështesin ideologjikisht një parti që s’duhet të ketë ndonjë dashuri të madhe ndaj të pasurve. A është e pamundur që një i pasur të mbështesë një parti të majtë? Jo, aspak. Por si klasë shoqërore, të pasurit s’duhet të kenë shumë për qejf një parti që synon “drejtësi sociale, barazi të shanseve dhe solidaritet”. Atyre që u dhemb koka nga ky shkrim, iu them të vendosin këngën e Molit me titull “Fukara”.