E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur edhe Majko e pranon se bojkoti është Neomarksizëm

Në shqip u shpall pa dashje doktrina socialiste dhe “manifesti i Neomarksizmit” që po frymëzuaka liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe pse me doza minimale intervista e ish-Kryeministrit të Shqipërisë Pandeli Majko ishte ngacmuese dhe disi shpjeguese: sot e gjithë ditën deputeti i Partisë Socialiste solli interpretimin e gjithë veprimit politik socialist në vitin e fundit kalendarik duke na dhënë një të papritur: logjika e bojkotit është politikë neomarksiste, çka do të thotë se refuzon sistemin. Fiks përkthimi i kësaj interviste dëften se Edi Rama po bën politikë taman si një lëvizje neomarksiste, ku edhe ambalazhin gjuhësor dhe standardet e jashtme të sjelljes janë kinse moderne. Kësisoj nuk është e vështirë që në jo pak raste, pas këtij shkëlqimi “ekzibicionist” mediatik, në shfaqje qëndron njeriu i vjetër dogmatik, që kërkon të thurë "intriga" në kulima, që nuk burojnë nga jeta e vërtetë dhe realiteti, por që janë piketa orientuese, të trashëguara të analizës me bazë ideologjike marksiste. Me gjithë dështimet spektakolare në praktikën ekonomike dhe politike, marksizmi mbetet ende filozofi tërheqëse për të majtën shqiptare. Politika e re kishte mjeshtërisht ambalazhuar dhe kamufluar ndikimin e Neomarksizmit, si formë të menduari sipas materializmit vulgar historik, çka është fenomen i ri, shumë i maskuar dhe herë-herë i “pëlqyeshëm”, në shpjegimin e proceseve demokratike.
Afërmendsh kështu shpjegohen pse Partia Socialiste është kthyer në një laborator i sëmundjeve psikologjike-shoqërore. Socialistët po kthehen në regres, bile në koncepte të trashëguara të mënyrës së të menduarit dhe metodave të vjetra të analizës dhe aksionit politik, çka fsheh gjurmët e pakorrigjuara të kulturës së vjetër dhe sfondin neomarksist të veprimit.
Edi Rama, njeriu gjenetikisht i modifikuar nga diktatura, ndodhet në ilegalitet me regjimin demokratik qëkur ka filluar të sistemojë hormonet në vijueshmërinë artistike. është e largët dita kur Edi Rama pa dashur u robërua nga maska e ilegalitetit. Një maskë për t’u fshehur, një maskë për të qenë dikush. Tjetër, për të dalë nga sqetulla dhe hija mbytëse e Kristaq Ramës. Assesi nuk fillon gjithçka me aktrimin e ditëve të para të demokracisë të lëvizjes së dhjetorit, sikur të ishte tribuni më fanatik anti-totalitarist. Kjo është retorikë prore, i dashur Perseus - kështu i thoshin etruskët Maskës. Natyrisht timoni i kthesës kinse rebele u pre pothuajse 180 gradë në ato ditë të nxehta lirie, ndofta më shumë se herët e tjera në komunizëm me largime nate nga shtëpia.
Në Shqipëri doktrina e Marksit dhe Engelsit ka qenë ideologjia mbizotëruese, edhe pse e ndërthurur me ultra-maoizmin dhe stalinizmin e egër, si dhe është konsideruar bazament të realitetit dhe të revolucionit që po e realizonin me dell e zjarr komunistët. Sidozot në shkolla dhe në UT, ideologjia ishte komplet marksiste dhe leniniste.
Padyshim, kjo ishte lënda njerëzore e trashëguar e shoqërisë shqiptare dhe me ta do të fillonim, pa tentuar për të nulifikuar kulturalisht gjithçka, e për të bërë tabularasa çdo gjë. Tendenca për të konceptuar proceset politike, për të shpjeguar problemet e zhvillimit të ecjes dhe të prapambetjes, me koncepte të determinizmit historik dhe materializmit vulgar (model i vjetër i lidhjeve automatike shkak-pasojë) është dukuri që ndeshet shpesh tek politikanët me koncepte e kulturë të deformuar, deri në nivelin e shfaqjeve neomarksiste të saj. Me fjalë të tjera, kur flasim për Marksin në Shqipëri duhet të kemi parasysh këtë fakt: Për 45 vjet në Shqipëri ka pasur qindra-mijëra njerëz që e kanë deklaruar përkatësinë komuniste, me dashje ose pa dashje. Por më 1999, pothuajse brenda natës zhduken nga faqja e dheut. Të gjithë ish-komunistët (qoftë stalinistë, qoftë enveristë, Alistë nga bindja, kanë kaluar në partitë e tjera ose i kanë fshehur gjurmët e përkatësisë së dikurshme. Ky fenomen shfaqet në vendet e tjera të Lindjes, por jo në këto eksode ideologjike me përmasa biblike. Në Shqipëri, ish-Partia e Punës është shndërruar brenda një dite në Parti Socialiste dhe ka mbetur faktor i rëndësishëm politik. Kuptohet vetiu që shpesh ka lindur pyetje a është, dhe sa është PS-ja trashëguese e ideologjisë marksiste?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›