I aksidentuari nga treni, Hetimi: Ambulanca u njoftua 45 minuta para se të mbërrinte në vendngjarje
Lushnje- Ambulanca e Spitalit të Lushnjës ka vonuar 45 minuta që prej marrjes së njoftimit për t’i ardhur në ndihmë të aksidentuarit nga treni Enver Saraçit.
Mësohet se spitali është lajmëruar 45 minuta përpara se të mbërrinte ambulanca dhe kjo është vërtetuar nga zbardhja e tabulantëve të celularit që u bë thirrja. Ndërkohë që i plagosuri Saraçi qëndroi rreth një orë i shtrirë në asfalt pa marrë ndihmën e parë mjekësore.
Ka qënë policia ajo që e transportoi Saraçin me automjetin e saj drejt spitalit, por Enver Saraçi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë dy ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Drejtoresha e spitalit të Lushnjës menjëherë pas ngjarjes deklaroi se spitali u njoftua me vonesë, dhe se ambulanca ishte nisur menjëherë sapo mori thirrjen.
Hetimi nga ana e prokurorisë së Lushnjes duket se po shkon drejt fundit, ndërkaq pritet edhe pjesa tjetër e tabulantëve për të mësuar se kush nga personeli i spitalit e ka marrë telefonatën.
Po ashtu pritet edhe raporti i ekspertizës mjeko-ligjore e cila do të tregojë nëse 67-vjeçari vdiq nga goditja e trenit apo nga mungesa e ndihmës së parë. Nëse rezulton kjo e dyta atëherë organi i akuzës do të duhet të çojë para drejtësisë pjesë të personelit të spitalit të Lushnjës.
Enver Saraçi u përplas javë më parë nga treni i linjës Tiranë-Vlorë në rrethrrotullimin e Stravrës, teksa po punonte në tokat afër shinave.
Shkrime të tjera me interes:
- Nuk iu dha ndihma e parë, familja Saraçi akuzon spitalin e Lushnjes Lushnje- Familjarët e Enver Saraçit, i cili humbi jetën si...
- Aksidenti hekurudhor, ndërron jetë në spital 67-vjeçari Tiranë- 67-vjeçari që u përplas dy ditë më parë nga...
- Aksidenti hekurudhor, Dyrmishi: Policia na lajmëroi me vonesë. Policia: Spitali neglizhoi Lushnje- Drejtoresha e spitalit të Lushnjes ka reaguar pas aksidentit...