I akuzuar për “shpërdorim detyre”, ish-kreu i Bashkisë Finiq shpallet fajtor, GJKKO e dënon me 4 vite burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë Finiq Leonidha Hristo, dënim i cili përgjysmohet në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hristo u shpall fajtor këtë të martë (14 prill) nga GJKKO për veprën penale “shpërdorim detyre”, për abuzim me tendera në vlerën 77 milionë lekë.
Duke iu referuar burimeve zyrtare, gazetarja Flutura Tota raportoi për Rtsh se Prokuroria e Posaçme gjeti prova, si dhe dëshmi, përgjime e dokumentacione që faktojnë se në Bashkinë e Finiqit gjatë periudhës 2017-2019 u zhvilluan disa procedura fiktive prokurimi, për të cilat sipas organit të akuzës u sajua dokumentacioni pasi ishin shpallur fituesit e paracaktuar.
Hristo ka qenë edhe kandidat për kryetar në zgjedhjet e lokale të vitit 2023, me koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë, Florian Perin, Stavri Çavo, Lefter Karjani dhe Lefteria Mekshi po gjykohen në Sarandë, pasi GJKKO ka shpallur moskompetencë për to.