I akuzuari për rrëmbim, kërkon 5 mln dëmshpërblim
Alban Elezaj, 35 vjeç, nga Vlora, është akuzuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e një biznesmeni nga Vlora në vitin 2004
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pak ditë më parë, i dha pafajësinë të akuzuarit, ndërsa ai depozitoi padinë në Gjykatën e Tiranës
TIRANË- Qëndroi pesë vite e 9 muaj në burg, kërkon 5.3 milionë lekë të reja dëmshpërblim nga Ministria e Financave për burgim të padrejtë pas fitimit të pafajësisë. Alban Elezaj nga Vlora, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apeli i kësaj gjykate me 21 vite burg për akuzën e "Vrasjes me paramendim" për interes, të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit Pasho Zotaj, u deklarua pak muaj më parë i pafajshëm nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Pesëshja gjykuese e kësaj gjykate, e cilësoi të pafajshëm Elezajn me argumentin se nuk ka prova materiale që implikojnë atë në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e biznesmenit Pasho Zotaj. Kjo ngjarje ka ndodhur me 15 gusht të vitit 2004, Zotaj është gjetur i vrarë, pasi më parë ishte rrëmbyer nga persona të panjohur.
Në lidhje me këtë ngjarje, veç Alban Elezajt, Policia dhe më pas Prokuroria e Krimeve të Rënda, ngritën akuza edhe ndaj Leonard Elezajt dhe Erion Borakajt, të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.
Pas marrjes së këtij vendimi nga Kolegji i Penal i Gjykatës së Lartë, Elezaj i shpallur i pafajshëm, për akuzën e rrëmbimit dhe të vrasjes, nëpërmjet avokatit të tij, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Nëpërmjet një kërkesë padie ndaj të paditurve Ministrisë së Financave, degës së Thesarit, ai kërkon dëmshpërblimin për kohën e qëndrimit në burg në mënyrë të padrejtë.
Sipas kërkesë padisë me nr. 9242 të regjistruar me 14 maj, Alban Sulejmën Elezaj, kërkon kompensimin financiar për rreth 4 viteve izolim në dhomat e paraburgimit dhe rreth dy vite në qelitë e vuajtjes së dënimit. "Kërkon kompensimin financiar për periudhën nga data 16 gusht 2004 (ditën e arrestimit) e deri më datën 15 prill 2008 (dënimit në formën e prerë) për periudhën e mbajtur në paraburgim.
Dhe nga data 16 prill 2008 (kur vendimi ka marrë fuqinë e prerë) e deri më datë 26 mars 2010 (kur Gjykata e Lartë e deklaroi të pafajshëm) për periudhën e mbajtur në burg. Për gjithë këtë kohë izolimi të padrejtë, i kërkoj Gjykatës së Shkallës së Parë të më dëmshpërblej me shumën 5 milionë e 360 mijë lekë të reja"- thuhet në kërkesë padi të firmosur nga vetë Elezaj.
Dosja pritet të shqyrtohet nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Fatri Islamaj, i cili brenda dy javëve do të caktojë datën e mbajtjes së seancës së parë gjyqësore. Sipas vendimeve të dënimit, i pandehuri Alban Elezaj, është deklaruar fajtor së bashku me Leonard Elezajn dhe Erion Borakaj, për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me paramendim" të kryer më 15 gusht 2004 ndaj shtetasit Pasho Zotaj.
Sipas vendimeve, tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role të ndryshme, më 15 gusht të 2004 i kanë kërkuar vëllait të viktimës, Kadri Zotajt, që të shlyejë detyrimin prej 100 mijë eurosh. Para këto, sipas tyre, të marra borxh gjatë kohës së trafikimit të lëndëve narkotike në Greqi e Itali.
Por, Kadri Zotaj nuk i kishte kthyer, duke bërë që të tre të pandehurit të marrin peng të sapoardhurin nga Greqia ku kishte vuajtur dënimin me 7 vite burg për "vjedhje bankash" shtetasin Pasho Zotaj. Në mbrëmjen e 15 gushtit të vitit të 2004 dyshohet që ai është ekzekutuar me plumb në kokë.
5.3 milionë lekë dëmshpërblim kërkon Alban Elezaj për kohën qëndrimit të tij në burg, nga viti 2004, kur u arrestua për akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së një biznesmeni në Vlorë.
109 muaj burg ka kryer Alban Elezaj, pas arrestimit të tij, i akuzuar si autor i rrëmbimit të biznesmenit në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë nga qyteti i Vlorës