E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për shpërblimet e efektivëve të vrarë ka mangësi

Sindikata e Policisë

Kryesindikalisti Sadetin Fishta thotë se krahasuar me vendimin e vitit 1999, në këtë projektligj policët humbasin disa avantazhe

TIRANE- Kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, reagon në lidhje me projektligjin për efektivët e Ministrisë së Brendshme të paraqitur nga Këshilli i Ministrave në Kuvendin e Shqipërisë.


Në këtë projektligj, parashikohet ndihma financiare, për efektivët e Policisë, së Shtetit, të Gardës së Republikës, SHKB-së dhe Zjarrfikëseve që humbin jetën në krye të detyrës apo për shkak të detyrës. Veç ndihmës së menjëhershme financiare është parashikuar që familjet e tyre të kenë edhe favore dhe përparësi në nevoja të tjera të jetës së përditshme.


Fishta, thotë se nuk është njohur me projektligjin e paraqitur nga qeveria në parlament, por pohon se është njohur në rrugë private me të. Nisur nga projekti që përmban 9 nene, Fishta thotë se në projektligj vërehen disa probleme serioze që pavarësisht kësaj nisme ligjvënëse të qeverisë, ato nuk marrin zgjidhje.


Ndër to, ai përmend efektivët e Policisë të vrarë, përpara vitit 1999, të cilët nuk kanë marrë trajtim ekonomik dhe financiar nga instituticionet shtetërore pavarësisht se edhe ata mund të kenë rënë në krye të detyrës, apo për shkak të saj.


"Nëse për punonjësit e Policisë së Shtetit, të vrarë pas vitit 1999, ka pasur dy vendime qeverie të viteve 1999 dhe 2001 që trajtonte financiarisht dhe ekonomikisht familjet e tyre, për ata të vrarë në periudhën 1990- '99, nuk ka pasur një akt ligjor apo nënligjor që parashikonte një trajtim të tillë për familjet e tyre".


Sipas Fishtës, ashtu si më parë, edhe në këtë projektligj nuk është parashikuar trajtimi përkatës për këto familje dhe ato nuk mund të përfitojnë një trajtim të tillë pavarësisht se atyre iu takon një gjë e tillë.


Sipas kreut të Sindikatës së Policisë së Shtetit, projekt ligji i propozuar nga dy vendimet e mëparshme të qeverisë, ato të viteve 1999 dhe 2001, ka disa mangësi në disa drejtime. Së pari sipas tij, masa e shpërblimit për familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës ishte deri në 300 mijë lekë për person, si ndihmë e menjëhershme.


"Sa i përket trajtimit shëndetësor të efektivëve të dëmtuar apo të gjymtuar gjatë kryerjes së detyrës, apo për shkak të saj, në vendimin e vitit 1999, parashikohej që detyrimet e pagesave, të spitaleve, ushqimit, të udhëtimit dhe shpenzime të tjera, përballoheshin nga shteti.


Kjo në rastet kur ishte e nevojshme kurimi i tyre jashtë vendit, ndërsa në projektin aktual parashikohet që një gjë e tillë të përcaktohej me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo është një hap mbrapa sipas Fishtës në këtë drejtim" Për ata të cilët ishin në ngarkim të të vdekurit edhe një ndihmë nga 100- 200 mijë lekë të reja për person.


Në të kundërt në këtë projekt ligj, shuma është kufizuar vetëm në masën e 200 mijë lekëve për person, por nuk ka shtesë tjetër për persona që ishin në ngarkim të punonjësit që ka humbur jetën. Strehimi, sipas kryesindikalistit Fishta në vitin 1999, qeveria kishte parashikuar edhe strehimin për familjet e punonjësit të policisë që binte në krye të detyrës.


Për të gjithë ata që ishin me statusin e të pastrehuarit, parashikonte dhënien e një kredie me përparësi, me interes zero për një periudhë për 25 vite, ndërsa për ata që ishin të pa strehë por që nuk e kishin këtë status, parashikohej dhënia e një kredie me interes deri në 1 për qind për 25 vite. Ndërkaq në projektligjin aktual, parashikohet dhënia e kredisë dhe ndihmës për strehim për këtë kategori dhe me përparësi sipas ligjeve në fuqi.

*****************************

Sigurimi i jetës së policëve detyrim i shtetit


Krysindikalisti i Policisë, Fishta, thotë se projektligji i mësipërm përpara se të propozojë një projektligj që bën fjalë për ndihmën ekonomike për këtë kategori punonjësish, ajo duhet të bëjë më parë sigurimin e jetës së punonjësit të policisë për rastet kur ai vritet në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës.


Sipas tij, nëse qeveria, një pjesë të përqindjes që mban për sigurimet shëndetësore të punonjësve të policisë ta kthente në sigurimin e jetës për punonjësit e policisë, por edhe për kategoritë e tjera atëhere, nuk do të qe e nevojshme që familjet e punonjësit të policisë të ndihmoheshin financiarisht. Fishta thotë se nga e gjithë paga e një punonjësi policie në një vit, 3.4 për qind e saj shkon për sigurimin shëndetësor të tyre.


Nëse vetëm një përqindje e vogël e kësaj, mase që mbahej me qëllim sigurimin shëndetësor të efektivëve, do të ishte një mënyrë më e saktë e menaxhimit të kontributeve të mbledhura.

Qeveria duhet të garantojë shkollimin, për fëmijët


"Shkollimi i fëmijëve të punononjësve të Policisë së Shtetit, por edhe i kategorive të tjera të përmendura në këtë projektligj duhet të garantohet nga shteti.


Por duke qenë se unë përfaqësoj Policinë, po flas për këtë kategori",- thotë kreu i sindikatës policore. Ai shton se në vendimin e mëparshëm të qeverisë, parashikohej, që të gjithë fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, duhet të kishin të garantuar, shkollimin dhe trajtimin me bursë, edhe pse ata nuk kishin mundur të kualifikoheshin në konkurset përkatëse.


"Këtu projektligji aktual, ka disa mangësi që mendoj se duhen përmirësuar nga ligjvënësit në Kuvend, pasi në të parashikohet vetëm trajtimi me bursë dhe jo garantimi i hyrjes në shkollat e larta publike në vend, pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të vendosura nga Ministria e Arsimit, siç janë konkurset",- përfundon Fishta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›