I akuzuari për terrorizëm kërkon avokat për të dëshmuar
TIRANE - Artan Kristo, i akuzuar për thirrje dhe veprime që nxitin terrorizmin, nuk ka pranuar të flasë për policinë rreth akuzave të ngritura ndaj tij. Kristo alias Muhamed Abdullahi u arrestua në klinikën e tij "shëruese" në Shijak, rreth orës 16:00 të pasdites së të hënës nga skuadra e operacioneve e policisë së Tiranës. Arrestimi u krye në bazë të urdhër-arrestit të Prokurorisë së Tiranës, i siguruar në Gjykatën e Faktit në kryeqytet. Kristo mësohet se ka kërkuar konsultimin dhe mbrojtjen nga një avokat si kusht për deklarimet e tij. Në pritje të marrjes së një dëshmie nga prokuroria, koha për gjetjen e një avokati konsiderohet e mjaftueshme. Kristo ruan të drejtën e ballafaqimit me gjykatën në prani të një avokati dhe pas kësaj procedure pritet marrja e tij në pyetje. Kristo akuzohet se përdorte blog-un në internet në faqen "albselefet", për të bërë publike thirrjet e tij në emër të "Luftës së Shenjtë". Kristo 3 vjet më parë ishte shoqëruar për të dëshmuar në lidhje me vrasjen e 13 janarit të vitit 2003, në zyrën e Komunitetit Musliman të sekretarit të Përgjithshëm Sali Tivari, për të cilën ishte në hetim.
(s.g/BalkanWeb)