E Shtunë, 31 Tetor 2026

I bleu!

Share

Nga Mero Baze

Opozita, e cila ka fituar bindshëm zgjedhjet në Qarkun e Vlorës, humbi kryetarin e këtij Qarku në mbledhjen e radhës. Edhe pse me një epërsi numerike të madhe, disa aleatë të Partisë Socialiste, përfshi dhe së paku dy drejtues të saj, kaluan me pushtetin. Këto zgjedhje pasuan zgjedhje po ashtu problematike në Qarkun e Beratit apo ndonjë qark tjetër, të cilin qeveria arriti ta marrë edhe pse ka humbur zgjedhjet.

E di që në këto momente ka shumë neveri dhe akuza mbi ata që shiten apo blihen, dhe të gjithë janë gati të prodhojnë një skenë infuzioni ndaj tyre. Arsyet duket se janë të ngjashme në të gjitha rrethet. Njerëz gjoja të pakënaqur nga përfaqësimi në opozitë, befas ikin një ditë nga një parti e madhe, që së paku bën zgjedhje brenda saj, dhe shkojnë tek parti e Ilir Metës dhe parti e Sali Berishës, që nuk bëjnë formalisht as Kongrese. Skema është e thjeshtë. Shpërblehen dhe përdoren për ti marrë pushtetin që i ka dhënë populli opozitës.

Por mua nuk më shqetëson shumë fakti se në jetën tonë politike ka njerëz që shiten apo blihen për pare. Në një shoqëri pa shumë rregulla dhe pa shumë gara siç është Shqipëria, mënyra për të ecur përpara përmes metodave të tilla, ëndërrohet jo pak nga shumë prej atyre që merren me politikë. Në këtë vend nëse je bujk dhe mendon se do të mbash familjen duke punuar tokën, të falimenton i pari i fshatit, që i hap doganën pushteti dhe i bie domatet më lirë nga jashtë, nëse je fermer dhe mendon të bësh lek duke mbjellë sipërfaqe të tëra me prodhime bujqësore, të konkurron trafikanti i hashashit, që se ndalon qeveria ta mbjellë dhe ta shesë, dhe të merr dhe plehun e bagëtive për hashash, nëse je biznesmen dhe mendon të prodhosh diçka në vend, të mbyt tregtari që rregullon pjesën me pushtetin dhe bën biznes pa taksa, nëse je shitës nafte, të mbyt kontrabandisti i famshëm, që kryeministri i thotë Taqi me dialektin e Jozefines, që merr naftë nga nëntoka dhe e kalon direkt në pika karburanti duke ulur pak çmimin dhe duke zhytur në krizë tatimet shqiptare që sguxojnë as ti kërkojnë lekët e tyre. Pra, shoqëria shqiptare edhe jashtë politikës është e mbushur me mungesë rregullash dhe gare, dhe smund ti vihet faj ndonjë prej këtyre fshatarëve, fermerëve apo biznesmenëve nëse bëjnë dhe këta trafik për të mbijetuar apo për të bërë para.

E njëjta gjë po ndodh dhe në politikë. Qeveria nuk i ka votat e popullit, por ka paratë e popullit. Dhe ajo fillon e blen pushtetin qark më qark, fshat më fshat, individ më individ. Kështu ka marrë thuajse 5 qarqe deri tani, edhe pse i ka humbur ato me vota. Individë opozitarë janë thyer para ofertës për para dhe shpërblime të menjëhershme dhe kanë dhënë votën për pushtetin. Është e kotë të bësh gjyqin e tyre. Ata përfaqësojnë atë produkt origjinal të këtij pushteti, vjedhjen e votës. Duke qenë një produkt origjinal i kësaj qeverie, kjo kategori po kthehet në një lloj ndryshku për demokracinë shqiptare, që do ta shoqërojë atë shumë gjatë.

Por ne këtu nuk mund të vazhdojmë të bëjmë lista tradhtarësh të vegjël nëpër katunde apo derra të majmur nga korrupsioni i dikurshëm socialist, që nuk u pritet të rivjedhin përsëri dhe vrapojnë duke lëpirë buzët tek modeli i Ilir Metës. Ne jemi këtu për të dëshmuar se kemi një qeveri që blen pushtetin e saj. Partia Demokratike ka dalë e dyta në këto zgjedhje me 14 për qind pas Partisë Socialiste dhe për të kompensuar këtë humbje drastike, Sali Berisha ka nisur njerëz me lek në brez të blejnë votat e deleguara në Këshillat e Qarqeve. Rasti i Vlorës ishte me klasiku. Shqiptarët, bile bregdeti, votoi më shumë se kushdo tjetër me koshiencë kundër Sali Berishës, kundër Shkëlzenit, Rrahmanit, Argitës dhe gjithë legjendave që sillen mbi kokat e tyre për toka, leje ndërtimi, resorte turistike, që nga Palasa deri në Ksamil. Partia e Sali Berishës nuk arriti dot as 15 për qind në bregdet e vetme dhe në dhjetëra kilometra rrugë të Bregdetit lexon parulla “Larg duart nga tokat tona”, “Sali pushtues”, etj. Banorët e asaj zone kanë qenë shumë të motivuar për të votuar pra kundër Sali Berishës dhe pushtetit të Familjes së tij. Dhe kur nuk blen dot popullin, ai provon dhe shpesh ka sukses të blejë ata që voton populli. Ndaj dhe Sali Berisha e donte me çdo kusht Qarkun e Vlorës si institucionin kupolë që do të firmosë lejet e ndërtimit dhe do të legalizojë ëndrrat për plan-bizneset e Familjes në bregdet. E bleu. Mos u dëshpëroni kot se opozita nuk mund të paguajë më shumë se Sali Berisha. Opozita ka votën e shqiptarëve, kurse Sali Berisha ka paratë e shqiptarëve.

Problemi që ne kemi sot, nuk është të konkurrojmë Sali Berishën duke bërë para më shumë se ai që të mos na i blejë votat. Problemi që ne kemi është se Sali Berisha po provon çdo ditë se po blen pushtet në këtë vend dhe kjo është më e rëndë se çdo akt tjetër antidemokratik që ai ka ndërmarrë, përveç vrasjeve të vetëdijshme të 21 Janarit. Rasti i Vlorës është shembulli kuptimplotë përse Sali Berisha vjedh pushtetin, dhe kur nuk mund ta vjedhë, e blen atë. I duhet me çdo kusht për të legalizuar pasuritë e tij. I duhet që Lulëzim Basha të ndërtojë i qetë dy pallate në mes të Ujit të Ftohtë mbi det dhe ne të dëgjojmë Sali Berishën të dërdëllisë që nuk lejojë pallate 100 metra afër detit. I duhet të ketë njerëz pengje në ato zona, që mund ti përdorë si kamikaz me një përdorim kundër opozitës për të ndalur ndryshimin e pushtetit që mund ti rihapë atij gjithë problemet që po përpiqet ti mbyllë me lek. Personalisht nuk ndjehem i dëshpëruar përse opozita nuk po qeveris dot qarqet që i fitoi me shumicë votash. Do të isha i dëshpëruar po ti vidhte votat Sali Berisha, por ai nuk vodhi dot, por i bleu. I bleu siç bleu Ilir Metën më 2009, siç bleu më pas deputetë socialistë dhe siç po josh drejtues të saj, i bleu siç ka blerë medien dhe po blen gjyqësorin, i bleu siç ka blerë mbështetjen tek lobistët në SHBA apo ndonjë zyrtar perëndimor në Bruksel, i bleu se ata janë njerëz të varfër, të dobët dhe të shitshëm. Ka plot individë opozitarë që duan ti japin fund opozitarizmit, për arsyet e  tyre dhe mbi të gjitha për ofertat e Berishës, por smund të ketë kurrë një qeveri që pretendon të na çojë në Evropë, që kërkon ti japë fund opozitës duke e blerë me para. Kjo është qeveri e Sali Berishës. Mjafton ky fakt për të mbyllur debatin për vjedhjen e votave dhe blerjen e pushtetit në këtë vend. Dhe për të rihapur debatin nëse ky regjim duhet mundur apo duhet përmbysur. Si Gadafi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›