Dy fëmijë mbyten në gropën me ujë
SHIJAK/ OERD ULQINIVëlla e motër shuhen tragjikisht teksa luanin së bashku në oborrin e shtëpisë. Një tragjedi e dyfishtë ka goditur familjen e Spartak Allamanit, banuese në fshatin Rreth, pranë zonës së njohur si “Katër Rrugët e Shijakut”. Vëlla e motër janë mbytur aksidentalisht në një gropë me ujë, e cila gjendej jo më shumë se 50 metra larg shtëpisë. Drama është konsumuar në harkun e pak sekondave, rreth orës 14:00, kur dy fëmijët, pasi kishin drekuar në shtëpi, kishin dalë për të luajtur në oborrin e shtëpisë. Vajza me inicialet F.A. 6 vjeçe si dhe vëllai i saj më i vogël 4 vjeçari A.A. janë gjetur të mbytur nga disa persona që po kalonin rastësisht buzë kanalit. Thuajse ngjitur me oborrin e vogël të shtëpisë gjendet gropa, e cila është vazhdim i një kanali të vjetër vaditës për tokat bujqësore. Ka rezultuar e kotë përpjekja për t’i shpëtuar, pasi në kohën e ardhjes së ndihmës dy fëmijët ishin pa puls. Mësohet se reshjet e dendura të ditëve të fundit, e kanë fryrë nivelin e ujit, duke e thelluar gropën. Kjo rrethanë duket se ka shkaktuar tragjedinë e madhe, e cila u mori jetën dy fëmijëve të mitur. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që sollën tragjedinë. Sipas të gjitha gjasave ka qenë një mbytje aksidentale, ajo e cila ka rezultuar fatale për dy jetët e mitura. Sipas hetuesve gropa ishte edhe e rrethuar nga shkurret e shumta, gjë e cila e ka shndërruar atë në një “grackë” të padukshme për dy fëmijët. Askush nga familjarët apo fqinjët nuk ka dëgjuar thirrje për ndihmë nga zërat e mitur. Kjo rrethanë tregon se tragjedia ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër, duke i sjellë fëmijëve vdekjen nga asfiksia prej ujit. Mësohet se familjarët e tjerë ndodheshin në shtëpi, kur ndodhi ngjarja. Familja ka edhe një tjetër fëmijë, i cili në atë moment për fat të mirë qëndronte brenda mureve të shtëpisë. Sipas hetuesve motër e vëlla kishin dalë për të luajtur në oborr, duke përfituar nga paraditja pa shi. Policia është ende duke ndërtuar mekanizmin e ngjarjes tragjike. Hamendësohet se fëmijët në vrapim e sipër të kenë shkarë në breg të gropës së bashku, duke humbur jetën në pak minuta. Ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia që në përpjekje për të shpëtuar vëllain e vogël nga mbytja 6-vjeçarja të ketë humbur jetën. Hetuesit po vlerësojnë të gjitha këto supozime, duke bërë ndërtimin e saktë të ngjarjes së rëndë. Mësohet se gropa dhe kanali që shtrihej buzë oborrit nuk kishin rrethim sigurie. Anës tij vegjetonin disa shkurre të larta, të cilat shërbenin si tregues për gropën e ujit. Sipas dëshmitarëve fëmijët ishin larguar për shumë pak kohë dhe shumë pak metra nga banesa për të luajtur, por fatkeqësisht kanë përfunduar në gropën e mbuluar nga shkurret, nga ku nuk kanë mundur të dalin të gjallë. Sipas hetuesve thellësia mesatare e kanalit është afro 50 cm, ndonëse vende-vende ai është më i thellë, pasi shirat e ditëve të fundit kishin fryrë shtratin e tij.Dy peshkatarë rrezikojnë jetën,një tjetër i zhdukur prej 2 ditëshSHKODER/ DURRES – Dy peshkatarë u shpëtuan mbrëmë nga policia kufitare e Durrësit pasi rrezikuan jetën nga dallgët e mëdha, ndërsa një tjetër në Shkodër rezulton i zhdukur. Situata e motit ka vështirësuar dhe vënë në rrezik jetën e peshkatarëve. Rreth orës 19:30, alarmi i dhënë nga Ramazan dhe Ardian Hyseni në policinë e Durrësit i shpëtoi ata në kohë. Burime të policisë lokale pohuan se dy peshkatarët kishin dalë për të mbledhur rrjetat me një barkë të vogël peshkimi. Por, rreth 1 milje larg bregut dallgët e mëdha i kanë shtyrë drejt detit të hapur. Menjëherë kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe rojet kufitare mundën t’i shpëtonin në kohë, duke i nxjerrë në breg. Ndërsa fati i mirë ka qenë në anën e dy kushërinjve Hyseni, nuk dihet ende ai i Enver Zenelit nga Shkodra. Familjarët e peshkatarit 48-vjeçar rezulton i larguar nga shtëpia e tij në Bërdicë prej dy ditësh dhe asnjë shenjë nuk ka për të. Dyshohet se ai mund të jetë mbytur në lumë. Për këtë arsye, polumbarë të repartit RENEA janë nisur në kërkim të trupit të tij. Sipas familjarëve, Zeneli ishte nisur për peshk paraditen e së shtunës, në afërsi të lumit Buna. Ata kanë pritur në mbrëmje që ai të kthehej, por kur kjo nuk ka ndodhur lajmëruan policinë. Policia e Shkodrës fillimisht është drejtuar pranë urës së Bunës, aty ku ai gjuante peshk. Në breg kanë gjetur mjetet e peshkimit të Zenelit. Nisur nga fakti se lumi ka pësuar fryrje të madhe nga prurjet është hedhur dyshimi për mbytjen e tij. Kërkimet dështuan mbrëmë, për të rinisur mëngjesin e sotëm. r.dVuante nga epilepsia, mbytet i mituriLEZHE - Një 12-vjeçar është gjetur i pajetë në grykëderdhjen e një kanali kullues në fshatin Tale të rrethit të Lezhës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Maringlen Lleshi ndërsa ka dalë me bashkëmoshatarët e tij për të luajtur, ai ka rrëshqitur në afërsi të një kanali me ujë. Sipas familjarëve ai kishte vuajtur më parë nga sëmundja e epilepsisë dhe në momentin e tragjedisë është prekur prej saj. Bashkëmoshatarët e tij nuk e kanë kuptuar. Ata kanë vazhduar të luajnë, duke menduar se ai rrotulluar poshtë kanalit, për t’u fshehur. Pasi kanë pritur disa minuta ata janë shqetësuar pse nuk po dilte dhe e kanë thirrur. Por e kanë parë atë që nuk lëvizte. Kanë lajmëruar familjarët e më pas policinë për atë që ka ndodhur. Familjarët e tij thanë se ndonëse vuante prej vitesh nga kjo sëmundje dhe kurohej, ajo mund ta kapte në çdo moment. r.n