I burgosuri thyen lejen, pezullohet drejtoresha e burgut 325

Pas ngjarjes së ndodhur dje në burgun 325 në Tiranë, ku një i dënuar ka thyer lejen e marrë dhe nuk është kthyer në qelitë e burgut të vuante dënimin e mbetur, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka urdhëruar menjëherë hetimin e lejes së dhënë dhe ka urdhëruar sot pezullimin nga detyra të Drejtoreshës së këtij burgu Irena Çelaj.
Astrit Dervishi është i dënuar me 1 vit burg për vjedhje duhet të ishte kthyer dje në orën 13:00 në burg. I dënuari ka vuajtur 7 muaj dhe 27 ditë dhe i ngelen për të vuajtur 4 muaj dhe 3 ditë burgim.
I dënuari ishte i pajisur nga Drejtoria e Institucionit me leje shpërblyese të planifikuar për muajin gusht 2012, përkatësisht nga ora 09.00 e datës 17.08.2012 deri në orën 13.00 datë 22.08.2012. Kjo ishte leja e dytë e të dënuarit. Ky i dënuar ka shkuar me leje shpërblyese dhe në muajin maj 2012, përkatësisht nga data 11.05.2012 deri në dt. 16.05.2012.