E Diel, 1 Nëntor 2026

I cenojnë jetën private, Patozi padit për shpifje “Gazetën shqiptare”

“Ngjarja, një precedent i rrezikshëm”

“Trillimet e paskrupullta, keqpërdorim mizor”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka vendosur t’i drejtohet drejtësisë pëmes një kallëzimi penal ndaj “Gazetës shqiptare” për shpifje ndaj personit të tij. Shkak i këtij vendimi është bërë një precedent i rrezikshëm në median shqiptare, sulmi i jetës private të funksionarit të lartë të PD-së bazuar në trillime të paskrupullta. Nisur nga kjo, ku shkrimi nuk bazohet mbi asnjë fakt, përveç thashethemeve, përmes një deklarate për shtyp, z. Patozi lajmëroi dje: “Do ‘i drejtohem gjykatës, i bindur se nuk do të kem përballë asnjë gazetar, por një apo më shumë keqbërës ordinerë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me principet e shenjta të shtypit të lirë”. “Dhe këtë, - shton ai, - do ta bëj jo i nxitur nga motive personale, por i bindur se duhet dhënë një mësim për të gjithë “vrasësit me pagesë”, që mund të shkrehin sërish armët dhe të cenojnë pa u ndëshkuar jetën dhe lirinë e tjetrit”. Sipas tij: “Gazeta shqiptare” i ka lejuar vetes të keqpërdoret mizorisht, duke botuar dje trillime të paskrupullta, të cilat më referohen mua”. Nënkryetari i PD-së, Patozi, dikur gazetar nga më të njohurit për objektivitet dhe profesionalizëm, sqaroi publikun se gjithçka thuhet në ato radhë, janë shpifje dhe vetëm shpifje të paskrupullta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë si prapavijë të tyren një sulm të ulët, që ka lidhje me funksionet e tij politike. “Duke hedhur poshtë me neveri të pavërtetat e gazetës, - vijon deklarata, - i kërkoj asaj, që në përputhje me etikën më elementare të shtypit, të botojë këtë përgënjeshtrim në të njëjtën vend dhe hapësirë si në numrin e djeshëm”. Si një prej gazetarëve me përvojë të gjatë në këtë vend, Patozi shton: “Mund të them pa mëdyshje se ky është rasti më flagrant i shpërdorimit të lirisë në të gjithë historinë e shtypit shqiptar”. Duke ruajtur të paprekur konsideratën më të lartë për fjalën e lirë, për misionin e shtypit dhe për profesionin e nderuar të gazetarit, Patozi thotë se e konsideron ngjarjen si një precedent të rrezikshëm dhe ogur të keq që mund t’i hapë rrugë një epidemie të panjohur më parë në gazetarinë e shkruar shqiptare. “Gjatë gjithë aktivitetit tim publik, që nga viti 1991 e deri më sot, nuk kam menduar kurrë se do të vinte një ditë që do t’i drejtohesha gjykatës për një organ shtypi apo gazetar. Por, më duhet të pohoj, pa asnjë keqardhje, se e ndiej të moralshme dhe jam i detyruar që ta bëj këtë”, - thekson Patozi. Në përfundim, ai konfirmon se pavarësisht dëshirës apo pritshmërisë së porositësve dhe autorëve të shpifjes, do të vazhdojë i qetë dhe i vendosur të ushtrojë me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi funksionet e tij publike.

Deklarata e plotë e z. Astrit Patozi, nënkryetar i PD-së

“Gazeta shqiptare” i ka lejuar vetes të keqpërdoret mizorisht, duke botuar dje trillime të paskrupullta, të cilat më referohen mua. Sqaroj publikun se gjithçka thuhet në ato radhë, janë shpifje dhe vetëm shpifje të paskrupullta, të cilat, sipas të gjitha gjasave, kanë si prapavijë të tyren një sulm të ulët, që ka lidhje me funksionet e mia politike.

Duke hedhur poshtë me neveri të pavërtetat e “Gazetës shqiptare” i kërkoj asaj, që në përputhje me etikën më elementare të shtypit, të botojë këtë përgënjeshtrim në të njëjtën vend dhe hapësirë si në numrin e djeshëm.

Si një prej gazetarëve me përvojë të gjatë në këtë vend, mund të them pa mëdyshje se ky është rasti më flagrant i shpërdorimit të lirisë në të gjithë historinë e shtypit shqiptar.

Duke ruajtur të paprekur konsideratën më të lartë për fjalën e lirë, për misionin e shtypit dhe për profesionin e nderuar të gazetarit, e konsideroj ngjarjen si një precedent të rrezikshëm dhe ogur të keq që mund t’i hapë rrugë një epidemie të panjohur më parë në gazetarinë e shkruar shqiptare.

Gjatë gjithë aktivitetit tim publik, që nga viti 1991 e deri më sot, nuk kam menduar kurrë se do të vinte një ditë që do t’i drejtohesha gjykatës për një organ shtypi apo gazetar. Por, më duhet të pohoj, pa asnjë keqardhje, se e ndiej të moralshme dhe jam i detyruar që ta bëj këtë.

Do t’i drejtohem gjykatës, i bindur se nuk do të kem përballë asnjë gazetar, por një apo më shumë keqbërës ordinerë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me principet e shenjta të shtypit të lirë. Dhe këtë do ta bëj jo i nxitur nga motive personale, por i bindur se duhet dhënë një mësim për të gjithë “vrasësit me pagesë”, që mund të shkrehin sërish armët dhe të cenojnë pa u ndëshkuar jetën dhe lirinë e tjetrit.

Dhe në përfundim, më duhet të konfirmoj se, pavarësisht dëshirës apo pritshmërisë së porositësve dhe autorëve të shpifjes, unë do të vazhdoj i qetë dhe i vendosur të ushtroj me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi funksionet e mia publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›