E Diel, 1 Nëntor 2026

Riorganizimi i PD-së, Bumçi: Sipas rezultatit të 28 qershorit

“Zëvendësim krerëve që kishin rezultate të dobëta”

Bumçi, kundër posteve të njësuara në PD

Riorganizimi i PD-së deri në nivelet më të larta do të bëhet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Krerët e strukturave që patën rezultat të dobët në zgjedhje, do të zëvendësohen, ndërkohë që shtohen zërat për ndarjen e posteve partiake nga ato ekzekutive. Kreu i demokratëve të Tiranës, Aldo Bumçi, bëri dje të ditur se ka ardhur koha që organizimi i Partisë Demokratike t’i përshtatet faktit që partia është duke qeverisur vendin. Disa prej ministrave që gëzojnë edhe poste drejtuese në parti, sipas Bumçit, duhet të largohen për shkak të impenjimeve të shumta në qeverisje. “Kur fiton zgjedhjet është normale që figurat kryesore, njerëzit që kanë mbajtur peshën e kësaj partie në opozitë, të kalojnë në qeverisje. Ne periudhën 2005-2009 pjesa kryesore e vëmendjes ishte tek qeveria dhe partia u la në njëfarë mënyre në heshtje. Mendoj që duhet ta tejkalojmë këtë fazë, të krijojmë një traditë. Në fund duhet të kemi një parti që të jetë aktive, të mbajë kontaktet me njerëzit, për këtë arsye partia ekziston”, - deklaroi z. Bumçi. Ai vuri në dukje se “strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njësuara. Nuk është debati me emra të përveçëm që e ndihmon këtë”, - theksoi z. Bumçi. Kreu i PD-së së Tiranës shton më tej se nuk do të kursehet zëvendësimi i krerëve të atyre strukturave që kishin rezultate të dobëta në 28 qershor, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit të 2007-s. ”Një analizë nuk është për të prerë koka. Nisesh për të rregulluar, aq më tepër që zgjedhjet kanë ndodhur disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Nëse diku ka një rënie të ndjeshme, duhet parë pse ka ndodhur dhe patjetër do të merren edhe hapat e nevojshëm për ta korrigjuar. Nëse korrigjimi kërkon edhe ndryshimin e kryetarit të atij seksioni, edhe ajo do bëhet”, - tha z. Bumçi. Por, sipas tij, largimi i krerëve të strukturave me rezultat të dobët nuk është qëllimi final i analizave. Kryesia e PD-së ka lajmëruar mbledhjen e kuvendit të 9-të me datën 12 dhjetor në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku përmes votës së fshehtë do të zgjidhen strukturat e reja të partisë në pushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›