E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku misterioz i Trebickës

Prokuroria verifikoi në një hotel të Korçës listën e personave të regjistruar më datë 11 shtator, pasi ka informacione se një ditë më pas nga ky hotel është parë të dalë një person që kishte njohje me Kosta Trebickën

TIRANË - Kosta Trebicka mund të jetë takuar në Korçë nga një person që ai e njihte. Nuk bëhet fjalë për telefonuesin anonim, i cili po verifikohet nga organet hetimore, por për një tjetër person që duhet të takonte biznesmenin. Hetuesit që kanë në dorë çështjen e vdekjes së mistershme të Kosta Trebickës po përpiqen të gjejnë një pikë lidhëse mes dëshmisë së biznesmenit dhe aksidentit të dyshimtë. Gjashtë ditë pas vdekjes së dëshmitarit kryesor të aferës së fishekëve, grupi hetimor i çështjes ka arritur të gjejë një detaj, i cili nëse vërtetohet, mund të jetë shumë i vlefshëm për hetimin dhe zbardhjen përfundimtare të çështjes. Sipas burimeve të sigurta, mësohet se ditën e djeshme një pjesë e grupit hetimor është angazhuar në verifikimin e një të dhëne që mund të shërbejë si urë lidhëse mes dëshmisë së Trebickës dhe aksidentit të dyshimtë. Burimet thanë se organet hetimore paraditen e djeshme kanë sekuestruar në një hotel të qytetit të Korçës listën e personave të regjistruar më datë 11 shtator, ditë në të cilën Kosta Trebicka është regjistruar në hotel “Akademia” në Voskopojë. Verifikimi i listës së personave që kanë qëndruar në hotelin, (emri i të cilit nuk mund të publikohet), sipas burimeve, mësohet se është kryer pas informacioneve që dispononte grupi hetimor se mëngjesin e ditës së premte, datë 12 shtator, nga ambientet e këtij hoteli ka dalë një person që kishte njohje me Kosta Trebickën. Pikërisht ky informacion është duke u vërtetuar tashmë nga Prokuroria e Korçës, e cila po bashkëpunon edhe me grupin hetimor të çështjes “Gërdeci” për zbardhjen e këtij detaji që aktualisht vlerësohet si i rëndësishëm. Burimet thonë se ky është një informacion paraprak, verifikimi i të cilit mund të kërkojë më tepër kohë, pasi ka gjasa që personi në fjalë të jetë regjistruar me emër të rremë në hotel. Dyshimi se Kosta Trebicka është ftuar në Korçë nga një person i njohur, sipas prokurorisë, krijohet nga telefonatat hyrëse në celularin e tij. Kjo është një tjetër arsye, që i ka bërë hetuesit të hedhin pista të tjera hetimore, veç asaj të aksidentit të pastër automobilistik. Të dy këto elemente, sipas prokurorisë, janë tepër të rëndësishëm, të paktën në këtë fazë hetimore, e cila kryesisht është përqendruar në zbardhjen e mekanizmit të aksidentit dhe arsyet që e sollën atë. Nga ana tjetër, organet hetimore nuk kanë lënë jashtë vëmendjes as dyshimin se aksidenti mund të ketë ardhur pas deklaratave që Kosta Trebicka ka dhënë në prokurori. Sipas burimeve, në dëshminë e tij, të paktën për momentin, po verifikohen me imtësi vetëm detajet që i ndjeri ka dhënë rreth takimit misterioz mes Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Efraim Diverolit, Aleks Podriskit dhe një personi rreth 27-30 vjeç, që mbetet ende i paidentifikuar nga strukturat hetimore. Në këtë takim, sipas dëshmisë së Kosta Trebickës, u vendos edhe rritja e çmimit të fishekëve që ndërmarrja “Meico” do t’i shiste kompanisë së Diverolit, nga 22 në 40 dollarë për 1000 copë fishekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›