I dashur Z. Busek, Të dashur pjesëmarrës, Zonja dhe zotërinj, Është një kënaqësi dhe, në të njëjtën kohë, një nder për mua, të hap Takimin e 6-të të Tryezës Rajonale në ku
I dashur Z. Busek,
Të dashur pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi dhe, në të njëjtën kohë, një nder për mua, të hap Takimin e 6-të të Tryezës Rajonale në kuadrin e Nismës së Paktit të Stabilitetit për vendet e Europës Jug-Lindore dhe t'Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë.
Kanë kaluar rreth 4 vjet e gjysmë që nga takimi i Sarajevës, ku u ndërmor Nisma e Paktit të Stabilitetit. Kjo është një periudhë e shkurtër në historinë e një rajoni të vjetër që ka ruajtur deri më sot një trashëgimi negative të ballafaqimeve etnike dhe kombëtare. Gjatë këtyre viteve, të gjithë ne, kemi kontribuar për një rajon më të qetë, më të stabilizuar dhe më të integruar. Sot, pothuajse të gjitha vendet e rajonit, anëtare të këtij Pakti Stabiliteti, nisën negociatat për një marrveshje stabilizimi dhe asociimi me Bashkimin Europian. Sigurisht që, në këtë proces, Pakti i Stabilitetit ka dhënë kontributin e tij të çmuar.
Sipas këndvështrimit tonë, Pakti mbetet nisma e parë e këtij lloji,që ka kontribuar në strukturimin e dialogut politik në nivel rajonal, në partneritetin mes vendeve të rajonit dhe vendeve donatore dhe i ka dhënë gjithashtu dimensione të reja nivelit të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore nga pikëpamja gjeografike dhe konsistenca e tyre nga pikëpamja temporale.
Pakti i Stabilitetit është një instrument prezantues për qëllimin e objektivit strategjik që kanë të gjitha vendet e rajonit tonë–integrimin në familjen e madhe të Bashkimit Europian.
Është e vërtetë që vendet e rajonit tonë kanë background-e dhe kultura historike relativisht të ndryshme. Megjithëse ne po përballemi me probleme të ndryshme dhe ndoshta nevoja të ndryshme, zgjidhjet, destinacioni e instrumentet që na udhëheqin janë të njëjta për të gjithë ne. Sot ne jemi të gjithë udhëtarë të të njëjtit tren.
Pakti i Stabilitetit dhe vetë procesi i integrimit rajonal ka ekzistuar që nga fillimi i apelit që iu be vendeve rajonale që e konsideronin këtë integrim si pjesë e pandashme e një procesi më të gjerë, integrimin në Bahkimin Europian, sepse nuk mund të ketë stabilizim dhe asociim me Europën e Bashkuar pa stabilizim në rajon.
Shqipëria, si një anëtare aktive, ka mbështetur politikisht dhe konkretisht Nismën e Paktit të Stabilitetit dhe ka vlerësuar rolin e tij në lehtësimin e atmosferës politike në rajon, për parandalimin e krizave dhe përforcimin e parametrave të sigurisë, për përmirësimin e dialogut dhe hartimin e strategjive për zhvillimin rajonal në fusha prioritare si: transporti, energjia elektrike, mjedisi, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, trafikun ajror, antitrafikun e qënieve njërëzore, antikorrupsionin, kontrollin e armëve, media, arsimin, etj.
Ne vlerësojmë faktin që kjo Nismë ka promovuar midis të tjerash idenë e krijimit të zonës së tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit, dhe ka dhënë kontributin e saj të çuar për krijimin e rrjeteve të qëndrueshëm rajonal të OJQ-ve, nëpërmjet implementimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në kuadrin e Tryezës së Parë.
Kam kënaqësinë të afirmoj se stabiliteti dhe situata e sigurisë në rajon është përmirësuar mjaft, krahasuar me situatën e katër viteve më parë, kur u nis ky Pakt. Për të kapercyer skepticizmin, një rol mjaft aktiv kanë luajtur shtetet e rajonit dhe aleatet e tyre ndërkombëtare, dhe është siguruar një mbështetje e plotë nga komunitetit donator për hartimin e strategjive, për gjetjen e burimeve financiare dhe implementimin e tyre. Pakti, në pajtim me filozofinë e tij si një nismë, ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe i ka sjelle një vlerë të re këtij procesi.
Sidoqoftë, mendoj se do të ishte e gabuar të shoqërohej ekzistenca e Paktit vetëm me minimizimin e konflikteve në rajon. Arsyet e ekzistencës së Paktit janë me një domethënie më të gjerë se vetëm zgjidhja e konflikteve.
Shqipëria, dhe një pjesë e konsiderueshme e vendeve të rajonit, po dalin nga një fazë autentike tranzicioni. Tendencat e zhvillimit të vendit dhe të rajonit, kërkesat e integrimit rajonal dhe Europian, kërkojnë nga çdokush një vizion dhe cilësi të re të politikave ndërkombëtare të zhvillimit dhe një harmonizim më të mirë të tyre me natyrën e ndihmave të huaja.
Une do ta përkufizoja kështu thelbin e këtij vizioni: "Politikat e deritanishme të ripërtëritjes, të konvertohen në politika të zhvillimit global afatgjatë", duke marrë në konsideratë kontekstin integrues në rajon dhe në Bashkimin Europian.
Pakti i Stabilitetit, si një element i bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si një proces komplementar të përafrimit të vendeve tona me Bashkimin Europian, mund të kontribuojë veçanërisht në harmonizimin e prioriteteve kombëtare, me ato rajonale si dhe një instrument për koordinimin dhe monitorimin e politikave dhe rezultateve.
Për këtë qëllim, ne mund të përfitojmë më shumë nga nismat e Paktit horizontal si Dosja e Investimeve, që është thelbi i reformave ekonomike.
Avantazhi i rajonit tonë është se ne nuk duhet të shkelim në rrugë të panjohura. Ekperienca e llojit "zonat e tregtisë se lirë" (modeli EFTA), doganat e unifikuara, (modeli i BE, vendeve nordike, Vendeve të Ulëta, rasti BE-Turqi, etj) apo harmonizimi i standarteve, legjislacionit dhe politikave, janë provuar tashmë në vende jo larg rajonit tonë dhe kanë dhënë rezultat.
Vendosja e zonës së tregtisë së lirë për Europën Juglindore, i komplikuar siç është dhe pa shpërblime të menjëhershme për vendet tona, është përfshirë tashmë në objektivat strategjike primare të këtij procesi. Kjo do të ndiqet nga harmonizimi i nivelit të taksave dhe atyre doganore, veçanërisht Taksa Mbi Vleren e Shtuar, që do të promovojë shkëmbimet dhe do të shndërrojë rajonin në një treg dhe zonë ekonomike me interes për sipërmarrjet lokale dhe të huaja. Shqipëria është një nga vendet që ka treguar vendosmëri për përballimin e kostos së këtij procesi. Duke marrë në konsideratë këtë, një rajon i tërë do të jetë më atraktiv dhe produktiv se çdonjëri prej vendeve tona të ndara.
Hapi tjetër i natyrshëm në këtë drejtim, është sigurimi i kushteve për levizjen e lirë të njërëzve në rajon, sepse levizja e lirë e mallrave dhe kapitalit në rajon nuk mund të ekzistojë pa levizjen e lirë të njërëzve, pa garantuar këtë të drejtë fondamentale në aspekt rajonal dhe më gjerë.
Gjithashtu në këtë drejtim, nuk mungon eksperienca europiane. Implementimi i hapit drejt të ashtuquajturës "Balkan Schengen" që kemi propozuar dhe për të cilën po punojmë, duhet të jetë një nga drejtimet e përpjekjeve tona për një periudhë afatmesme. Ky është sigurisht një proces kompleks që kërkon investimin e shumë aktorëve dhe që lidhet me një sërë kushtesh që duhet të përmbushen dhe që Shqipëria po i përmbush me shpejtësi. Opinioni jonë publik është veçanërisht i ndjeshëm përsa i përket progresit të bashkepunimit në këtë fushë.
Për Qeverinë Shqiptare, integrimi fillon pikë së pari brenda vendit, me përpjekjet për të arritur standartet e kërkuara në të gjitha fushat, veçanërisht në rrugën e reformave për forcimin e rendit ligjor, ndërmarrja e politikave efektive makro-ekonomike, lufta kundër ekonomise joformale dhe krimit të organizuar, forcimi i sistemit doganor dhe atij fiskal, lufta kundër korrupsionit, etj.
Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë rolin stabilizues specifik dhe moderator në rajon, për të përmirësuar bashkëpunimin dhe lidhjet e fqinjësisë së mirë. Ne jemi të bindur se bashkepunimi në vend të ndarjes, dialogu në vend të ballafaqimit, shoqëritë multi-kulturore në vend të ayre nacionaliste, hapja drejt meritave në vend të izolimit primitiv do të na afrojë më shpejt drejt Europës së Bashkuar.
Sot, në rajonin Europian Juglindor, ka një numër të pafund nismash, shprehje e një mentalitetit të ri bashkëpunimi dhe vëmendjeje të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar drejt nesh. Këto janë instrumenta të rëndësishme integrimi, ku, nëpërmjet harmonizimit të interesave kombëtare dhe ato rajonale, janë sjellje të përpunuara të përbashkëta, politika dhe strategji zhvillimi që ndihmojnë në përmirësimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Por, pas gjithë këtyre vitesh eksperience, kam përshtypjen se nevoja për harmonizim është bërë tashmë e dukshme. Veçanërisht, ne duhet të luftojmë për të eliminuar aktivitete paralele dhe që përputhen me njëri-tjetrin dhe, që ndonjëherë konsumojnë energji, fonde dhe kohë të çmuar.
Besoj se takimi në Tiranë do të analizojë në mënyrë transparente dhe nga pikëpamja e përmirësimit të vlerave të aktiviteteve në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, duke përkufizuar në të njëjtën kohë përcaktime konkrete në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Vetëm kështu ky takim do të jetë i suksesshëm.
Ju uroj suksese dhe faleminderit.