E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqe dhe shokë, Të nderuar delegatë të Konferencës së 11 socialiste të Vlorës, Të dashur miq dhe të ftuar, Më lejoni që t'i uroj mirëseardhjen edhe Edi Ramës dhe mjaft të

Shoqe dhe shokë,
Të nderuar delegatë të Konferencës së 11 socialiste të Vlorës,
Të dashur miq dhe të ftuar,

Më lejoni që t'i uroj mirëseardhjen edhe Edi Ramës dhe mjaft të tjerëve, qe ju vlerësojnë. Është një kënaqësi e pazëvendësueshme për mua të jem në konferencën e socialistëve vlonjatë, të jem prapë në Vlorë dhe të prek nga afër emocionet, dufet e shpirtit, pakënaqësitë dhe entuziazmin tuaj.

Është nder për mua të jesh midis jush dhe të meritosh votën tuaj patriotike, pa të cilën nuk mund të integrohet Shqipëria në Europë. Pa ju, historikisht dhe në kohë moderne, nuk mund të ishte as mbrojtur, as fituar, as zgjeruar liria. Mbi të gjitha, nuk do të kishim asnjë garanci pa ju, pasi përsa kohë jeni ju liria është mbretëresha në këtë vend.

Do t'í përgjigjem me katër fjalë 8 pikave të Edi Ramës. Pranoj paktin dhe le të dëgjojmë qetësisht njëri-tjetrin. Prandaj, ju lutem, entuziazmin, siç kërkoi dhe Edi, t'ia përplasim në surrat të çmendurit, që vazhdon të kërkojë të prishë mendje të tjera, Sali Berishës.

Dua të flas si zakonisht, siç fola dhe në Shkodër. Sikurse kam folur 13 vjet rresht edhe kur kisha për 4 vjet rresht një llambë pesëqindëshe mbi ballë, sepse nuk e di sesa veta mund ta kenë provuar të përpiqen të flenë me një llambë pesëqindëshe të ndezur në ballë për 4 vjet rresht. Nuk dua të luaj në mënyrë populiste me ndjenjat dhe me nervat tuaja politike, pa të cilat PS do të ishte një qenie pa shpirt.

PS nuk është në krizë. Nuk mund të jetë në krizë një parti që ka kaq shumë jetë, nerv, gjak dhe ide. Qeverisja e saj në mënyrë të përsëritur rrezikon krizën dhe kjo nuk është krizë e PS. Kjo është krizë e përfaqësuesve. Kjo është krizë e moralit të përfaqësimit. Prandaj dhe ne presim moralin e komunikimit me përfaqësuesit apo me njëri- tjetrin. Kjo parti nuk është në krizë sepse ka një histori, ka themele, ka institucione, ka vlera, ka militantë, ka votues, pavarësisht se kush i mashtron në zgjedhjet e radhës.

Kjo parti ka investuar dhe ka sakrifikuar dhe, natyrisht, jo vetëm udhëheqja, për të ruajtur dhe modernizuar vlerat e së majtës. Të majtën pa të cilën Shqipëria nuk do të ishte shtet, të majtën që me shpatën e pluralizmit duhet të modernizohet në një mënyrë që Shqipëria të evropianizohet. E djathta apo të djathtët në historinë e Shqipërisë janë përgjegjëse historikisht,- nuk ka amnisti për këtë gjë, nuk ka të drejtë kush ta amnistojë këtë gjë,- për copëtimin e trojeve shqiptare, për shitjen e pjesëve më të mira të tyre tek të huajt, për tradhëti të përsëritura në dobi të shteteve fqinje apo më larg se fqinje apo koalicioneve që i kanë bërë dëm gjithë historisë së njerëzimit, të regjimeve, që mbi të gjitha kanë synuar t'í kthejnë qytetarët, shtetasit në mercenarë apo shërbëtorë të pa gojë dhe pa shpirt.

Kjo parti e ruajti të majtën dhe vlerat e saj. Kjo parti për këtë shkak është e gjallë dhe prandaj duhet ta njohësh atë. Unë e njoh këtë parti deri tek brezi i katërt i veteranëve antifashistë që po anëtarësohen.

Kjo parti është e organizuar në mënyrë demokratike dhe, prandaj, është partia më e votuar nga shqiptarët. Do t'ju ftoja të gjithëve të thelloni analizën e rezultateve në zgjedhjet e fundit vendore, por të mos humbisni toruan dhe ftohtësinë e mendjes përkrah nxehtësisë së shpirtit. Pritni sëmundjet dhe kuroni viruset se nuk është në të mirën tonë që viruset të hanë shokët apo përfaqësuesit. Nuk është në të mirën e askujt që sëmundjet e individëve t'í kthejmë në panik dhe krizë për të ardhmen tonë të përbashkët, të lidhur, siç e thashë historikisht, si mishi me thoin me jetën dhe të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe në botën e përparuar.

Kjo është logjika me të cilën unë i pranoj dhe i kërkoj. Kam 13 vjet që unë i pranoj dhe i kërkoj të gjithë paktet. Kjo është thirrja që unë i bëj përfaqësuesve që kanë humbur qetësinë e mendjes, kontaktin me ju, që kanë humbur respektin për ju, që i kanë dhënë udhë të lirë ndjenjave negative. Kthehuni dhe mos respektoni asnjë individ përveç organizatave dhe komuniteteve të organizuara politike që ju kanë dhënë mandatin e përfaqësimit.

Nuk ka asnjë sistem llogaritjeje të dëmit apo avantazhit, i dashur Ed Allushi, që mund të krijohet duke gëlltitur vetë i pari, duke pështyrë i dyti dhe duke helmuar të tjerët, e treta, me të pavërtetat dhe dizinformacionet që vijnë nga kundërshtarët e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë.

Unë nuk jam këtu, (di ta bëj, mund ta bëj më mirë se askush tjetër), për lojën populiste të ngritjes së sallave në këmbë, por unë nuk lejoj zoti Alushi që ti të marrësh pa e përtypur fare dhe të pështysh në sallë akuzën se Fatos Nano ka luajtur me humbjen jetike të vlonjatëve në piramida. Fatos Nano, si në këtë sallë dhe në sheshin e Flamurit, -i dalë falë zotit me mendje të kthjellët nga burgu i Berishës,- nuk ka thënë kurrë se merr përsipër të kompensojë 100% humbjet e piramidave. Kam thënë në maksimumin e mundshëm dhe kjo nuk lidhet me thesarin që më ka lënë babai, kjo lidhet me atë thesar që krijuam sëbashku në 7 vjet.

Individualisht nuk munda të bëj asgjë më shumë në burg përveçse të shpëtoj bagëtitë e fundit të gardianëve nga jugu, që më hapnin dhe më mbyllnin derën, pasi shumë të tjerë pa pyetur, përfshi dhe njerëz të mi të afërt, me aq mundësi komunikimi sa kishin, kishin lënë shtëpitë, katandinë, mobiljet, veglat e punës, të cilat nuk besoj se mund të kuroheshin me këngët enveriste për Rrapush Xhaferrin.

Thesari që unë premtova, nuk ishte i babait tim, ishte i lidhur me besimin, asnjëherë të tundur te solidariteti ynë. Shpirti ynë demokratik për shkak të rolit të së majtës sonë në histori, në Shqipëri, aftësive tona para të cilave ju nuk jeni zero siç thotë Rexhep Meidani, ju jeni shifra të pakalkulueshme dhe prandaj unë nuk e vë veten as në fund dhe as në fillimin tuaj. Megjithë sjelljen time politike nuk ka nevojë të përmend etapa, jam ndodhur me apo pa spaleta, ofiqe apo mandate gjithnjë në mesin tuaj. Dhe këtë thesar e kemi krijuar dhe po e administrojmë më mirë, duke e kontrolluar edhe si është përdorur, në mënyrë që të mos shpërdorohet në të ardhmen.

Ka dhe shifra të këtij thesari, të cilat çdo vit futen në thesarin e shtetit, të ardhura statistikore për frymë të çdo banori të Shqipërisë. Në vitin '97, kur Vlora dhe gjithë Shqipëria votoi socialistët në mënyrë plebishitare ishin 613 dollarë amerikanë për frymë, sot ato kanë arritur 1660 dollarë amerikanë për frymë. Në qoftë se bashkëprofesionisti im Ed Alushi, ekonomist, do të më thoshte tani pse nuk ka secili prej shqiptarëve 1660 dollarë në xhep, atëherë unë do të prisja me durim të mësoja më shumë informacion. Pasi ajo që ndodh, motra dhe vëllezër, është sepse ata që kundërshtojnë më shumë janë edhe deputetë, ata që shajnë më shumë, ata që janë inatosur më shumë nuk i referohen fare dokumentave dhe statistikave zyrtare, të cilat nuk janë as të sajuara as të shitura në mënyrë propagandistike nga goja ime.

Do të dëshiroja të mos kishim vetëm në një aspekt kaq zhvillim, sepse me 1660 dollarë për frymë aktualisht Shqipëria po del nga klasifikimet dhe vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare - dhe nëse këtë sinjal, Banka Botërore dhe FMN e përhapin tek të gjithë donatorët,- Shqipëria po del nga kategoria e vendeve që po merr fonde gratis dhe në 2004 e tutje. Me këtë nivel prodhimi për frymë jemi të detyruar të marrim borxhe që kthehen totalisht. Kemi marrë dhe deri më sot, - ka shumë më tepër Berisha gjatë çqeverisjes së tij dhe të shpërdorimit të parave që hynë në Shqipëri, duke na lënë vetëm borxhin me humnerën që gjetëm në '97.

Pra këta shokë duhet ta përcillnin informacionin edhe votën tuaj, edhe informacionin që prodhon qeverisja juaj e mandatuar prej jush. Nuk do të lodhem së foluri dhe së informuari partinë dhe publikun se ecuria e punëve, e administrimit publik, e ekonomisë, e bankave, e investimeve publike dhe private, e sipërmarrjes, rendit, e sigurisë dhe sidomos bashkëveprimi i shqiptarëve, jo vetëm i qeverisë, por dhe i faktorëve private apo jo qeveritarë, të gëzojnë liritë në një shoqëri të hapur dhe demokratike, siç është bërë Shqiëpria, janë sot në parametrat më të mirë ndonjëherë historikisht.

Unë e di që ka varfëri edhe këtu në Vlorë. Unë e di që nuk mund të zgjidhet menjëherë problemi i strehimit të familjeve që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale, prandaj mbetem i kthjellët, mendjeftohtë, zemërzjarr për të punuar me ju dhe me të gjithë përfaqësuesit e përgjegjshëm, që nuk lejojnë plaçkitjen e thesarit e të hambarit të krijuar me djersën tuaj.

Vetëm pak ditë më parë mundëm të nisim mbi bazën e ligjit operacionin e ndërtimit dhe të dhënies me çmime shumë të favorshme të 150 shtëpive të para për familjet që humbën strehimin në firmat piramidale.

Po kthehem te partia dhe te forca e saj për të zgjidhur krizën e përfaqësimit. Kjo parti për shkak të traditës dhe besimit te udhëheqësi shpesh e neglizhon faktin që nuk ka vetëm një kryetar.

Demokracia përfaqësuese në PSSH është demkracia më e zhvilluar në shoqërinë shqiptare dhe unë ju përulem me shumë respekt që i dhatë mundësi PSSH të renditet përkrah partive më moderne të globit me të drejta të barabarta si anëtare e IS. Ndërkaq nuk kemi siguruar një vend në qiell me këtë anëtarësim. Jeta vazhdon dhe ashtu siç reformohet OKB, OSBE, BE që po zgjerohet, NATO që po riorientohet pas mbarimit të luftës së ftohtë, vazhdon të reformohet edhe Internacionalja edhe PSSH, e cila me gjithë zhurmën e gjallërisë së jetës së saj të brendshme, të derdhur në publik edhe aktualisht mbetet partia më model që tërheq politikën shqiptare drejt standarteve euroatlantike. Jam i lumtur që kjo bëhet nga e majta e re moderne dhe e përfaqësuar prej nesh.

Kjo parti ka rregulla dhe një skemë institucionesh demokratike të konsoliduara. Prandaj është kaq e revoltuar kur përfaqësuesit thyejnë disiplinën e përfaqësimit. Unë do t'ju kujtoj që në mocionin për debat të dalë nga qelia e Bënçës në ‘96 ne arritëm të gjithë sëbashku në Kongresin e III-të të kryejmë një reformë institucionale që e organizoi shumë më cilësisht dhe me garanci shumë më të mëdha për të funksionuar demokracinë tonë të brendshme.

Po ju kujtoj vetëm pesë elementë të saj. Drejtimi ynë i parë për demokratizimin e partisë ishte decentralizimi i autoritetit dhe i vendimmarrjes. Nuk ka parti tjetër në Shqipëri, që përfaqësuesit i zgjedh drejtpërsëdrejti, përfaqësuesit për të konkurruar për pushtetin vendor dhe atë parlamentar. Ne kemi krijuar institucione dhe rregulla të komunikimit dhe kontrollit të ushtrimit të mandatit të përfaqësisë, pra të rolit udhëheqës të përfaqësuesve nga kuorumet e votuesve, që i zgjedhin udhëheqësit për t'i drejtuar. Ne u kemi dhënë një mandat të përhershëm delegatëve të Konferencave të PSSH vendore. Ju keni qysh në majin e vitit të kaluar një mandat dy-vjeçar, që mbaron majin e vitit 2004. U kemi dhënë një mandat të përhershëm katër-vjeçar delegatëve të Kongresit të partisë, të cilëve u ka mbaruar këto ditë. Të rinjtë që do të zgjidhen do të kenë sërish një mandat të përhershëm me detyra, që përcaktohen në statutin dhe librin tonë të rregullave që nuk ndërpritet.

Natyrisht, ashtu si shoqëria apo qeverisja, ashtu si institucionet e reja apo Kushtetuta, ashtu si statuti ynë edhe partia jonë ka problemet dhe vështirësitë e tretjes dhe të vënies në funskionim të këtyre institucioneve dhe rregullave demokratike të zhvilluara. Problemi themelor shfaqet në raportin midis delegatëve dhe anëtarëve me mandat të përhershëm dhe përfaqësuesve apo udhëheqjeve të tyre, në të njëjtat nivele.

Është i përhershëm diskutimi, shpesh edhe konfliktual, substancialisht i drejtë dhe ende pa zgjidhjen e plotë, për kthimin e kurrizit që i bëjnë partisë dhe zgjedhësve të saj jo vetëm drejtorët në administratën vendore apo rajonale, por tanimë edhe deputetët në pushtetin qendror legjislativ. Kjo do të thotë që përveç shpirtit që dhemb dhe që na sjell në të bërtitura në sallat e konferencave, duhen vajisur, respektuar dhe kontrolluar, mekanizmat e delegimit të votës e përfaqësimit të anëtarësisë dhe raportet midis institucioneve vendimmarrëse me njëri-tjetrin dhe me anëtarësinë e partisë që është e patundur.

Kjo parti ka nevojë për akoma më shumë investim të të gjithëve, reformë, modernizim dhe mbi të gjitha ka nevojë për disiplinë dhe respekt të disiplinuar ndaj anëtarëve të saj, interesave të tyre të sanksionuara në programin politik të partisë dhe në programet qeverisëse të saj.

Unë nuk dua të përsëris sot, se si në të disatin vit qeverisje vendore të soicialistëve dhe progresistëve, ne kemi realizuar thelbësisht interesat e komuniteteve të gjera shoqërore që ne përfaqësojmë dhe ne na votojnë. Ne kemi arritur të ndërtojmë një raport të qëndrueshëm dhe funksionues midis sipërmarrjes së lirë dhe thithjes fiskale të kontributeve të saj me shtetin social dhe me programet për integrim të shtresave në nevojë dhe periferike. Ndaj procesin bazë të integrimit në botën moderne, në tregjet rajonale, globale dhe aq më shumë në një komunitet me rregulla shumë konkurruese siç është BE apo OBT.

Një parti politike ka një mision të pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike. Ky mision shumëfishohet kur partia qeveris. Kjo është akoma më e mprehtë në periudha tranzicioni drejt shoqërive moderne standarti. Ju dhe përfaqësuesit tuaj, unë dhe gjithë të zgjedhurit e partisë në nivelin e Legjislativit qendror apo në Këshillat bashkiakë dhe komunalë, drejtuesit politikë, që ju mandatoni për të drejtuar shtetin apo pushtetin në hallka të ndryshme të organizimit demografik të vendit apo të territorit kanë për detyrë të mos shkëputen nga ju dhe të sjellin tek ju, të punojnë bashkë me ju, për të bërë investimin më kryesor në procesin e zhvillimit dhe integrimit të vendit, shpjegimin e kostove dhe mënyrave të përfitimit të avantazheve që vijnë nga hyrja e Shqipërisë në komunitetin europian apo në NATO.

Vetëm një qeveri me 18 vetë është e pafuqishme ta bëjë këtë gjë. Vetëm 75 apo 88 deputetë të mazhorancës nuk mund ta bëjnë këtë gjë mjaftueshëm. Vetëm disa qindra drejtues apo të zgjedhur të partisë në të gjitha nivelet, nuk mund ta bëjnë këtë gjë pa bashkëpunuar me ju anëtarët e PSSH, anëtare e IS, janë dhe duhet ta konsiderojnë veten për tu angazhuar qytetarët më cilësorë të Republikës së Shqipërisë, shtetasit që nuk mund të kërkojnë vetëm përfitime pa zbehur aspak shqetësimet tuaja të drejta dhe serioze kundër padrejtësive në punësim apo në shanse, që jep privatizimi apo zhillimi ekonomik i vendit në raport me komunitetet e gjera, që ju përfaqësoni, por duhet të jetë protagonist dhe pararojë e çarjes së rezistencës shoqërore ndaj transformimeve ende të mëdha, që duhet të kryejmë në hapjen e gardheve territoriale, në hapjen e kufijve të tregjeve, në krijimin e barazisë së shanseve të daljes në treg për të gjitha komunitetet dhe pastaj të ruajtjes së vlerës së punës së ndershme me rregulla të barabarta konkurence, me shpërndarjen e garancive ligjore dhe administrative për shtetasit në territorin e të gjithë vendit në fshatra dhe qytete në malësi dhe në bregdet, të cilat vijnë nga stadi i ri i zhvillimit që ka arritur vendi për shkak të reformave dhe që kërkojnë gjithashtu të vazhdojnë të ruhen me shumë kujdes raportet midis investimit për zhvillim në të ardhmen me konsumin shoqëror në të sotmen.

Vetëm kështu bëhet e mundur që të ruhet mendja e kthjellët përballë krizave të përfaqësimit dhe konflikteve të grupeve apo individëve për pushtet me të cilin menjëherë abuzohet dhe plaçkitet hambari i të gjithëve. Unë i njoh vetes qëndrueshmërinë dhe koherencën në veprimin politik apo qeverisës gjatë 13 vjetëve që më keni zgjedhur për të drejtuar PSSH në shkallë kombëtare.

Po marr vetëm katër vitet e fundit, kur u tërhoqa nga detyra e Kryetarit të partisë në 20 janar 1999 dhe kërkova thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm brenda tre muajve siç e ka statuti. Në KPD kam analizuar fillimin e kalçifikimit të konfliktit tonë qeverisës dhe të krizës së përfaqësimit. Kam theksuar- dhe dokumentet janë publike- se unë nuk pajtohem me ata shokë apo përfaqësues, që pushtetin e trajtojnë si një mundësi pasurimi për veten. Kam theksuar se i kam nxitur dhe do të vazhdoj t'i nxis këta shokë të kuptojnë, se kur gjithë aftësia profesionale apo autoriteti politik i secilit investohet për të mirën dhe zhvillimin e përgjithshëm,- kur vendi ecën ekonomia lulëzon dhe të ardhurat shtohen- do të rrojnë më mirë edhe qeverisësit edhe drejtuesit edhe administratorët shtetërorë.

Kam sjellë edhe shembuj kur ka filluar edhe debati im me disa nga shokët që votojnë kundër qeverisë sonë sot. Qysh në ‘91 midis këtyre dy koncepteve dhe dy moraleve të përfaqësimit politik në pushtet unë vazhdoj të kërkoj qetësisht që ne të pastrojmë qeverisjen nga abuzimi dhe privilegjet që rrjedhin prej tij apo pasurimi i pamerituar i përfaqësuesve. Gjatë kohës që fliste Edi Rama më erdhi një pyetje nga Gjergji Maskaj që është shumë domethënëse. "Shoku Fatos po të pasurohen militantët dhe anëtarësia e thjeshtë e saj çfarë do të ndodhë me PS"?

Ka nisur ky diskutim të derdhet gjithashtu në publik edhe në ballafaqimin midis konkurentëve për kryetar partie. Unë ju dëgjoj me shumë vëmendje, kur ju vazhdoni të paraqisni si shqetësim politik përballë abuzimit me detyrën fakte të përsëritura, që fondet publike që nëpërmjet tenderave dhe për shkak të decentralizimit kalojnë në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore nga qendra, përfundojnë shpesh në duar vjedhësish profesionistë, që më së shumti janë firma të krijuara nga PD në kohën e regjimit të Berishës.
Unë kam vazhduar edhe në lëvizjen për katarsis edhe në drejtimin e Qeverisë në 14 muajt e fundit të aplikoj të njëjtat principe të frenimit të abuzimit të luftës kundër klientelizmit, të pastrimit të llogarive nga duart e papërgjegjshme. Dhe në arsyetimin që kam bërë publik për qindra milionë dollarë të munguara ndaj botës informale të krimit dhe të grupeve të sipërmarrjes së paligjshme, që kanë ndodhur gjatë 12 muajve të fundit kam parasysh saktësisht që këto para tashmë janë në buxhetin e shtetit.

Këto dhe shumë të tjera po qarkullojnë në kanalet bankare. Këto dhe shumë të tjera, sepse nuk besoj të na akuzojë njeri që kemi konfiskuar pasurinë apo gratë e qytetarëve siç akuzoheshin dikur komunistët. Këto para nuk derdhen më me viktima në det apo nuk ushqejnë më banda kriminale në tokë. Këto para tashmë të çertifikuara dhe të mbrojtuar nga banka private apo publike të ligjshme janë derdhur në stere, po tansformojnë qytetin tuaj, po lulëzojnë sipërmarrjen edhe në këtë zonë dhe po krijojnë çështë më e rëndësishmja më shumë aftësi konkurruese të sipërmarrësve vendas në procesin e hapjes dhe të ballafaqimit të sipërmarrjes vendase me atë të rajonit dhe të botës në rrugën e integrimit.

Këto para që nuk ciklohen më në rrugë kriminale,- dhe krimi fillon që nga shmangia ndaj detyrimit fiskal pra evazioni,- sot kanë bërë të mundur të krijohen partnerë seriozë lokalë sipërmarrës shqiptarë edhe në Vlorë edhe në Tiranë, edhe në Shkodër apo në Tropojë, të cilët janë faktori kryesor që po vijnë dhe po shumëfishohen investimet direkte private ndërkombëtare.

Sipërmarrësit privatë ndërkombëtarë, firma të mesme a të mëdha nuk punojnë me qeverinë, kërkojnë vetëm garanci ligjore dhe gjyqësor të rregullt nga shteti në konflikte të mundshme pronësore apo civile. Ata punojnë me sipërmarrës vendas. Edhe këtu në Vlorë unë takoj sa herë që vij, me shumë respekt, anëtarët e Dhomës së Tregtisë vendore që janë po aq aktivë në Dhomën e Tregtisë në Tiranë pra atë Kombëtare, të cilët gjithnjë e më shumë po sjellin lajme dhe po kërkojnë mbështetje për të nënshkruar dhe zbatuar kontrata të reja sipërmarrëse me investitorë të rëndësishëm privatë të huaj.

Shoqëria më e madhe dhe më me emër turistike e mesdheut nuk do të kishte ardhur në zyrën e Kryeministrit për të kërkuar një marrëveshje afatgjatë për garanci investimi privat në zhvillimin e turizmit në Vlorë, nëse nuk do të ishte krijuar partneriteti lokal me Tritanin. Shoqëritë e mëdha amerikane apo multinacionale që vijnë nga vendet fqinje apo nga vendet e zhvilluara të Europës, nuk do të krijonin konsorciume që mbledhin miliarda dollarë investime private në Shqipëri për sektorë prioritarë dhe me shumë vlerë konkuruese, që nga energjia deri te turizmi nqs nuk do të kishin kuptuar se në Shqipëri ekonomia e tregut është funksionuese, se administrata shtetërore krijon funksionalitet, se sipërmarrja shqiptare jep partneritet të besueshëm dhe unë nuk kam asnjë të drejtë as të fsheh dhe as të abuzoj me shifrën prej 3 miliard dollarë të kontraktuara apo të negociuara, të cilës iu shtuan edhe 850 milionë euro, dje, që do të derdhen në Vlorë në pesë vitet e ardhshme.

Në Vlorë, jo për meritën time personale, por për tuajën, dhe për shkak të efikasitetit të qeverisjes suaj në katër- pesë vitet që vijnë, njëri pas tjetrit do të ndërtohen naftësjellësi AMBO që do të sjellë një burim të pashtershëm energjetik nga deti Kaspik në detin e Vlorës. Do të ndërtohen super TEC-i gjigand prej 1200 Mega me vlerë 1 miliard e 300 milionë dollarë. Do të ndërtohet ujësjellësi dhe sistemi i infrastrukturës komplekse nën det, që krahas lëvizjes së ujit do të garantojë komunikimin me sisteme të transmetimit të energjisë elektrike dhe të fibrave optike për telekomunikacionet moderne midis Pulias dhe Vlorës.

Dje u krijua Komisioni i përbashkët shqiptaro- italian në emër të dy qeverive me Konsorciumin e ujësjellësit Vlorë- Pulia për të realizuar studimin e fizibilitetit në më pak se 18 muajt e ardhshëm. Për të realizuar investimin prej të paktën 850 milionë eruosh që do të derdhen në infrastrukturën shumëdimensionale në Adriatik. E pra të gjitha këto e bëjnë qeverisjen tonë të jetë e qetë dhe të mos ndërpresi punën për shkak të emocioneve apo temperaturave të krizave të përfaqësimit. Unë kam raportuar në Qeveri, në Kuvend, në KPD, në Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e Partisë për ecurinë e punëve të qeverisjes në 12 muajt e fundit.

Më duket se është shumë kuptimplotë që Ilir Meta e braktisi Qeverinë e suksesshme ku punonte si zëvendësi im dhe Ministër i Jashtëm pikërisht në minutat e fundit të një analize pesë-orëshe për gjashtë muajt e punës së Qeverisë në korrik. Dhe Ilir Meta del sot për shkak të lirisë që kemi krijuar dhe garantuar ne socialistët,- nuk besoj se mund të krahasohet gjendja në regjimin e Berishës, në median e lirë apo në mjedise tubimesh të lira por aspak përfaqësuese- dhe thekson pa pikë turpi se Qeveria ku ka punuar edhe ai vetë është e dështuar, se Kryeministri bën propogandë mashtruese, se mungojnë 200 milionë dollarë nga të ardhurat e planifikuara etj. të pavërteta si këto.

Ne kemi ende shumë rezerva për zhvillim, por ama ritmet e rritjes së ekonomisë, të mirëqënies, të punësimit, të kreditimit, të investimit jo vetëm për infrasrukturat por edhe për nevojat sociale janë shumë të larta. Të ardhurat financiare të shtetit pë vitin 2003 rriten 15 % në një kohë që ritmet normale që vlerëson edhe BB dhe FMN nuk janë më shumë se 4-5 % në vit. Me këtë ritëm kemi planifikuar edhe në buxhetin e 2004 rritjen e të ardhurave fiskale. Natyrisht nevojat janë më të mëdha se kaq.

Barra fiskale që paguajnë subjektet juridike dhe fizike që lëvizin në ekonominë dhe tregun shqiptar është 40-50 % më e ulët se sa barra fiskale që paguajnë subjektet në Maqedoni, në Bullgari, apo 50 % më i ulët është në raport me vendet e BE. Ne po luftojmë duke shfarosur favorizimet që gjetëm për shkak të qeverisë sonë të mëparshme, për evazion fiskal dhe mospagim detyrimesh skandaloze nga grupe, ndërrmarrje, firma dhe sipërmarrës të trajtuar si miq në zyrat e ish-kryeministrit Meta, që të ardhurat t'i paguajnë të gjithë në mënyrë që barra fiskale të mos godasë vetëm një grup sipërmarrësish të ndershëm dhe të suksesshëm. Zgjerimi i bazës së tatim- paguesve sidomos të subjekteve të mesme dhe të mëdha, që në kohën e qeverisë së Ilir Metës dilnin me tepricë kreditore me bilance fallso të mbrojtura dhe të lejuara nga administrata fiskale tatimore apo doganore e drejtuar nga njerëzit më të afërt të ish-Kryeministrit Meta, sot qetësisht dhe ligjërisht ka krijuar marrëdhënie korrekte me administratën e shtetit. Ata po derdhin dhe do të vazhdojnë të derdhin edhe detyrime të prapambetura që vijnë në shërbim të investimeve prioritare publike, në shërbim të nevojave të arsimit dhe të kujdesit parësor shëndetësor dhe natyrsisht në shërbim të integrimit shoqëror të shresave në nevojë dhe komuniteteve ende në varfëri.

E pra këto gjëra kanë dhe një metodologji politike siç kanë dhe një metodologji administrimi publik pa të cilën nuk mund të pranohemi në BE ashtu siç nuk mund të pranoheshim në IS.

Këto gjëra nuk bëhen dot me prokurim të drejtpërdrejtë. Gjatë 23 muajve të funksionimit të qeverisë nën drejtimin e Ilir Metës janë bërë 211 tendera publikë me prokurim të drejtpërdrejtë në favor të firmave private, të cilat kapin miliarda lekë. Gjatë 12 muajve të fundit ka vetëm një prokurim të drejtpërdrejtë në favor të një kompanie private nga qeveria që drejton Kryetari i partisë tuaj. Duhet ndalur disiplinuar dhe ndëshkuar abuzivizmi me fondet publike. Ju keni të drejtë dhe unë kam marrë informacione, të cilat do të jenë pjesë e analizave përfundimtare që çjerrja apo bjerrja e votave në zgjedhjet e fundit,- të cilat megjithatë e ritheksoj janë lokale. Për shkak të këtij serioziteti në analiza nuk duhet të bëjnë të lëkundet besimi që unë i falënderoj të bindurit e mëdhenj që mbajnë gjallë PS-në, se ne nuk kemi humbur elektorat në shkallë kombëtare për zgjedhje parlamentare. Shqetësimet tuaja, që do të bëhen pjesë e analizave përfundimtare janë të drejta.

Njerëz që nuk kanë bërë fushatë me ne, njerëz që nuk kanë bërë fushatë për ne, njerëz që kanë kontribuar në çjerrjen dhe bjerrjen e votave tona nuk kanë të drejtë morale të kërkojnë llogari për rezultate të dobëta në zgjedhje, njerëz që kur kanë pasur në duar qeverinë dhe buxhetin kanë bërë të zhduken në pak duar apo në vrima të zeza miliarda lekë apo miliona dollarë, nuk kanë të drejtë të akuzojnë qeverinë e sotme për abuzim apo mashtrim me para publike.

Mjafton të jesh i përgjegjshëm si përfaqësues dhe në përputhje me ligjin në veprimet qeverisëse për t'i kuptuar dhe denoncuar këto gjëra. Nuk ka nevojë të jesh jurist, prokuror apo gjykatës për t'i ndaluar këto gjëra pëfundimisht. Këto gjëra kanë lindur midis nesh, kanë krijuar krizën e besimit dhe të përfaqësimit midis nesh dhe mund të kurohen dhe shërohen vetëm brenda nesh.

Kjo është një sëmundje që i rrëmben shumë kollaj shokët dhe përfaqësuesit. Mbrojini, shërojini, trajtojini po mos i vrisni.

Paratë e shpërdoruara nga niveli vendor deri në nivel qendror ushqejnë me dhjetë mijë lekë protestuesit primitivë të Berishës në sheshin Skënderbej dhe nuk ka aleancë më të qelbur se kjo, kur votimi i korruptuar e ritheksoj i tre gjyqtarëve, të cilët kanë mbrapa një sistem shumë vulnerabël të drejtësisë, i dashur Edi Rama, në kolegjin ku u damkos fitorja jonë e përbashkët dhe besimi i qytetarëve tek institucioni i zgjedhjeve të lira. Ky votim i korruptuar festohet nga pesë skrapalinj në hotelin e paligjshëm të Muharrem Kushes mbrapa 15-katëshit. Nga Ilir Meta nga Spartak Braho nga Muç Muçi, nga prokurori i Durrësit dhe Muharrem Kushja vetë.

Unë nuk kam nevojë të mbrohem në media apo me badigardë nga akuzat monstruoze, që lëshoi edhe dje i pakorrigjueshmi Ilir Meta. Unë po them se unë nuk kam miq në njerëz të korruptuar, në trupa gjykuese apo vendimmarrëse të korruptuara. Unë dua të siguroj Edi Alushin se me disa nga kontestatorët dhe deputetët që votojnë kundra qeverisë së vet, unë kam harxhuar orë të tëra për tua shpjeguar këto gjëra. Të njëjtat gjëra që kam shpjeguar në Kryesinë e Partisë në KPD në Grupin Parlamentar, ku ju për shkaqe emocionale a nuk e di se çfarë tjetër kapni vetëm tonalitetet apo nofkat e emocioneve të castit.

Unë publikisht në mënyrë të përsëritur ju kërkoj ndjesë të gjithëve që për shkak të autoritetit të madh që ka Fatos Nano mund të jenë ndjerë të fyer në ndonjë artikulim timin publik ndaj përfaqësuesve të PS. Kini kurajon të kërkoni ndjesë dhe të ktheheni të votoni sipas vullnetit të përfaqësuesve.

E pra më lejoni të vazhdoj të rrëfehem. Unë jam gjetur edhe herë të tjera nën goditje nën këtë rrugë të përbashkët ku më keni besuar drejtimin e partisë dhe herë pas here të qeverisë së saj. Ne socialistët kemi dhënë prova të pashlyeshme në 13 vjetët e tranzicionit pluralist në Shqipëri. Jemi ne që e kemi ndërtuar opozitën si institucion në këtë vend. Dhe prandaj nuk mund të lejojmë ta shkatërrojë opozitën Sali Berisha i pandreqshëm dhe i çmëndur.

Jemi ne që ngritëm nga hiri sërish institucionet e shtetit të së drejtës pas kaosit në të cilin e futi Shqipërinë, Berisha në ‘97. Monumentet e Vlorës dhe të qeverisjes së atdhetarëve socialistë dhe progresistë në Shqipëri janë të gjalla dhe lëvizin e preken nga të gjithë shqiptarët. Edhe demokratët jetojnë më mirë me ne dhe do të vazhdojnë të jetojnë më mirë, se nuk do t'i lejojmë as të vjedhin as të shkatërrojnë shtetin as të kthehen në pushtet për shkak të çmendurive dhe aventurave të Berishës.

Shqipëria ka trupa paqeruajtëse të sajat aktualisht në Bosnje, Afganistan, në Irak, në Gjeorgji. Unë jam i nderuar që më pritën sot, sepse i përshëndeta përfaqësuesit më të shquar, 2000 vetë, të Forcave tona të Armatosura në Konventën e dytë vjetore në Pallatin e Kongreseve para se të vija. Pyeta Gjeneral Qazimin, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm se sa i vështirë është misioni paqeruajtës sidomos në Irak. Djemtë tanë nuk janë më roje objektesh edhe atje. Janë në patrullim dhe janë të ekspozuar ndaj rreziqeve. Falë zotit dhe shpirtit të tyre patriotik, por edhe aftësive të tyre profesionale për të cilat janë dekoruar nga komandat amerikane me të cilat punojnë askush nuk ka humbur jetën. Kombet e tjerë dhe qeveritë e tjera kanë përcjellë sëbashku me opozitën viktimat e luftës kundër terrorizmit. Qeveria e majtë e Polonisë nga e cila u ktheva pas një vizite në të mirën tonë të përbashkët para dy javësh ka humbur maxhorancën për shkak të zgjedhjeve të fundit dhe ka bërë një pakt me opozitën që deri në hyrjen me të drejta të plota të Polonisë në majin e 2004 në BE të mos ketë nevojë për misione paqeruajtëse të shtetit dhe të qeverisjes. Dhe dihen konfliktet dhe incidentet parlamentare apo administrative që bllokojnë procesin e anëtarësimit të atij vendi në BE. Unë nuk kërkoj moratorium nga të çmëndurit. Unë kërkoj rivendosjen e solidaritetit dhe të respektimit të përfaqësimit brenda nesh.

Kam biseduar edhe me djemtë që u kthyen nga misioni ynë paqeruajtës në Irak, siç kam biseduar dhe me drejtues të ushtarëve amerikanë atje apo drejtues të tjerë që kanë punuar me ne në këto vite tranzicioni. Ministri i Financave të Qeverisë kujdestare në Irak, sot, është ish- këshilltar ekonomik polak i imi dhe i Pandeli Majkos në vitet ‘98-‘99, dhe rezulton që më të kërcënuarit dhe ata që po humbasin më shumë gjak e viktima janë ushtarët amerikanë në Irak, jo se janë më të papërgatitur. Për njëqind e një arsye kostoja e lirisë përqendrohet tek liderët. Djemtë tanë në Irak lëvizin më lirisht ashtu si ata italianë, polakë, midis popullsive myslimane, megjithëse janë anëtarë të koalicionit global kundër terrorizmit, por nuk janë lider të koalicionit.

Më lejoni të ritheksoj se pavarësisht se sot e gjithë bota informale, bota që ka hyrë në krizën e përfaqësimit, bota e pushtetit e pasurive të pamerituara, bota e krimit, bota e parave të pamerituara që është rreshtuar kundër meje, sot më bën akoma edhe më të angazhuar ashtu si ushtarët amerikanë në Irak, për të mos u dorëzuar dhe për të mos dorëzuar pushtetin tuaj në duart e terroristëve.

Partia jonë nuk po mbytet. Nuk besoj se me lundërtarë të zotë si ju rrezikojmë të mbytemi, kur as kursin nuk e kemi ndryshuar. Më erdhi para dy javësh një nga ministrat dhe shokët tanë në zyrë para se Edi të shpallte kandidimin, Ben Blushi, miku ynë i përbashkët dhe më tha pak a shumë një frazë me anije. Kryetar, tha, anija ka shumë ngarkesë duhet të lëshosh diçka dhe nuk e kishte fjalën për ata që votojnë kundra e kishte fjalën për mua. Më falni t'ju pyes dëshironi që unë të lë timonin e anijes? Sepse ka njerëz që nga urrejtja apo pamundësia për të bërë përshesh në qeveri kanë humbur toruan dhe qetësinë e trurit, sepse temperaturën e gjakut dhe të shpirtit po ia matni ju në konferenca, të cilët e duan anijen pa Fatos Nanon. Ju e dini që unë di not. Unë nuk trembem nga mbytja pavarësisht nga ballët. I kam dhënë këto prova dhe ju falënderoj që m'i njihni. Unë me notin që di mund të kisha bërë çdo profesion tjetër një milion herë më komod se ky që po bëj.

Gjatë 13 vjetëve në timonin e anijes suaj, nuk kam shtypur as një plesht, pale broçkullat e atyre që më akuzojnë si vrasës. Prandaj unë ju kërkoj të shpreheni si deri më sot edhe në Kongresin e partisë, nëse do të ma hiqni dënimin e merituar që më keni dhënë, pas 13 vjetëve. Do të më lejoni të bëj dhe unë një punë të lezetshme si shumë të tjerë deri më sot. Besoj se duke folur troç kuptohen më mirë edhe diferencat midis ideve të vërteta dhe të rreme. Unë do të mirëprisja ide të reja, shpirtin dhe mendjen tonë kolektive për të ruajtur primatin politik të PSSH dhe për të çuar më shpejt përpara reformat e europianizimit të Shqipërisë në qeverisje.

Nuk ka forcë tjetër që mund të çojë deri në fund këtë mision përveç nesh që kemi ditur të ndërtojmë dhe pavarësisht nga rrebeshet të ruajmë një aleancë me të gjithë faktorët progresistë të qeverisë shqiptare që kërkojnë modernizim dhe integrim. Por ju lutem shumë mos u vononi të shfaqni idetë. Edi Rama je shumë vonë të paraqesësh platformën tënde në Kogres. Bjere platformën, mos e mbaj fshehur se edhe sot nuk gjeta asnjë ide nga ato që ne nuk i njohim.

Punë të mbarë të gjithë sëbashku!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›